Nuk do të jem kandidat për kryeministër

Dec 30, 2012 | 9:35
SHPËRNDAJE
Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. “Një gjë është e sigurt, se PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet edhe në mandatin tjetër, por unë nuk dua të jem kandidat për kryeministër”, ka thënë Thaçi.

Kreu i Ekzekutivit të vendit dhe i Partisë Demokratike të Kosovës nuk e ka mohuar mundësinë që Kadri Veseli të jetë kandidati i mundshëm i PDK-së për kryeministër të vendit. “Z. Veseli dhe një pjesë e madhe e lidershipit të PDK-së kanë kapacitete të fuqishme për udhëheqje, ekzekutive, presidenciale dhe legjislative. Kyçja e z. Veseli në PDK paraqet energji dhe kreativitet organizativ dhe ideor për realizimin e qëllimit dhe vizionit evropian për PDK-në – Kosovën evropiane”, ka thënë Thaçi në një intervistë për “Epoka e re”.

Kryeministri Thaçi, ka thënë se beson se AAK-ja do të jetë pjesë e kësaj qeverie. “Unë besoj se po. Ekziston vullnet i dyanshëm për partneritet qeverisës”, ka thënë Thaçi.

Thaçi, ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të ia lëshoi askujt postin e kryeministrit. “Mendoj se të gjithë qytetarët e dinë realitetin në Kosovë. Gjithashtu, edhe gjithë faktori ndërkombëtar e di realitetin në Kosovë. Secili do të vlerësohet sipas fuqisë politike. Kjo çështje nuk është punë e muhabeteve private, por parimore dhe e legjitimitetit qytetar. AAK-ja mendoj se mund të gjejë hapësirë meritore në kuadër të Qeverisë së Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Duke folur për ofertën e Haradinajt, ai ka thënë se askush askujt nuk mund t’i bëjë kushtëzime, kurse partneritetet janë vullnete të partive politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura