Nuk ishte në festë me skuadrën, Mbape trondit PSG-në/ Ylli francez takim me Al Khelaifin, Perez do të bëjë ofertën

Aug 17, 2021 | 12:39
SHPËRNDAJE

Kilië Mbape vazhdon i sigurt në rrugën e tij drejt “Santiago Bernabeu”-t. Sulmuesi francez është në një moment delikat në skuadrën e PSG-së. Al Khelaifi ishte ai që doli garant për të marrë nën kontroll bisedimet për rinovimin e kontratës, por këto diskutime mund të ndryshojnë në mënyrë radikale. Nga kërkesa për një kontratë të re, mund të kalojmë shumë shpejt në kërkesën për një skuadër të re.

Mbape

Sulmuesi francez ka refuzuar çdo ofertë që ka pasur në tavolinën e tij dhe ditën e djeshme ka bërë një tjetër lëvizje të rëndësishme. Sipas emisionit sportiv “El Chiringuito” ai ka planifikuar të takojë presidentin nga Katari për t’i konfirmuar se dëshiron të largohet nga PSG-ja dhe që ai të nisë bisedimet me Realin e Madridit.

E bëri diçka të tillë me një ton pozitiv, pa kërcënime dhe me mirëkuptim. “Gazzetta dello Sport” publikoi disa ditë më parë se Mbape do të dilte me një konferencë ditën e hënë, por në fakt ka qenë vetëm takimi mes palëve. Nuk përjashtohet mundësia që kampioni i botës të transferohet që në këtë merkato në Madrid, edhe pse ekipi francez do të bëjë rezistencë për ta mbajtur.

Colourful_Italy_Facebook_App_-_2021-08-16T100722.279

MUNGESA – I çuditshëm ishte fakti që Kilië Mbape nuk ndodhej në festën e ditëlindjes së Ander Herrerës. Skuadra franceze ishte mbledhur për të festuar ditëlindjen e lojtarit spanjoll dhe Mbape ishte mungesa e madhe. Kjo gjë tërhoqi vëmendjen e tifozëve dhe të mediave, të cilat kanë nisur të aludojnë se e ardhmja e tij është larg Parisit.

OFERTA – Reali i Madridit po mendon seriozisht që të bëjë një ofertë 120 milionë euro për Mbapenë, i cili gjithashtu nuk e ka pëlqyer aspak transferimin e Lionel Mesit në Paris. Pavarësisht se në rrjetet sociale i ka dhënë mirëseardhjen, e vërteta është që u zhgënjye dhe mendon se presidenti e transferoi për t’i bërë presion.

Për këtë arsye ka shtuar bisedimet me Realin e Madridit në mënyrë që këta të fundit ta kënaqin dhe ta transferojnë menjëherë në kryeqytetin spanjoll. Florentino Perez po mendon që të bëjë një ofertë 120 milionë euro duke ditur që futbollisti është lojtar në skadencë dhe vitin e ardhshëm mund të transferohet si futbollist i lirë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura