Pakica që nuk e do Reformën në Drejtësi

Jun 20, 2016 | 12:38
SHPËRNDAJE

Fabian TopollajFABIAN TOPOLLAJ*

Pavarësisht se Rama këmbëngulte që në fillim të herës se nuk e kishte lexuar draftreformën në Drejtësi, por do të votonte çdo gjë që i rekomandonin ekspertët vendës dhe ata të “Venecias”, përsëri në çdo dalje publike të tij, në çdo justifikim për akuzat ndaj qeverisë, në çdo ligjëratë për reformat qeverisëse, Rama paraprakisht nënkuptonte se pakica (kupto opozita) nuk e donte Reformën në Drejtësi.

Kjo sepse një reformë me drejtë- si funksionale do të provonte tezat (kupto justifikimet) e tij para dhe pas zgjedhjeve të 2013-s, se qeveria paraardhëse ishte e zhytur në korrupsion dhe krim, si dhe punët e qeverisë aktuale nuk po prodhonin rezultate për shkak të një sistemi drejtësie jofunksional.

Justifikimi i Ramës se opozitës nuk i intereson një drejtësi funksionale e rrjedhimisht ajo do të bënte gjithçka për bllokimin e Reformës, e ndihmoi për t’u amplifikuar edhe deklarata e ambasadës së BE-së dhe SHBA-ve në Tiranë, se qeveria ishte treguar më fleksibël për gjetjen e një zgjidhjeje gjatë minutave të takimit Rama-Basha.

Pavarësisht se nuk kuptohej se si ishin vënë në dijeni me aq përpikëri ambasadat për bisedën 120 minutëshe me dyer të mbyllura midis liderëve politikë vendës sa të mund të gjykonin dhe elasticitetin e palëve në tryezë, përsëri dallohej qartazi një përpjekje e ambasadave që të detyronte pakicën, qoftë dhe një pakicë brenda pakicës, për të votuar ndryshimet kushtetuese.

Dhe pas kësaj të gjithë të mund të shkonin të qetë me pushime, përfshi dhe funksionarët e lartë të përfaqësive diplomatike në Tiranë, që dielli i pranverës dukej t’u kishte shtuar dëshirën e pushimeve të qeta, pas kryerjes së detyrave të tyre në një vend problematik. E-mailet e ekspertëve të BE-së dhe SHBA-ve të përfshirë në hartimin e Reformës, ku dallohej qartazi përpjekja e tyre për finalizimin e saj duke i ofruar opozitës të drejtën për të përzgjedhur variantin e kompozimit të institucioneve të reja të drejtësisë, dukej se nuk përmbushte me qëllimin final të tyrin, sa kohë Rama vinte bast me këdo, me siguri dhe me ambasadorët vendës, se koalicioni qeverisës ishte në bllok pro variantit qeveritar të Reformës dhe nuk do përbënte asnjë problem për të që opozitës t’i ripeshkonte nja 3 deputetë sa për të miratuar Reformën shpëtimtare për fatet e zhvillimit të vendit.

Më kot opozita u rrek të sqaronte opinionin se ajo e dëshironte më të vërtetë Reformën në Drejtësi, por e donte sipas rekomandimit 88 të “Venecias” që siguronte një sistem drejtësie të pakapur nga ekzekutivi, që jo vetëm, por nën drejtimin e Ramës ka treguar një oreks të jashtëzakonshëm për të vënë nën thundër çdo institucion të pavarur. Kampionati Europian, media e përgjumur edhe qëllimisht në këto kohë tenderësh qeveritarë me të drejta transmetimi televizive, por dhe siguria që dëshmonte Rama për gjetjen e votave të nevojshme për kalimin e Reformës në Parlament, i lanë fare pak mundësi Bashës të sqaronte se varianti i “Venecias”, i cili kërkonte që anëtarët e zgjedhur nga Parlamenti në institucionet e Drejtësisë të mund të ndaheshin midis palëve parlamentare në proporcion me vendet e tyre në Parlament, siguronte në mënyrë me efikase institucione të pavarura drejtësie po të krahasohej me variantin qeveritar, i cili nga ana e tij sugjeronte përzgjedhje konsensuale të tyre në Parlament me 2/3-at sa për sy e faqe, sepse në çastin që konsensusi nuk arrihej (gjë e zakonshme në Parlamentin tonë, për më tepër kur i intereson maxhorancës), varianti Rama parashikonte që këta anëtarë të Parlamentit në Institucionet e drejtësisë t’i përcaktonte në bllok qeveria. Por jo pak i vëmendshëm ishte treguar Ilir Meta në këtë debat pjesërisht parimor midis palëve.

Shqisat e Metës me sa dukej i kishte mprehur dhe çështja e nxehtë e përgjimeve, një mekanizëm i fshehtë dhe skandaloz ky që duket të ishte iniciuar nga segmente të qeverisë më shumë për të kontrolluar aleatët brenda koalicionit sesa për kundërshtarët përballë, që e dimë se çfarë mendojnë dhe veprojnë.

Ilir Meta në fillim takoi i vetëm kreun e opozitës dhe deklaroi se Basha i ishte dukur që e deshte me të vërtetë Reformën në Drejtë- si, por kishte vetëm një kusht, që Meta e quajti parimor dhe në përputhje me rekomandimet e “Venecias”, i famshmi paragrafi 88 i Opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Të nesërmen pas takimit me Ramën dhe ambasadorët, ai u tregua dhe më i qartë për pozicionin e LSI për Reformën. Nuk kemi pse të trafikojmë vota nga opozita, kur mund të gjejmë një zgjidhje me opozitën sa kohë kërkesa e saj bazohet në rekomandimet e “Venecias”, tha Meta, dhe përsëriti se ato rekomandime mbështeteshin prej partisë së tij që prej fillimit të këtij procesi.

Rama, që deri në atë çast dukej i sigurt në arritjen e qëllimeve të tij me Reformën, u trondit dhe mori pak kohë për të testuar qëndrimin e aleatit të tij qeverisës me 20 vota në Parlament. Qëllimet e Ramës duheshin përmbushur, por jo dekonspiruar. Rama kërkonte ose një Reformë që i siguronte sistemin e drejtësisë në xhepin Kryeministror, ose kurrë mos u bëftë Reforma, se në fund të fundit Drejtësia aktuale asnjë gjemb nuk po i fuste në këmbë Qeverisë së tij, që si ariu ishte futur në dyqanin e qelqurinave me skandale të përditshme krimi, korrupsioni dhe paligjshmërie qeveritare.

Me një deklaratë të detyruar që vetëm në formë dukej se ndryshonte qëndrimin e Ramës, por në thelb jo, ai u përpoq të kënaqte konsensusin e kërkuar nga Meta, duke pranuar pjesërisht kushtin e vetëm të opozitës. Dy prej 4 institucioneve të reja të drejtësisë le të kompozohen sipas kërkesës së Bashës dhe “Venecias” me vende të rezervuara, ama 2 institucionet e Vetingut Rama nuk i lëshonte, atje ishte vija e kuqe që, me sa dukej, ishte spostuar deri në gjysmën e rrugës për hatër të konsensusit. Basha sigurisht nuk mund të pranonte një zgjidhje të pjesshme sa kohë halli i tij nuk qe të rifuste veten në procesin parlamentar të miratimit të Reformës, por të siguronte një drejtësi të pakapur nga Rama.

Kjo sepse me kontrollin e Vetingut, procesit të verifikimit të pastërtisë së të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve aktualë, Rama vazhdonte të kishte në dorë hanxharin në qafën e gjyqtarëve, që me rastin Rroshi dhe Caku vërtetuan se trembeshin jo pak edhe nga fjalët e Ramës, e jo më nga mundësia e tij për t’i flakur jashtë sistemit. Kur LSI qartësoi në ditët pasuese se mbështeste vetëm një Reformë konsensuale me opozitën dhe vijat e kuqe nuk e ndihmonin konsensusin e rrjedhimisht bërjen e Reformës, Rama në fillim e dekoloroi edhe ca më tepër atë vijë dhe më pas hoqi dorë fare nga autorësia e vijave të kuqe, duke ia faturuar ato penelit të ambasadës së BE-së në Tiranë. Deklaratat e pakta të opozitës në fundjavë ripërsëritën këmbënguljen e saj për një Reformë që siguron një sistem drejtësie të pakapur dhe funksionale.

Qëndrimet e kryetarëve të partive të vogla parlamentare si PBDNJ dhe PDK, që njësoj si LSI i tremben po aq sa opozita ndoshta dhe më shumë një drejtësie të kontrolluar nga Rama, rrodhën vota të tjera nga oborri i maxhorancës parlamentare në favor të rekomandimit 88 të “Venecias”. Vetëm Rama u tregua i heshtur gjatë kësaj fundjave. I kapur në kurth prej aleatëve të tij qeverisës, ai duket se me Reformën në Drejtësi nuk përmbush dot më asnjë nga skenarët e tij fillestarë. Tanimë as nuk e bën dot Reformën me arkitekturën e kontrollimit të sistemit të drejtësisë nga Kryeministri dhe as nuk e lë dot pa bërë fare si e vetmja mënyrë që të ruajë të njëjtin sistem drejtësie që duket se Ekzekutivi aktual e ka vënë nën thundër.

Edi Rama kishte dhe ka të drejtë kur thotë se pakica nuk e do Reformën në Drejtësi. Ama ditët në vijim do të tregojnë nëse ai do të vazhdojë të bëjë sikur nuk e kupton që për Reformën sot pakica është vetë ai dhe do ta dështojë miratimin e kësaj Reforme, duke zhgënjyer në këtë mënyrë dhe ambasadorët që kanë mbrojtur fleksibilitetin e Ramës për miratimin e Reformës. Apo si pakicë që është do t’i bashkohet qëndrimit të shumicës parlamentare dhe do të detyrohet të miratojë Reformën sipas rekomandimit 88 të “Venecias”. Qëndrimet e moderuara në fundjavë të Koços dhe Majkos ngjajnë me daullet që paralajmërojnë se Tellalli do të njoftojë se Rama dakordësoi një Reformë konsensuale në Drejtësi.

*Anëtar i grupit të ekspertëve të opozitës për Reformën në Drejtësi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura