“Pak para se të largohej, ai ishte shumë i shqetësuar, dyshonte për vdekjen e vëllait dhe…”/ Dëshmia e rrallë e gruas së ish-ministrit që u arratis në Jugosllavi

Jun 11, 2023 | 21:16
SHPËRNDAJE

Nga Pandi Laço

Capture

Arratia e gjeneralit Panajot Plaku, më 16 maj të vitit 1957 në Jugosllavi, ishte një ngjarje e jashtëzakonshme që e tronditi rëndë lidershipin komunist të Tiranës. Këtë radhë i kishte lënë lamtumirën vendit të tij, njëri nga heronjtë më popullorë të Luftës Nacionalçlirimtare, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në Kuvendin Popullor. Ikte në fshehtësi, gjenerali i njohur, pasi kishte mësuar se do të ishte viktima e radhës, e fushatës së nisur rishtas në luftën kundër revizionizmit. Nuk dihet sa të bazuara qenë dyshimet e Plakut, por që ai nuk mund të pajtohej me gjendjen e krijuar në PPSH-së, e dëshmonte letra e tij për Komitetit Qendror të PPSH-së, e dërguar një muaj pas arratisjes. Panajot Plaku shpresonte të gjendet strehim në BRSS-së, por diçka e pengoi dhe mesa duket u pajtua me qëndrimin në Jugosllavi.

Gjatë kohës, që jetoi në Beograd, nuk dha as intervista, as deklarata politike. Vetëm më 27 maj të vitit 1961, i shprehu shkurt korrespondencës të gazetës “Borba”, mendimin e vet për procesin e Kundër admiralit Teme Sejko. Duke filluar nga viti 1960, në shtypin jugosllav, zunë të dilnin artikuj anonimë për disa probleme të historisë së PPSH-së, të mbushur me hollësi të tilla, të cilat mund t’i dinte vetëm një dëshmitar i ngjarjeve. Nuk përjashtohet mundësia që autor i këtyre artikujve e analizave të ketë qenë Panajot Plaku. E vërteta është se pas vdekjes së tij, në vitin 1969, nuk pati më publikime të tilla. I vetmi botim që është bërë pas kësaj kohe, është libri me kujtime i tij i botuar nga dy gazetarë jugosllavë në vitin ‘85.

E veja e Panajotit, Vjollca Plaku duke iu kthyer kësaj ngjarje të mbushur me mistere e të panjohura, ka rrëfyer para disa vitesh në emisionin “Histori me zhurmues” të gazetarit Pandi Laço, një pjesë të kujtimeve të saj, që qartësojnë shumëçka nga dritë-hijet dhe dyshimet e shumta që janë përfolur në vite…

Zonja Vjollca, ju kur e njohët Panajotin?

Unë Panajot Plakun e njoha nëpërmjet një shoqes sime, në vitin 1950 dhe mbasi biseduam bashkë se çfarë kërkonte ai prej meje dhe unë prej tij, u fejuam, bëmë fejesën  dhe shpejt në janar të ’51-it, u martuan.

Ai ishte ushtarak apo jo?

Ishte nënkolonel në atë kohë, por shpejt u bë kolonel e gjeneral. Kishte mbaruar studimet në Bashkimin Sovjetik. Por pak kohë përpara, më ’51-in, thashë u martuam, më shkurt të ’52-it, linda vajzën, në qershor të ’54-ës djalin e madh dhe në nëntor të ’55-ës, djalin e vogël.

Arratisja ndodhi në vitin 1957, ju kishit vënë re diçka të veçantë, diçka të jashtëzakonshme në sjelljen e Panajotit?

Po, ato kohët e fundit mund të them, ditët e fundit, kishte shqetësim dhe nuk ishte i qetë, kishte ndodhur edhe vdekja e Kalos, e vëllait, që e kishte tronditur shumë, s’e zinte gjumi natën. Nuk e besonte se ajo ishte vdekje normale. (E natyrshme).

Vëllai i Panajotit, punonte ndërkohë në fermë, apo jo?

Po, Kalua punonte në fermë, vinte shpeshherë, kur kishte punë në ministri vinte, ktheheshe tek neve.

Pra, vdekja e vëllait, e shqetësoi Panajotin?

E shqetësoi shumë, natën nuk ishte i qetë, kthehej, e përkthehej nëpër krevat, e nuk e besonte vdekjen e atij, se ishte vdekje normale.

Por me pas çfarë ndodhi?

Më ’56-ën, disa çifte shkuam në Hungari, Budapest, për pushime, e atje ai, me qëllim, shkoi të merrte analizën që i kishin bërë Kalos, për të vërtetuar se çfarë vdekje ishte, aty, kur po dilnim bashkë, më tha; neve djemtë e mamasë, nuk e kemi të gjatë, ai dyshonte për këto vdekje, si të vëllait të madh të Jorgos, që ishte vrarë në Luftë, ashtu edhe të Kalos dhe nuk ishte i qetë.

Çfarë ndodhi më pas, pasi u kthyet në Shqipëri? Çfarë mbani mend nga ditët përpara arratisjes?

Ankohej, jo se ankohej, por e shikoja të shqetësuar, i thashë të marri një mjek, për t’u vizituar, jo më tha dhe kështu me këmbëngulje, duke menduar se mjeku do ta shikojë dhe s’kishte gjë për shqetësim.

Më pas, ai ju tha që po bëhej gati për të shkuar me shërbim, apo jo?

Po, po. Një ditë përpara se të arratisej, siç shkonte gjithnjë me shërbim, brenda Shqipërisë, herë pas here, shkonte që bënte punën e vet, më thotë, bëmë valixhen gati me ndërresat, siç merrte gjithnjë. Ja bëra valixhen gati, edhe të nesërmen në mëngjes u ngrit, për të shkuar, erdhi makina aty, më tha ditën e mirë, dhe unë; mirë ardhsh, i urova dhe bëri një copë rrugë dhe pastaj u kthye prapë. Erdhi na fotografoi neve, mua dhe fëmijët. Dhe pastaj iku.

Kur u erdhi lajmi…?!

Lajmi erdhi të nesërmen dhe unë nuk e besoja kurrë që Panajoti të ikte, të bënte këtë punë, kurrë s’e mendoja dhe nuk e besoja dhe i kundërshtoja atyre të Degës që erdhën, duke i thënë s’është e vërtetë. Po mamaja e Panajotit, më tha, duke e kuptuar që kjo ishte e vërtetë, ajo e vjetër në moshë dhe grua e zgjuar, mos bëj kështu tha ime, se neve do ta qajmë gjithë jetën, unë tha, edhe ti. Qysh atë ditë, më morën në Degë në pyetje, më thanë se; kush hynte e dilte, në shtëpinë tonë.

Po kush hynte e delte në shtëpinë tuaj, nga shokët e Panajotit?

Shokët e Panajotit, ishin Maqo Çomua, Mihallaq Ziçishti, Josif Pashko, Kadri Hazbiu, këta ishin shokët, që këto kohë ishin në Shqipëri.

Ju keni vënë re diçka të veçantë në sjelljen e tij për shembull, ndonjë simpati të madhe ndaj jugosllavëve?

Jo, unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë të flasë me simpati për jugosllavët.

Mendoni se ka qenë një njeri patriot, sipas traditës që kishte familja e tij?

Me plot gojën, e them këtë. Familja e tij dhe vetë ai, ishin e njëjta gjë.

Ju atë kohë banonit në “Bllok” apo diku afër “Bllokut”, apo jo?

Ne banonim në shtëpitë e Kryeministrisë. Në atë kohë, aty jetonin Rita Marko, Mihallaq Ziçishti, Josif Pashko, Kadri Hazbiu, e ndonjë tjetër, që nuk më kujtohet. Ishte një lloj “Blloku”, jashtë “Bllokut” të udhëheqjes. Një “Bllok” tjetër si të thuash…!

Mbas arratisjes, drejtori i Zbulimit, Zoi Themeli, ka hartuar një informacion, për të ashtuquajturën; “tradhti të Panajot Plakut”. Ai, përveç simpatisë ndaj jugosllavëve, ka theksuar se kishte shumë miqësi me Tuk Jakovën. Juve, çfarë ju kujtohet, ka pasur bashkëshorti juaj, miqësi të ngushtë me Tuk Jakovën?

Jo, miqësi të ngushtë, thjesht marrëdhënie pune. Një herë ka qenë Tuk Jakova, në shtëpinë tonë. Ishte koha kur ishim me familjen në qytetin e Shkodrës (Panajoti qëndroi rreth tre muaj me punë aty). Erdhi një natë atje Tuk Jakova, Liri Belishova dhe Maqo Çomoja, të tre. Unë merresha me fëmijët. Ti, vazhdo rehato kalamajtë, më tha Panajoti, se; unë kam pak punë me këta. Ku di unë ç’punë kishte?! Punë shteti. Vetëm këtë mbaj mend, vetëm nga kontaktet me Tukun…!

Një tjetër njeri, ka pasur lidhje Panajoti ka qenë Tahir Kadareja…?

E kam dëgjuar që Panajoti, fliste me simpati të veçantë për Tahir Kadarenë, por unë as e njoha asnjëherë…!

Një tjetër pikë e informacionit të Zoi Themelit pas arratisjes së Panajotit, është se në momente të caktuara ,ai ishte shprehur me urrejtje kundër Mehmet Shehut dhe Rita Markos. Ju keni dëgjuar diçka?

Jo, jo nuk kam dëgjuar. Këto me sa duket kanë qenë çështje të brendshme të partisë.

Si vazhdoi jeta juaj, pas arratisjes së Panajotit?

Ishte një jetë me të vërtetë me mundime. Mbasi më mbajtën 10-12 ditë në Degë, na transferuan në Skrapar dhe atje kërkova punë menjëherë, se nuk kisha me se të jetoja. Më futën në një punishte reçelrash. Ishte normë e madhe, që unë s’e përballoja dot. Kovat me 31 kg. qershi, duhej t’ju hiqnim bërthamat për reçel. Nuk munda të bëj ditën e pare, si e pa mësuar që isha. Atë ditë, munda të bëj vetëm 2 kg. e 800 gram, gjithsej. Mirëpo shpejt, shoqet që kisha në krahë dhe ia kishin marrë dorën kësaj pune, sa mbaronin normën e vet, vinin dhe më ndihmonin mua. Dua të them se, më afruan shumë atje, më ndihmonin dhe për fëmijët, m’i shikonin, kur shkoja në punë, u jepnin ndonjë gjë, kur e kërkonin, etj. Duke e parë punën e vështirë, kërkova të shkoja në rrobaqepësi, por nuk më çuan…!

Mbasi u larguat nga Skrapari, ku shkuat?

Në Durrës, shkuam më 1 maj të ’58-ës. Po dhe këtu, nuk kishim të drejtë të lëviznim. Ky lloj izolimi, quhej dëbim, ishte një çikë më i butë se internimi, por sidoqoftë, përsëri i vështirë. 6 vjet, kam qenë e dëbueme. Fëmijët, shkonin në Tiranë. Unë jo. Vinin vëllezërit e mi dhe i merrnin, sidomos për ditë festash dhe i sillnin përsëri. Unë për vete, e kisha të ndaluar lëvizjen.

Keni pas të drejtë të votoni në atë kohë?

Jo. Në atë periudhë, unë nuk kisha triskën e frontit, çka ishte e domosdoshme për votimin.

Ku punuat në Durrës?

Në fillim, punova si pedagoge, më vunë në çerdhen e Fabrikës së Cigareve. Punoja me pasion me fëmijët, sa më shpërblyen edhe me fletë lavdërimi, për punë të mirë. Unë, kam mbaruar për kanto në Liceun Artistik dhe mbas punës, këndoja. Kënga, ishte pasioni i rinisë time. Mirëpo, qëlloi që kjo më kryqëzoi keqas. Një ditë më thirrën në drejtori dhe më heqin nga puna, me pretekst se unë, i këndoja këngë Panajot Plakut. Thoshin se unë isha duke pritur Panajotin, prandaj i këndoja. Që këndej, më hoqën e më çuan në ndërtim.

Në Durrës kisha edhe vëllanë, të cilin e hoqën nga Prokuroria e Përgjithshme dhe e sollën aty si dënim. Qëlloi që në ’64-ën u sëmura dhe u shtrova në spital. Erdhi aty vëllai dhe më tha që mos të shkoja më në ndërtim, se do më gjenin një punë tjetër më të lehtë. Prita, jo sot e, jo nesër, për t‘u sistemuar me punë. Më në fund u sistemova në Bazën Grosiste Tregtare. Punova atje, në fillim në llogari, me kartelat e magazinave, me shitje-blerjet e mallrave etj. Dhe aty për punë të mire, më shpërblyen.

Mirëpo përsëri, njerëzit që nuk na donin për punën e Panajotit, e quanin procesin e punës që kryeja, të privilegjuar dhe ndërhynë për të më hequr. Kalova në sektorin e kolaudimit, d.m.th., me kolaudu mallrat, në po atë ndërmarrje. Një punë ditore kjo, jo mujore. Ca më tej, një punë e vështirë që kishte të bënte me kontrollin e mallrave, pra jo si puna në llogari, në zyrë. Qëndrova këtu, gati një vit e gjysmë. Më hoqën edhe këtej dhe më çuan në punë fizike të drejtpërdrejtë. Aty punova deri dy vjet, para se të mbushja moshën e pensionit. Ndërkohë, kishin filluar punë fëmijët dhe ata këmbëngulën për të qëndruar në shtëpi. Ashtu bëra…!

Nga dokumentet e kohës, bëhet e ditur se nënën e Panajotit, e kanë detyruar që ta dënojë veprën e tij dhe ta quajë atë armik. Juve, ju kanë detyruar që të pohoni se bashkëshorti juaj, ka kryer tradhti të lartë ndaj atdheut?

Siç u shpjegova, ne na çuan menjëherë në Skrapar. Në Tiranë, babai shkoi në zyrat përkatëse dhe u tha se; vajza ime, është e pafajshme. Ç’faj kanë fëmijët e saj, theksoi ai që të internohen. Kërkoi ndarjen, divorcin tim, me Panajotin. Dhe u bë si të thash, ndarja me letra…!

Gjatë kësaj periudhe d.m.th., nga momenti i arratisjes dhe më vonë, ju kishit dijeni se çfarë ndodhte me burrin tuaj?

Kur vdiq e morëm vesh. Isha atë ditë në oborrin e ndërmarrjes dhe dy nga shoqet e punës, njëra sekretare dhe tjetra merceologe, më thirrën dhe më thanë: Vjollca e ke parë gazetën? Çfarë ka shkruar, u përgjigja unë. Ka vdekur Panajot Plaku, më thanë ato dhe më dhanë për të lexuar gazetën që mbanin në dorë. I hodha një sy aty për aty. Ishin vetëm dy rreshta të thatë: Vdiq Panajot Plaku dhe vetëm kaq. Nuk sqarohej se nga zemra apo nga ndonjë helmim i mundshëm. Sa mbarova së lexuari ato dy rreshta, përmbajta veten dhe u ktheva nga ato. Për ne, u thashë, Panajoti ka vdekur që kur iku, e na ktheu krahët…!

Ju keni mbajtur lidhje me familjarët e Panajotit, i keni takuar ata më pas?

Kam pasur një takim, vetëm me Koçon, vëllain e Panajotit. Qëlloi që unë kisha qenë në Tiranë dhe kisha shkuar te stacioni i trenit, për të prerë biletë. Më pa Koçua, vëllai i vogël i Panajotit, mu afrua dhe më tha, të delja nga radha. Unë u largova. Ai preu biletën për mua dhe erdhi dhe ma dha. Sakaq më pyeti për fëmijët. Ku janë fëmijët? më tha. E çova te treni, ku i kisha lënë, para se të vija për biletën. Shkova me Koçon aty. I pa fëmijët, i mori një nga një në krahët e tij dhe i puthi me dashuri. Nxori nga xhepi një monedhë 1000 lekëshe dhe ja u dha. Kaq ishte takimi me të. Por, ishte marrë vesh gjithandej. Madje, e kishte marrë vesh edhe nëna ime, e cila më thirri menjëherë e shqetësuar…!

Pra, në një lloj mënyrë ju u distancuat nga tradhtia që flitej në atë kohë. Dua të qëndroj pak me djalin tuaj. Në kohën që Panajoti ka qenë në Jugosllavi ka shkruar disa herë në gazetën “Borba”, por jo me emrin e tij, të paktën siç thuhet në dokumentet e kohës. Në vitin ‘85 është botuar një libër me kujtimet nga dy gazetarë jugosllav. Kujtimet e Panajot Plakut, pretendojnë ata në hyrje të librit, sjellin një pasqyrë të zhvillimeve në Shqipëri nga lufta, deri në vitin që ai u arratis. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj…?

Informacionet, deri në vitin ’90-të, kanë qenë shumë të pakta për të mos thënë se nuk dinim asgjë, pasi babai ishte cilësuar si tradhtar i partisë dhe atdheut, armiku nr. 1 i socializmit. E vërteta është se, ishin shumë të paktë ata që na afroheshin, pale të na thoshin ndonjë gjë për Panajotin. Megjithatë, pak informacion kemi marrë nga disa persona, por ka qenë i vakët dhe jo i qartë. Pas 1990-ës, kam marrë në dorë librin e kujtimeve të tij botuar në Prishtinë në ‘85 dhe e kam lexuar me shumë vëmendje. Disa pjesë nga ky libër, janë botuar vitet e fundit edhe në shtypin e ditës. Kemi vënë re se një pjesë e materialeve të këtij libri, janë të vërteta përsa i përket gjendjes në Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Ndërkohë, kemi marrë vesh dhe jemi ndërgjegjësuar, se kush ishte babai ynë, në të vërtetë dhe me sa jemi njohur, ai nuk ka pasur asnjë tendencë pro jugosllave. Ai ka qenë gjithnjë për zhvillimin demokratik të vendit, gjithnjë në kontekstin e sistemit socialist. Gjithnjë me idealin komunist, me atë ideal që e shtyu t’i rreshtohet Lëvizjes Antifashiste, që në ditët e para të saj dhe të pranohej në radhët e PKSH-së. Ideale të pastra këto, për barazi dhe drejtësi për popullin.

Përqendroheni tek familja juaj. Ka një dritë-hije, ka disa pikëpyetje historia e vëllezërve Plaku, qoftë ajo që ka të bëjë me vdekjen e Kalos, në ’56-ën, qoftë ajo e Koços, që u akuzua e pushkatua në ’76-ën, me “Grupin e naftës”. Ndërkaq, flitet se e dyshimtë, është edhe vdekja e Panajotit, në vitin ’69-të. Çfarë dijenie keni ju, lidhur me këto?

Para disa kohësh, Liri Belishova, ka shkruar një artikull ku përmend edhe vëllain e madh, të Panajotit, Jorgo Plakun, i cili u vra në rrethana misterioze, gjatë Luftës. Ai ishte komandant i një njësiti me tre veta dhe e vranë pabesisht. U shpall “Dëshmor” në atë kohë. Bile në Hoçisht, shkolla e parë që u hap, mori emrin e tij. Më vonë, ndodhi vdekja misterioze e Kalo Plakut, për të cilën Panajoti, shprehu shumë dyshime. Ai nuk ishte asnjëherë i sigurt, që ekspertiza e dhënë nga zyrtarët, ishte e vërtetë dhe kërkoi t’i bëhej dhe një ekspertizë tjetër, rezultatet e së cilës, nuk u morën vesh asnjëherë.

Pastaj ndodhi vdekja e Panajotit në Jugosllavi. Vdekje, vrasje apo helmim?!

Asnjëherë nuk u tha e vërteta. Në atë kohë, Kryqi i Kuq Shqiptar ktheu mbrapsht kërkesën e Kryqit të Kuq të Beogradit, për të sjellë trupin e Panajotit në  Shqipëri. Erdhi më tej pushkatimi i Koços, me “Grupin e naftës”. U mbyll kështu “qarku” me vdekjen e tij. Të katër vëllezërit, vdiqën në kushte mizore. U eliminuan të katër. Urrejtja patologjike e diktatorit për familjen Plaku, i shfarosi që të gjithë. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura