Pa mësuar ende abetaren, Bora Muzhaqi në Kuvend: Fëmijët do mësojnë kodimin e programeve që në klasë të parë

Apr 11, 2022 | 22:10
SHPËRNDAJE

Ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi deklaroi sot në Kuvend se dy janë politikat ku qeveria do të mbështetet për t’u ofruar të rinjve një të ardhme të sigurt. Ajo tha se e para është përfshirja e kodimit si lëndë që në klasë të parë.

Ajo u shpreh se në fillim të vitit të ri shkollor, 100 shkolla në vendin tonë do të pajisen me laboratorë teknologjikë ku theksoi se fëmijët e klasës së parë do të mësojnë kurrikulën e kodimit.

“Orientimi në shkenca do u ofrojë të rinjve një të ardhme më të sigurt. Politikat në këtë fushë janë dy. E para është përfshirja e kodimit që në klasë të parë dhe e dyta që lidhet me ofrimin e bursave për të rinjtë.

Fillimin e vitit të ri shkollor 100 shkolla në të gjithë Shqipërinë do pajisen me laboratorë teknologjikë të rinj. Fëmijët e klasës së parë do mësojnë kurrikulën e kodimit. Këta fëmijë bashkë me ata që ndjekin kodimin si lëndë ekstra kurrikulare do jenë ata që do hapin rrugën për Shqipërinë e teknologjisë për të konkurruar në mënyrë të denjë me bashkëmoshatarët europianë”, u shpreh Bora Muzhaqi.

Por si funksionon kjo strategji dhe në çfarë klase duhet të futet kodimi në shkolla

Në një artikull të “The Wall Street Journal” dy të viteve më parë, flitet për strategjinë e disa shteteve për të treguar aftësi në lëndë të caktuara për t’u diplomuar, ku përmendet mundësia e përfshirjes së kodimit si lëndë në shkolla.

Sipas “WSJ” pothuajse 20 shtete kanë miratuar legjislacionin që parashikon që shkollat publike t’i bëjnë klasat e shkencave kompjuterike të aksesueshme për nxënësit e shkollave të mesme.

Të dhënat janë marrë nga Code.org, një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga investitorët e teknologjisë që thotë se kodimi dhe aftësitë e tjera kompjuterike duhet të shihen si thelbësore në shekullin e 21-të.

Prof. Robert Sedgeëick në Universitetin Princeton argumenton se aftësia në kodim është e nevojshme për studentët dhe shoqërinë në shekullin e 21-të.

Çfarë është kodimi

Kodimi në thelb është gjuha kompjuterike për të zhvilluar aplikacione, faqe interneti. Pa të, nuk do të kishim asnjë nga teknologjitë më të mëdha që përdorim sot në përditshmëri.

Një nga degët e kodimit është programimi që përdoret për të shkruar kodin që duam. Disa nga formatet e programit janë: html, css, microbit, screch, etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura