Panairi, profesionet që kërkohen për 8 mijë vende të lira pune

Apr 29, 2016 | 12:11
SHPËRNDAJE

Operatorë telefonikë, rrobaqepës, specialistë marketingu, inxhinierë elektrikë e deri te mësues, ekonomistë dhe bankierë janë këto disa prej pozicioneve të punës që kërkohen nga bizneset.

Panairi
Panairi

Për të tretin vit radhazi dje në ambientet e Pallatit të Kongreseve është çelur Panairi i Punës. Rreth 8 mijë pozicione të lira janë prezantuar përkatësisht nga 130 kompani private dhe publike, të cilat janë bërë pjesë e këtij edicioni.

PANAIRI

Dita e parë e panairit ka sjellë më së shumti në stendat e bizneseve të rinjtë e sapodiplomuar. Një gjë e tillë pohohet edhe nga përfaqësuesit e kompanive, të cilët thonë se kanë qenë kryesisht grupmoshat e reja ato të cilat kanë vizituar stendat e tyre, duke treguar interes për ofertat e punësimit. Zyrtarisht është bërë e ditur se janë 8 mijë vende të lira pune, të përqendruara kryesisht në Tiranë.

Nga një vështrim i bërë në çdo stendë ajo që është e pamundur të mos bjerë në sy është fakti që pjesa dërrmuese e pozicioneve të lira është në kompanitë call center, të cilat kërkojnë operatorë telefonikë në shifra që shkojnë 300 deri në 500 punonjës secila. Pas tyre, bazuar në nivelin e kërkesës, mund të renditen kryesisht bizneset fasone dhe kompanitë e ndërtimit, te të cilat ofertat e punësimit varionin nga 50 deri në 100 vende vakante.

Në këto ujëra lundronin edhe disa kompani shtetërore, të tilla si OSHEE, e cila kërkon të punësojë përkatësisht 72 punonjës në pozicionin lexues sahati dhe 41 inxhinierë elektrikë. Zgjerim të stafit kërkon të kryejë edhe ALUIZNI, që po ashtu ka mirëpritur aplikime nga qytetarët.

profesionetAjo që konstatohet është se me ngjitjen hierarkike të pozicioneve vjen edhe reduktimi i numrit të kërkesave. Bankat, kompanitë e sigurimit, kompanitë celulare, ato të transportit, shkollat dhe universitetet pjesëmarrëse janë prezantuar në panairin e sivjetshëm me vende të limituara, që nuk e tejkalonin shifrën 10. Në këtë suazë është edhe Posta shqiptare, e cila ka shprehur interes për të rekrutuar vetëm 7 punonjës.

PJESËMARRJA

Edhe këtë vit pjesëmarrja e qytetarëve të interesuar ka qenë e lartë, kryesisht gjatë orëve të paradites. Numri i atyre që kanë frekuentuar stendat e bizneseve është pakësuar disi gjatë orëve të pasdites. Për çdo pozicion të lirë pune qytetarëve të interesuar u vihet në dispozicion një formular ku ata deklarojnë të dhënat e tyre, arsimimin që kanë dhe përvojat. Rekrutimi nuk bëhet në mënyrë të menjëhershme.

Kompanitë në mbyllje bëjnë shqyrtimin e të gjitha aplikimeve dhe kontaktojnë vetëm me ata që përmbushin kriteret. Ndonëse të gjendur përballë një ambienti me varietete të ndryshme punësimi, qytetarët shprehen skeptikë. “Aplikova në disa kompani dhe shpresoj të marr përgjigje pozitive. Kam studiuar për Arkitekturë në Universitetin e Tiranës”, shprehet një prej pjesëmarrësve.

Një tjetër tregon që ka mbaruar për Mësuesi në vitin 2012 dhe ende nuk ka gjetur punë. “Kam përfunduar studimet për Gjuhë-letërsi, erdha këtu me shpresë për një vend pune, por s’e di sa do të bëhet e mundur kjo”.

Panairi i çelur dje, i organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Bashkia e Tiranës, do të qëndrojë i hapur deri në datën 30 prill, duke shërbyer si një pikëtakimi mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura