Operacioni për lirimin e plazheve, Çela ironizon: Plotësuam një nga kushtet e BE-së, mesazh për krimin e organizuar

Jun 30, 2021 | 13:05
SHPËRNDAJE

arditcela-policia

Kandidati për deputet i LSI-së, Ardit Çela ka reaguar lidhur me operacionin e ndërmarrë nga policia e shtetit për të liruar hapësirën në vijën bregdetare.

Përmes një postimi në rrjete sociale, ai ironizon këtë aksion duke e cilësuar si një operacion të rëndësishëm në kuadër të plotësimit të kushteve për integrimin në Bashkimin Europian.

Çela shkruan se se numri i çadrave të hequra nga tokat e zaptuara është më i larti në 30 vite dhe se është një mesazh i rëndësishëm drejtuar krimit të organizuar.

“Operacion i rëndësishëm në kuadër të plotësimit të kushteve për integrimin në BE. Shifrat flasin vetë. Numri më i madh i çadrave të plazhit të hequra në 30 vite. Pritet reagimi nga partnerët tanë ndërkombëtar për të përgëzuar fuqinë goditëse të strukturës sonë ligjzbatuese! Mesazh i rëndësishëm drejtuar krimit të organizuar: Nuk do keni çadër plazhi ku të futeni dhe shezlong ku të shtriheni” – shkruan Çela.

Duke filluar nga mëngjesi i sotëm, pas ultimatumit të dhënë nga kryeministri Rama një ditë më parë, ka filluar një operacion përgjatë vijës bregdetare për lirimin e hapësirës së plazheve të zaptuara padrejtësisht nga bizneset.

Deri më tani janë kryer kontrolle në Velipojë, Durrës, Shëngjin, Sarandë dhe Divjakë ku janë konstatuar disa shkelje e për pasojë janë hequr disa shezlonge dhe çadra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura