Noli-Zogut: Jam larguar nga politika, më lidh një pension

Feb 4, 2013 | 13:08
SHPËRNDAJE
Fan S. Noli

Zbulohet letërkëmbimi mes dy figurave historike.

“Më përkrahni financiarisht për të vazhduar studimet e muzikës. Më duhen nja 5 mijë USD”

Në vitin 1942, Mbreti në mërgim i shkruan “mikut të vjetër”
Zogu i shtrin dorën Nolit: Të krijojmë një qeveri
.

Si dy kundërshtarë politikë, është e njohur marrëdhënia konfliktuale mes Fan S. Nolit, udhëheqës i revolucionit të qershorit 1924 dhe Ahmet Zogut, Mbret i Shqipërisë. Megjithatë, në këtë rrugë të gjatë sulmesh të ndërsjella ka pasur momente kur të dyja palët i kanë shtrirë dorën njëra-tjetrës. “Një politikë elastike” e quan studiuesi Nasho Jorgaqi. Këtë na e tregojnë më qartë vetë letrat që këto dy figura të rëndësishme të historisë së Shqipërisë i kanë dërguar njëri-tjetrit, apo të tretëve. Në veprën më të fundit kushtuar Nolit, “Letërkëmbimi i Fan Nolit”, botuar nga “Erik” dhe përgatitur nga Nasho Jorgaqi, ofrohen qindra letra që Noli ka dërguar e ka marrë. Mes tyre, edhe disa letra mes Zogut dhe Nolit. Përmes tyre duken zigzaget e marrëdhënies mes tyre. Kështu, në vitin 1929, në një letër që Noli i dërgonte sekretarit të Lidhjes së Kombeve, e quante Ahmet Zogun “xhelat” dhe “vasal të italianëve”. Kanë kaluar tashmë 8 vjet kur Noli i dërgon Zogut Mbret një kërkesë për pension e për ndihmë financiare. Një vit më vonë, ai i shkruan Mbretit e njëkohësisht (në të njëjtën ditë) edhe Mbretëreshës Geraldinë, që të ndërhyjë tek i shoqi, për ta ndihmuar që të vazhdojnë studimet për muzikë e për këtë i duhen nja… 5 mijë dollarë… Disa vite më vonë, në vitin 1942 do të jetë vetë Zogu në mërgim, që i shkruan Nolit, si një “mik i vjetër”, që të mbledhin forcat e të krijojnë “një qeveri të bashkimit të shenjtë”. Por nga sa u dëshmua vetëm 2-3 vjet më vonë, Noli do të përshëndeste me zjarr Forcat Nacionalçlirimtare, me shpresën se tashmë populli do të merrte në dorë fatet e veta.              al.mi

Ahmet Zogu

Letër e Ahmet Zogut
I dashur mik Mgr.Fan S. Noli në Romë
Që sapo mora letrën e parë të Z.s’uaj, i pagova të hollat të zot të shtëpis edhe shërbëtorit t’uaj ashtu siç më shkruanit në letër, dyke ju marrë dëftesat e duhura.
Sa për punën e mobillavet, kemi pyetur në Doganën e Durrësit, por as gjësendi nuk ka ardhur. Gjithashtu edhe për të quajturin Nasi Laze kam për të bërë hetime ku është arrestuar, se këtu në Tiranë nuk ndodhet një emër i atillë.
Gëzohem që kurdoherë të jini mirë edhe që përsëçpejti u bashkofshim këtu.
Dyke ju çuar përshëndetjet e mija, mbetem
Juaji me besë.
Zogu
Tiranë 15-VII-922

Sekretariatit të Lidhjes së Kombeve
Gjenevë
1 qershor 1929
Në emër të Komitetit të Çlirimit Nacional protestoj me zemërim kundër dorëzimit të refugjatit politik shqiptar Haki Stërmillit, prej autoriteteve jugosllave në duart e xhelatit Ahmet Zogu. Dorëzimi i një shqiptari prej provincave shqiptare që ndodhen nën dominantën serbe është një akt që s’u ka hije popujve të qytetëruar. Si në vëngjillin e çdo vepre tradhtie, Ahmet Zogu do ta dënojë me vdekje Stërmillin për të terrorizuar popullin e për të shtypur çdo kundërshtim për koncesionet e reja skandaloze që iu bënë Italisë fashiste me rastin e vizitës së Grandit. Lutem të bëni hapat e duhur për të shpëtuar jetën e Stërmillit, që i vetmi krim i tij ka qenë të denoncuarit në shtyp të tradhtive të vasalit shqiptar të Musolinit.
Ish kryeministri i qeverisë shqiptare: Fan Noli

Kopertina e librit “Letërkëmbimi i Fan Nolit

Letër Ahmet Zogut
Shkurt 12,1937
Lartmadhëni,
Me anën e kësaj letre dua t’ju lutem përunjësisht t’a autorizoni Sinodin e Shenjtë të më japë një shërbim në Kishën orthodhokse Autokefale të Shqipërisë, se roga që marr këtu është e vogël dhe e parregulltë, dhe jetesa ime po bëhet dita më ditën më e rëndë dhe më e mërzitur. Nga ana tjatër, ju përsërit lutjen të porositni Qeverinë të më caktonjë një pension dhe të më dërgonjë një ndihmë gjersa të votohet pensioni.
Me këtë rast, bënj të njohur se që më 1932 kam qëndruar striktërisht jashtë politikës, dhe çdo lajmë e kundërt është çpifje e armiqve personalë, midis të cilëve më vjen keq të numëroj edhe Z-in Faik Konica.
Dyke shpresuar se lartmadhënia juaj, me shpirtmadhësinë që Ju karakterizon, do të merrni para sysh lutjet e mia.
Mbetem, uronjësi juaj me Perëndinë.
(pa emër)

Letër Mbretit Zog
Lartmadhëri,
Me anën e kësaj letre vinj t’i lutem Larmadhërisë Suaj të më përkrahni financiarisht për të vazhduar studimet e muzikës në fushën e së cilës do t’i shërbenj atdheut në mënyrën që i ka shërbyer Franzs Liszt-i Hungarisë. Për këto studime më duhen posht e lartë nja 5 mijë dollarë, sipas çkoqitjeve të dhëna nga një listë të mbyllur këtu brenda. Gjithashtu këtu brenda L.J. do të gjeni programin e Konservatorit të këtushëm me provën e padyshimtë që meritonj çdo përkrahje në fushën e muzikës.
Me shpresë që Lartmadhësia juaj, si protektor i arteve të bukura, do të më dërgoni këtë shumë me kohë për të nisur punën nga fundi i gushtit. Mbetem Uronjës përpara Perëndisë për Lartmadhërinë Tuaj.
F.S. Noli
Boston, Mass. Qershor 25,1938

Letër Mbretëreshës
Geraldina
Lartmadhërisë Saj
Mbretëreshës
së Shqiptarëve në Tiranë
Lartmadhëri,
Me anën e kësaj letre vinj t’i lutem Larmadhërisë Suaj të nërmjetësoni pranë Lartmadhërisë së Tij, mbretit të Shqiptarëve, që të më përkrahë për të vazhduar studimet e muzikës në fushën e së cilës do të përpiqem t’i shërbenj atdheut pas mënyrës së Franzs Liszt-it, i cili immatalizoj këngët popullore të Hungarisë me rapsoditë e tij. Këtu brenda Lartmadhëria Juaj do të gjeni programin e Konservatorit të këtushëm, ku figuron në krye Overtura bizante e ime, e cila është një provë e mjaftë që meritonj çdo përkrahje në këtë fushë.
Me shpresë që Lartmadhësia juaj sipas traditës së Derës suaj, e cila ësht’e lidhur me muzikën do të merrni parasysh këtë lutje.
Mbetem Uronjës përpara Perëndisë për Lartmadhërinë Tuaj
Boston, Mass. 25 Qershor 1938

Anetaret e qeverise shqiptare ne vitin 1922, mes tyre Fan Noli dhe Ahmet Zogu

Letër e Ahmet Zogut
25 maj 1942
Parmoor
Henley on Thames
I dashur mik,
I kam lexuar me vëmendje disa numra të “Diellit” që më janë dërguar. Nuk po ndalem te sulmet që ju vetë i dini se janë të padrejta. Jam i kënaqur që shikoj se përkrahni nevojën e ngutshme të një bashkimi të shenjtë midis shqiptarëve. Por nuk mendoj se ata do të mund të realizonin nëpërmjet një komiteti ose organizatave të tjera private. Sigurisht që çdo iniciativë private e organizuar për luftën për çlirimin e vendit tonë duhet inkurajuar. Por iniciativa të tilla nuk mund të na ndihmojnë për të arritur rezultatin më të mirë të kësaj lufte. Me “komitete” ne rrezikojmë të ndodhemi përpara Konferencës së ardhshme të Paqes në të njëjtin pozicion ku u gjendëm pas luftërave ballkanike dhe botërore, d.m.th. nëpër korridore.
Kam arsye të besoj se është momenti i përshtatshëm për t’u përpjekur të organizojmë shtetin shqiptar, ashtu siç është tashmë i njohur nga shumë fuqi neutrale dhe aleate; me përjashtim të grekëve dhe jugosllavëve, të gjitha qeveritë e tjera i janë përgjigjur zyrtarisht dhe me simpati qarkores që ne iu kemi dërguar duke përcaktuar pozitën e vendit tonë në këtë luftë; një burrë i madh shteti siç është presidenti Roosvelt e vlerësuar dhe e ka marrë në konsideratë, si këtë notë ashtu dhe bashkimin tonë me Deklaratën e Uashingtonit të 1 janarit 1942. Pra, pozita jonë në fushën ndërkombëtare është e fortë. Duhet ta përdorim atë për t’u organizuar në mënyrë që të mbrojmë interesat e vendit tonë që gjendet në rrezik. Qysh tani disa shovinistë grekë po kërkojnë Korçën dhe Gjirokastrën; pozita e tyre do ishte më e fortë në qoftë se për fajin tonë, ata do të kishin mundësi të pretendonin se nuk ekziston një shtet shqiptar dhe, si rrjedhim, të kërkonin që krijimi dhe përcaktimi i kufijve të tij të bëhet “ex novo”.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, mendoj se ne duhet të formojmë një qeveri të bashkimit të shenjtë dhe jam i gëzuar të përdor të drejtat që më jep kushtetuta e vendit tonë për të krijuar këtë qeveri, e cila do të përpiqej për pranimin e Shqipërisë në Aleancën Demokratike, duke i siguruar kështu një vend midis fitimtarëve. Mendoj se 4-5 persona do të mjaftonin për ta formuar atë; në krah të saj ne mund të krijonim një këshill prej 10-12 personash, të zgjedhur lirisht nga kolonitë tona në Amerikë, Turqi dhe Egjypt, duke vepruar si përfaqësi kombëtare deri në çlirimin e Shqipërisë; disa funksionarë diplomatikë dhe të tjerë do ta plotësonin më tej këtë instrument të domosdoshëm për një punë sistematike dhe të vendosur. Mbetet financimi i këtij plani. Do të doja të isha po aq i pasur sa më kujtoni. Ndonëse nuk jam, mund ta merrja përsipër të financoja këtë plan me aq sa mundem gjatë dy vjetëve. Gjatë kësaj kohe kjo qeveri e bashkimit të shenjtë do t’u tregojë bashkatdhetarëve tanë dobinë e saj nëpërmjet një pune të vendosur dhe të zhveshur nga të gjitha intrigat; Prandaj, jam i sigurt se, si në të kaluarën, ne do të jemi të gatshëm të kontribuojmë në mbarëvajtjen e saj.
Ja idetë dhe propozimet e mia konkrete. Në qoftë se jeni të një mendjeje ju propozoj:
1. Të më dërgoni një telegram duke më konfirmuar pëlqimin tuaj.
2. Të më thoni në këtë telegram nëse mund të më dërgoni, me shpenzimet e mia, ndonjë nga ju aty për të rregulluar të gjitha detajet; përndryshe, megjithë vështirësitë, do të përpiqesha t’u dërgoja ndokënd prej këtej.
3. Të më shkruani një letër personale duke më dhënë idetë dhe vërejtjet tuaja, në qoftë se do të keni, mbi personat që eventualisht do të mund të ngarkoheshin me këtë punë.
Tani ka ardhur koha që të veprojmë shpejt; për këtë arsye po ju dërgoj këtë letër në dy kopje, një me avion dhe një tjetër me postë të zakonshme, dhe po e shkruaj në frëngjisht për të evituar vonesat e kontrollit.
Po jua përsëris se dëshiroj të bashkëpunoj edhe një herë me një mik të kohëve të shkuara për çlirimin e vendit tonë.
Duke pritur një përgjigje të shpejtë po ju dërgoj, i dashur mik, përshëndetjet e mia më të mira.
Zog.

Noli, letër Hitlerit:
Shpëtoni profesor Joklin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura