Pafillë

Apr 8, 2018 | 12:39
SHPËRNDAJE

Të mërkurën që shkoi, në gazetën “Mapo” avokati dhe analisti i njohur Spartak Ngjela botoi një shkrim të shkurtër, por fort interesant me titull “Koncesioni i Ramës për Rrugën e Kombit, abuzim sui generis”, në të cilin shpjegon qartë e saktë, përse rrugët publike të ndërtuara në vendin tonë nuk mund kurrsesi të bëhen objekt dhënieje me koncesion: te ne, ndryshe nga ç’ndodh në shtetet europiane, sidomos në Amerikë, nuk ka ende një ligj për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve!

tupja

Rrjedhimisht, për pasojë e pashmangësisht, zoti Ngjela arrin në përfundimin se po të mos e heqë duke e shfuqizuar koncesionin në fjalë, i cili nuk mbështetet në asnjë ligj të miratuar nga Kuvendi, Kryeministri “rrezikon një burg drastik”. Ky shkrim më bindi edhe më shumë përse, kur erdhi në pushtet në vitin 2013, zoti Rama nuk e emëroi zotin Ngjela ministër të Drejtësisë: avokati nuk i thotë kurrë derrit dajë dhe as kryeministrit elefant, çka e dëshmon edhe shkrimi i tij i sapopërmendur.

Gjithsesi, përshtypje më bënë gjatë leximit të këtij shkrimi, një sërë epitetesh fshikulluese që stigmatizojnë fuqishëm zotin Kryeministër, të cilët po i rendis me minikontekstin e tyre, siç janë shkruar nga autori: “Rama është një pafillë…”, “në fakt ky birbo…”, “ky kryeministër injorant…”, “ku e di ky derëzi e punëzi se…”, “E kupton dot këtë ky pafillë apo…”, “E di ky birbo që…”, “E di ky mësues vizatimi…”, ” E di mësuesi i vizatimit që…”, “E di ky mësues vizatimi se kurrë…”. Siç mund ta vërejnë lexueset e lexuesit e kësaj rubrike të së dielës, zoti Ngjela reagon emocionalisht, por në stilin e vetë Kryeministrit, i cili, po aq emocionalisht, në mos më shumë, na flladit me “batutat e tij” tashmë bajate, banale e madje, nganjëherë, gati vulgare. Megjithatë, për të qenë objektiv, do t’i thosha zotit Ngjela se epiteti “birbo” nuk i përshtatet fort personit të Kryeministrit Rama: po të hapim “Fjalorin e gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) do të konstatojmë se “birbo” është një term që ka dy kuptime: 1. njeri pa shtëpi e katandi; 2. njeri mendjelehtë dhe i shthurur. Mirëpo, me sa di unë, zoti Rama nuk është pa shtëpi e katandi, përkundrazi, mendohet se disponon një pasuri prej 200 milionë eurosh (të paktën sipas një raporti të OSBE-së të para disa viteve); nga ana tjetër, ai nuk më duket aspak mendjelehtë, përkundrazi mendja çfarë nuk i pjell e sajon për të arritur qëllimet e tij të mbrapshta apo “të mbara” qofshin ato. Të njëjtën gjë mund të themi për epitetin “derëzi”, sepse, gjithmonë sipas fjalorit të lartpërmendur, ky term ka kuptimin “që ka pasur shumë fatkeqësi, që i ka rënë zia në shtëpi; i mjerë, i shkretë”, ndërkohë që zoti Rama jeton si aga shkuar agait, si pasha shkuar pashait e si sheik shkuar sheikut! Kurse epiteti “punëzi”, i cili ka dy kuptime “i mjerë, fatkeq, fatzi” dhe “që nuk është i zoti për punë”, i përshtatet vetëm pjesërisht zotit Rama sepse, siç e shohim, vërtet që punët e Shqipërisë ai po i katranos, por të vetat e ato të puthadorëve të tij po i rregullon për mrekulli! Kurse, për sa i takon togfjalëshit “mësues vizatimi”, ironia e zotit Ngjela më duket një acid i vërtetë, që CV-ja e zotit Rama, dikur pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, nuk e meriton plotësisht.

Së fundi, por jo më së paku, le të vijmë te fjala “pafillë”, e përmendur dy herë nga zoti Ngjela. Ç’është e vërteta, më duhet ta falënderoj që më mësoi një fjalë të re, të cilën fjalori i lartpërmendur e shpjegon si vijon: “pafillë 1. teneqe: pafillë për vajgur. 2. gëzhojë e fishekut. 3. rrip teneqeje, dërrase, pëlhure etj.: i hoqi një pafillë. 4. velenxë e hollë njëfillëshe.” Me këtë fjalë, dikush mund të tjerrë metaforën që ilustron më së miri atë çka po ndodh me Rrugën e Kombit dhe taksën e paligjshme që kërkon të vendosë Kryeministri për gjithë përdoruesit e saj: 1. një pafillë për vajgur, domethënë një teneqe për vajgur… për naftë… për benzinë… benzinë pa plumb… (plumb për kë?)… 2. gëzhojë e fishekut… fishek në pajë… (në pajën e kujt?)… 3. rrip dërrase… një dërrasë mangut (kush kështu?)… rrip teneqeje… Ah teneqja, teneqja, ja ku na doli sërish kjo fjalë, çka nuk mund të jetë rastësi. Por çfarë na mëson “Fjalori i gjuhës shqipe” për këtë fjalë? Le ta hapim atë. Pa shiko, shiko, ç’shprehje interesante gjejmë atje që, në dritën e shkrimit të zotit Ngjela, ndonjë mistreci të pandreqshëm mund t’i duken si të krijuara enkas nga populli për zotin Rama: “teneqe e shpuar”, d.m.th. “njeri që i lëshon fjalët pa menduar”; “i bie teneqesë”, d.m.th. “flet kot më kot, i bie legenit”; “i varën (i vunë) teneqenë”, d.m.th. “e tallën para të gjithëve, e vunë në lojë; e dëbuan, e ndoqën duke e tallur”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura