Opera përuron “arTurbinën” me një vaj nga Dvorzhak

Sep 11, 2018 | 12:45
SHPËRNDAJE

Me një vepër vaji, që kompozitori Antonin Dvorzhak ua kushtoi fëmijëve të vdekur, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, është i pari që do të shkelë në skenën e re të “arTurbinës” për këtë sezon artistik. Që në ditën e përurimit të kësaj qendre të re artistike, e cila do të bëhet streha e institucioneve në “tranzicion” (ambientet e TKOBAP janë në rikonstruksion, ndërsa Teatri Kombëtar është në zhvendosje e sipër), TKOBAP ka vënë shenjën e vet në këtë hapësirë. Ishin artistët e TKOBAP ata që me disa numra të zgjedhur, “prenë shiritin” e investimit të ri të qeverisë shqiptare.

Dirigjentja Arlinda Majollari
Dirigjentja Arlinda Majollari

Dhe tani, është i pari që hap sezonin në skenën e re, duke i “paraprirë” institucionit tjetër “rival”, me të cilin do të duhet të fqinjërojë dhe të ndajë hapësirat e përbashkëta (pa llogaritur edhe Teatrin Ekperimental). Me sa duket, paska qenë e thënë që skenat teatrore, më së pari, të pagëzohen me aktivitete koncertore e operistike, ashtu si ka ndodhur më shumë se gjysmë shekulli më parë, me godinën e vjetër të TKsë.

1

Madje, disa ditë më parë, ambasada turke në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, Ministrinë e Kulturës shfaqën në “arTurbina” recitalin e pianistes Idil Biret, ku u interpretuan pjesë nga Bach, Handel, Beethoven, Chopin. Ndërkaq, në ambiente paralele Teatri Kombëtar po zhvillon prova për komedinë, me të cilën do të hapë sezonin artistik, “Tag”, shkruar nga Bashkim Hoxha, me regji të Andia Xhungës dhe një kast të zgjedhur aktorësh.

HAPJA E SEZONIT

“Ky sezon artistik do të mbahet mend gjatë për ritmin e ngjeshur të shfaqjeve dhe për larminë e zhanreve që do të sjellë. Nisim këtë sezon artistik në skenën e re që i është shtuar tashmë Tiranës, “arTurbina”. “arTurbina” do të jetë një tjetër skenë suksesi e TKOB, duke e nisur mbarë rrugëtimin tonë artistik për sezonin e ri. Koncerti i parë, “Stabat Mater” nga A.Dvorzhak, i dedikohet publikut tonë besnik, i cili përgjatë gjithë sezoneve tona artistike, ka mbushur sallat ku kemi dhënë shfaqje, ka dhuruar duartrokitje të zjarrta, duke rritur në maksimum emocionet tona”, njofton Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.

Për këtë shfaqje të parë të sezonit, TKOBAP ka menduar t’i ketë dyert e hapura për publikun. “Jo rastësisht këtë koncert vendosëm ta bëjmë të hapur për publikun, pa biletë, si një formë falënderimi për të gjithë spektatorët që na ndoqën në çdo skaj të Shqipërisë”, shton TKOBAP, duke ftuar publikun të jetë pjesë e këtij celebrimi të nisjes së kalendarit artistik shtator-dhjetor 2018 në skenën e madhe të “arTurbina”.

VEPRA

TKOBAP hap sezonin artistik me “Stabat Mater”, si një vepër elitare dhe një nga veprat më të famshme dhe më shpirtëroret të kompozitorit çek Antonin Dvorzhak. Kompozimi i kësaj vepre ka ardhur si reagimi i kompozitorit ndaj vdekjes së të bijës, Josefa. Skica e parë është shkruar mes 19 shkurtit dhe 7 majit 1876 dhe i dedikohet František Hušpauer “si një kujtim mikut të viteve të rinisë”. Kompozitori e la mënjanë veprën për t’iu rikthyer ripunimit dhe stilizimit të saj në vitin 1877, kur dy fëmijë të tij ndahen nga jeta brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore nga njëri-tjetri.

Versioni përfundimtar është shkruar mes fillimit të tetorit dhe 13 nëntorit 1877 në Pragë. “Stabat Mater” është e para vepër e Dvorzhak me temë religjioze. Ajo është e strukturuar në 10 pjesë, ku vetëm e para dhe e fundit janë të lidhura në mënyrë tematike. Performanca e parë njihet ajo e 23 dhjetorit 1880 në Shoqatën e Muzikantëve në Pragë. Për të ngjitur këtë vepër në skenë, TKOB ka ftuar dirigjenten Arlinda Majollari, e cila i bashkohet trupës së korit të TKOB, dirigjentit Dritan Lumshi, pianistes Etrita Ibrahimi dhe solistëve Vikena Kamenica, Denis Skura, Marina L. Kurti dhe Xhieldo Hyseni.

TKOBAP nuk shkon me pushime

Edhe pse TKOBAP njofton hapjen e sezonit artistik në datën 13 shtator, nuk mund të thuash realisht se ky institucion ka “pushuar” këtë vit, siç ka ndodhur rëndom. Drejtoresha e TKOBAP, Zana Çela, i veshi artistët në xhins dhe i nxori jashtë kryeqytetit. Një koncertet e mirëpritura në Tiranë, “Opera on jeans” udhëtoi drejt qyteteve bregdetare, në Vlorë e në Durrës ku patën të njëjtën pritje nga publiku i këtyre qyteteve; trupa e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve u ngjit në Llogora me koncertin e 60-vjetorit të krijimit, ndërsa me një program të pasur këngësh e vallesh, artistë të Ansamblit, por edhe Operës udhëtuan drejt “Sokakut të të marrëve” në Gjirokastër, për ta përcjellë më tej këtë frymë në Sarandë, në Himarë, etj., balerinët çuan baletin kontemporan në Vlorë e Butrint, duke thyer konceptin e një kalendari të “ngurtë” që hapet e mbyllet në Tiranë, por duke shkuar më pranë njerëzve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura