“Nuk është një rrugë e lehtë dhe e rehatshme siç duket nga jashtë”- Ambasador Dashnor Dervishi: Diplomat nuk ju bëjnë gradat, por…

Mar 8, 2021 | 15:03
SHPËRNDAJE

dashnor dervishi

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit, ka veçuar rolin dhe kontributin e femrës në diplomaci, që prej vitit 1929, kur u miratua edhe ligji i parë i shërbimit të jashtëm në Shqipëri.

“Jo vetëm që janë pjesa dërrmuese e punonjësve të kësaj ministrie janë gra dhe vajza, por disa prej misioneve tona më të rëndësishme drejtohen prej grave: Roma, Athina, Brukseli, Uashingtoni. Misioni ynë në Kombet e Bashkuara drejtohet nga gra dhe drejtohet me shumë sukses. Dhe jam krenare që së shpejti kur Shqipëria të marrë vendin e saj jo permanent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një nga prioritetet e misionet tonë pranë Këshillit të jenë pikërisht gratë ose më saktë axhenda e grave e paqes dhe sigurisë”, deklaroi Xhaçka.

Ambasadori i mirënjohur Dashnor Dervishi, i cili është dhe mentor i diplomatëve të rinj, në fjalën e tij vuri theksin tek rruga e diplomacisë e cila tha se nuk është aspak e lehtë.

Sipas ambasadorit, diplomat të mirë nuk të bëjnë as gradat dhe as misionet në kryeqytetet e botës.

“Nuk është një rrugë e lehtë dhe e rehatshme ashtu siç duket nga jashtë. Nuk mjafton të mbarosh kursin dhe ta quash veten diplomat, mbarimi i kursit është vetëm hapi i parë i maratonës suaj të gjatë, që ju pret në shërbimin e jashtëm të vendit tonë.

Diplomatë nuk ju bëjnë as gradat e as kryeqytetet e rëndësishme ku mund të emëroheni.

Diplomat të bën vetëm përkushtimi, dashuria për Atdheun dhe familjen dhe praktika diplomatike nëpërmjet kontakteve. Një diplomat mund të zbukurojë por kurrë nuk mund të gënjejë”,-u shpreh ambasadori Dashnor Dervishi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura