Paguan 7 mijë euro për të rritur gjoksin, përfundimi…mjekët i gjymtojnë barkun

May 1, 2015 | 11:55
SHPËRNDAJE

Dy mjekë të një spitali privat në kryeqytet janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës të pandehur për akuzën “mjekim i pakujdesshëm”.

Prokuroria e Tiranës

Dosja penale ndaj mjekëve, njëri shtetas turk dhe tjetri shqiptar, është përfunduar së hetuari nga Prokuroria e Tiranës dhe është dërguar në Gjykatë pak ditë më parë.
Të dy mjekët, me iniciale H.G., shtetas turk dhe R.K., shtetas shqiptar, akuzohen se kanë kryer mjekim të pakujdesshëm ndaj një pacienteje nga Fieri.
Sipas hetimit, mësohet se 30-vjeçarja nga Fieri kishte kryer disa ndërhyrje në spitalin privat ku punonin dy mjekët, por pasojat kanë qenë krejt të kundërta me atë që i është premtuar.
“Rasti i dosjes ndaj dy mjekëve ka të bëjë me mjekimin e gabuar ndaj një pacienteje, e cila ka shkuar në spital dhe ka kërkuar zvogëlimin e barkut dhe zmadhimin e gjoksit”, thanë burimet e Prokurorisë.
Sipas tyre, gruaja, pasi ka kryer disa diagnostifikime mjekësore, i është nënshtruar ndërhyrjeve nga mjeku turk dhe ai shqiptar.
“Hetimi ka treguar se 30- vjeçarja nga Fieri ka paguar një shumë të konsiderueshme prej shtatë mijë eurosh për ndërhyrjen e bërë në trupin e saj”, thanë më tej burimet e Prokurorisë.
Sipas tyre, pak kohë pas kryerjes së ndërhyrjes dhe pasi pacientja kishte kryer pagesën, rezultatet kanë qenë të frikshme.
“Prej tri vitesh pacientja e dëmtuar po vuan pasojat e kësaj ndërhyrje të gabuar mjekësore, pasi nuk ka pasur rezultatet e kërkuara, por veç kësaj, ajo ka mbetur me shenja në gjithë trupin dhe më dëmtime shumë serioze në lëkurën e barkut”, kanë bërë me dije burimet e Prokurorisë.
Sipas tyre, e dëmtuara ka bërë kallëzim penal, ndërsa gjatë hetimit është marrë në pyetje pacientja dhe mjekët, ndërsa është kryer edhe një ekspertizë.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Prokuroria gjatë hetimit të çështjes, 30- vjeçarja ka pasoja të dukshme të përhershme në trupin e saj si pasojë e mjekimit të gabuar.
Për këtë arsye, në përfundim të hetimit të kryer, Prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzë ndaj dy mjekëve me iniciale H.G. dhe R.K..
Dosja penale ndaj tyre është dërguar në Gjykatën e Tiranës ditën e djeshme, ndërsa pritet hedhja e saj në short për të nisur më pas shqyrtimin gjyqësor të kësaj çështje.
Sipas hetimit të kryer nga ana e Prokurorisë, mjekimi i gabuar ka ndodhur në filialin e një spitali privat në Tiranë.
Pas shfaqjes së pasojave, 30-vjeçarja është ekzaminuar edhe jashtë Shqipërisë, por i kanë thënë se ndërhyrja që i është bërë ka qenë e gabuar dhe me pasoja të parikuperueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura