Pakti detar me Greqinë, mekanizmi që i jep Athinës në dorë “çelësin” për të bllokuar në çdo kohë rrugën europiane të Shqipërisë

Aug 13, 2022 | 9:47
SHPËRNDAJE

Përparimi i Shqipërisë në bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian kushtëzohet mes të tjerave edhe nga ecuria e bisedimeve me Greqinë në lidhje me çështjen e detit.

wer

Në pikën pesë të udhërrëfyesit të bisedimeve, që “Gazetasi.al” ka siguruar pas një kërkesë për informacion Sekretariatit të Përgjithshëm të Këshillit Europian, përcaktohen kushtet që do të përdoren në vlerësimin e Bashkimit Europian të progresit të vendit, që përcaktojnë në vija të përgjithshme hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues. Pika e parafundit e këtyre kushteve thotë:

“…Shqipëria të ndërmarrë në përputhje me parimet e zgjidhjes paqësore dhe sipas parashikimeve të OKB-së dhe Konventës për Ligjin e Detit, përfshirë këtu, nëse do të jetë e nevojshme edhe njohjen e detyrueshme të vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjet e kufirit”. Ky parashikim, mësohet nga burime diplomatike shqiptare se është përfshirë në udhërrëfyesin e negociatave me këmbënguljen e palës greke, i jep Athinës në dorë çelësin e bllokimit në çdo fazë të bisedimeve të anëtarësimit. Parashikimi, mes të tjerave përcakton edhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë si institucioni për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe pikërisht dërgimi i çështjes në këtë Gjykatë është ajo që Greqia po kërkon prej muajsh. Aktualisht, ky hap nuk është hedhur ende dhe sipas një deklarate të bërë nga ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në fund të muajit maj, ajo mbahej e bllokuar nga Presidenti i kohës Ilir Meta, që nuk jepte autorizimin.

“Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin Kryeministrit. Shqipëria do të zgjedhë presidentin e ri brenda dy-tre muajve dhe e gjithë kjo do të bëhet e realizueshme”, i përgjigjej kryediplomati grek pyetjes së gazetarit gjatë një interviste për mediat vendase.

Në rastin e Shqipërisë, udhërrëfyesi i bisedimeve ndërqeveritare nuk ka ndjekur të njëjtin standard si në të shkuarën. Për vende të tjera, zgjidhja e mosmarrëveshjeve kufitare mund të bllokonte hapin final, pra anëtarësimin, por jo progresin e negociatave. Por, ka edhe raste kur mosmarrëveshje të tilla nuk janë bërë pengesë për anëtarësim. Shembulli është Kroacia. Kjo e fundit jo vetëm që nuk u pengua nga Sllovenia gjatë procesit të bisedimeve, por as kur u anëtarësua në BE, megjithëse dy vendet kishin pretendime për ujërat territoriale në Adriatik.

Çështja u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që vendosi në favor të Sllovenisë, një vendim që Kroacia sot nuk e njeh. Ky mund të jetë precedenti se përse në rastin e Shqipërisë, Greqia ka vendosur një sërë pengesash. Së pari, Greqia ka të drejtën e bllokimit të vendit tonë që në fazën e bisedimeve dhe së dyti, përmes kushtit të vendosur në udhërrëfyes, detyron Shqipërinë që të njohë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të shmangur një rast si ai i Kroacisë. Greqia insiston për nxitje të dërgimit në Hagë të dosjes së çështjen e detit. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, zbardhi të pathënat e vizitës në Tiranë, sipas të cilit me palën shqiptare u diskutuan mundësitë për ta nxitur procesin në Hagë.

I pyetur nëse pas zgjedhjes së Presidentit të ri shqiptar, do të mund të ketë zhvillime të shpejta sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes së përbashkët për përcaktimin e ZEE-së me Shqipërinë në Gjykatën e Hagës, ai u përgjigj: “Rol kyç në arritjen e kësaj marrëveshje ka luajtur edhe Kryeministri, z. Rama. Hartimi i saj u është besuar shërbimeve kompetente të dy vendeve që janë në komunikim të drejtpërdrejtë”. Kujtojmë se në një intervistë të mëparshme, pas vizitës në Tiranës, Dendias deklaroi se për të çuar çështjen e ndarjes së detit, Greqia dhe Shqipëria do të presin ikjen e Presidentit Ilir Meta.

Në pritje të zonave detare

Diplomacia greke arriti një marrëveshje me qeverinë Rama për hartimin e një deklarate të përbashkët që synon dërgimin çështjen e demarkacionit në Hagë. Kjo çështje ka qenë “kanceroze” për 20 vite pasi shqiptarët u tërhoqën, sepse Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen me kërkesë të opozitës së atëhershme të kryesuar nga Edi Rama.

Disa vite më vonë, ai është i njëjti person që arriti në një marrëveshje me Athinën për referimin e caktimit të kufijve në pritje të zonave detare në kufirin veri-perëndimor të Greqisë. Kryeministri Edi Rama, më 23 maj priti ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Takimi Rama-Dendias u zhvillua pa praninë e mediave. “Me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në një bisedë të frytshme për çështje me interes që bashkojnë popujt tanë”, është shprehur Rama.

Deti me Greqinë, Meta letër deputetëve: Mos cenoni vendin

Ilir Meta, tri ditë para largimit nga Presidenca i dërgoi një letër kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, dhe gjithë deputetëve të Kuvendit lidhur e çështjen e detit me Greqinë. Në një letër të hapur, Meta shkruan se shpreson që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar. Meta kërkon që zgjidhja e çështjes së detit me Greqinë të mos cenojë sovranitetin territorial dhe të jetë në funksion të prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit, pa cenuar aspak dhe për asnjë shkak marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis dy vendeve.

“Në respekt të transparencës, të rëndësisë së jashtëzakonshme të çështjes dhe të përmbushjes së plotë të detyrimeve kushtetuese nga të gjithë aktorët përgjegjës, sot në prag të mbarimit të mandatit tim në detyrën e Presidentit të Republikës, i nisa një letër zyrtare informuese Kryetares së Kuvendit, dhe deputetëve, mbi çështjen e hapur të procesit të negocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare. Uroj që çdo deputet ta lexojë me vëmendje, jashtë çdo interesi apo paragjykimi politik, dhe Kuvendi i Shqipërisë në trajtimin e saj të udhëhiqet nga interesi kombëtar, zbatimi i Kushtetutës dhe vullneti i mirë për zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje. I udhëhequr si gjithmonë nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe e bashkëpunimit për çështje madhore, mbetem i hapur për të bashkëpunuar me Kuvendin e Shqipërisë edhe përtej 24 korrikut”, shkruan Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura