“Njësoj si hrushovianët vjell vrer kundër Stalini”- Zbardhet ditari i Enver Hoxhës: Autokritika e Hito Çakos, një manovër pa kripë për të fshehur fajet!

Apr 11, 2022 | 14:28
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ I thirrur nga Ramiz Alia dhe Hysni Kapo, dy bashkëpunëtorët më të afërt të Enver Hoxhës në fundgushtin e ‘74, Hito Çako, ish-drejtori politik i ushtrisë, për herë të parë e pranon se pa dashje ka gabuar që ka shpërndarë në repartet e ushtrisë materiale politike të revizionistëve sovjetikë.

enver hoxha

Pastaj, reflektimi përpara dy sekretarëve të KQ të Partisë, sipas porosive të këtyre të fundit, është shtjelluar në një autokritikë të zgjeruar që gjenerali i zënë në faj ia ka adresuar të nesërmen kreut të regjimit. “E tëra është mashtrim dhe një manovër pa kripë për të fshehur fajet e rënda”. Njëherazi me shpërfilljen për ndjesën e hedhur në letër, Enver Hoxha në shënimet e datës 18 shtator ‘74, i bën një analizë shteruese, sipas optikës së tij, tërë aktivitetit armiqësor e antiparti të Hito Çakos.

Fillimisht argumenton qasjen joparimore e shfajësuese të drejtorit politik të ushtrisë, i cili pretendon se është viktimë e mashtrimit të Beqir Ballukut dhe e qëndrimit oportunist e indiferent të Petrit Dumes, asokohe kandidat i Byrosë Politike dhe shef i shtabit të Përgjithshëm dhe i gjeneralëve të tjerë: Sadik Bekteshi, Rrahman Perllaku, Halim Ramohitoja e të tjerë. Në vijim, Hoxha e kryqëzon Çakon sikundër dhe Ballukun e të tjerët, se në kohën kur kanë mbyllur në kasafortë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, kanë mbushur ushtrinë me materiale revizioniste dhe kjo sipas tyre “ishte normale, ishte normë”.

E mërkurë 18 shtator 1974

Hito Çakoja gjoja bëri një autokritikë me shkrim dhe këtë ia kërkuan shokët e Parisë, ia kërkoi edhe Mehmeti, se me siguri nuk do ta bënte. Pasi na i dërgoi, e lexova.

E tëra është mashtrim dhe një manovër pa kripë për të fshehur fajet e rënda. Flet gjoja me naivitet dhe me thjeshtësi, por plotë dinakëri dhe hipokrizi. Kryesorja për të “fajin e kanë të tjerët; Beqir Balluku që i gënjeu, që i mashtroi etj., etj.”

E dyta, “për fajet e tij ka përgjegjësi dhe bën bashkëfajtor Petrit Dumen (sigurisht, pse ky është kandidat i Byrosë Politike dhe lë të kuptojë që duhej ta frenonte në gabimet e tij)

Bashkëfajtorë në gabimin e tij “Janë edhe anëtarët e tjerë të KQ në ushtri: Sadik Bekteshi, Rrahman Parllaku, Halim Ramohitoja etj”. Si i vë mirë pikat mbi I, duke e shpërndarë dhe dozuar mbi të tjerët fajet e tij, Hito Çakoja thotë se “ka gabuar, por duke u udhëhequr nga materialet revizioniste sovjetike dhe duke i futur këto në Parti dhe në ushtri, ka gabuar me besim se bënte mirë, se kështu ishte gjendur, se kështu e vazhduan edhe pas 1960, se kështu e aktivizuan edhe pas 1967 dhe deri dje” Për Hito Çakon kjo “ishte normale, normë”. Hito Çako thotë se “fajin e kemi ne, ushtarakët dhe unë, Hitoja personalisht, pse kemi pas bërë akademitë ushtarake sovjetike, na kishin mbetur plehra revizioniste në kokë (këtu flet pa dashur dhe gjoja mbrohet, por në fakt vetakuzohet, pse njësoj si hrushovianët vjell vrer kundër Stalinit), plehra të tjera na u shtuan më vonë”.

Kështu, fut në një thes me veten e vet të gjithë kuadrot e ushtrisë që kanë mbaruar shkollat ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Ç’provokator!

Pasi i thotë këto, i bie gjoksit, se “ai ka ndjekur me besnikëri vijën e Partisë dhe mësimet tuaja, shoku Enver, dhe ushtria jonë ka arritur rezultate të shkëlqyera, kolosale etj., etj.”. Me këto ai do të thotë se ‘jemi ne që i kemi bërë këto mrekullia’, pavarësisht se kemi bërë mutësira dhe tradhëtira. Dhe që t’i qëndrojë besnik lojës së tij të gënjeshtarit antiparti, ai thotë se “dje i pa këto gabime, kur ia vunë në dukje shokët Hysni dhe Ramiz”. Bën edhe budallanë! Hito Çako erdhi si drejtor politik i ushtrisë, në mos gabohem, në 1967. Ç’thotë ai në autokritikën e famshme? Thotë kështu: “Më 1967, kur dolën Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, filloi në ushtri një luftë e rreptë kundër pikëpamjeve revizioniste etj.”.

E para, më 1967, Hito Çakoja, Beqir Balluku dhe disa të tjerë nuk filluan luftën kundër revizionistëve, por kundër tezave të Këshillit të Mbrojtjes, luftë që shkoi kreshento, deri sa u zbulua qelbësira. Këta i fshehën në sirtar tezat, i shtypën 250 kopje gjoja se ruanin sekretin që do të thotë në gjuhën e vërtetë “të mos marrë dijeni ushtria, për të cilën ato janë bërë”. Kurse në këtë kohë, ushtria u mbulua me materialet revizioniste dhe kjo “ishte normale, ishte normë”, thotë Hito çakoja. Gjatë kësaj kohe, Beqir Balluku luftonte për t’i rrëzuar këto teza dhe mjaft kuadro në praktikë vepronin sipas pikëpamjeve politike ideologjike dhe ushtarake revizioniste sovjetike. Këtë mënyrë pune Hito Çako e quan “luftë e rreptë kundër revizionizmit”

Por ka diçka tjetër më të egër dhe më antiparti që del nga thëniet e mësipërme të Hitos. Meqenëse lufta kundër revizionizmit në ushtri filloi më vitin 1967 kur dolën tezat dhe Hito Çako erdhi si drejtor politik, kjo do të thotë se Partia dhe ushtria para kësaj kohe ishin zhytur në revizionizëm, në rrugën e tradhtisë ndaj popullit. Me këtë akuzë ky armik i drejtohet Partisë.

Po tezat e Këshillit të Mbrojtjes, prapa të cilave ai kërkon të fshihet, vallë nga kanë dalë, nga një vijë e drejtë e Partisë, apo nga një llum revizionist? Ti, Hito çako ke dalë nga llumi revizionist dhe jo tezat! Ti kërkon të na mashtrosh ne! Mos mendon ti se ne u bindëm kur ti dhe Petriti u hoqët si “shpëtimtarë të situatës, si mbrojtësit e tezave të Këshillit të Mbrojtjes, si zbuluesit e punës armiqësore të Beqir Ballukut?”. Jo ne nuk ishim të bindur, por duhej pastruar një herë plaga e Beqir Ballukut, pastaj Partia duhej të vazhdonte diagnozën e sëmundjes, duheshin përparuar të dhënat, shumë gjëra duhej të verifikoheshin dhe të shërohej sëmundja nga rrënjët. Ti ke kujtuar se Partia është syleshe, budallaqe, që mund ta gënjejnë kur të duan dhe si të duan një Beqir Balluk, një Hito Çako e tjerë? Sa gaboheni! Por këto s’janë gabime as të thjeshta, as edhe i keni bërë rastësisht një herë.

Ju mendoni meqë e kaluat lumin dy herë më përpara, do ta kalonit dhe herën e tretë. Por as të parën dhe as të dytën herë mos mendoni se ia keni hedhur Partisë, edhe të tretën e të katërtën nuk do t’ia hidhni dot. Ju e mbushët kupën dhe Partia e ka ndërgjegjen e qetë, pse shumë herë iu dha dorën, po ju e pështytë. Është e çuditshme cektësia e disa shokëve mbi këto çështje të mëdha që kanë ngjarë në ushtri. Është një cektësi e paramenduar dhe e paravendosur: “Beqir Balluku i ka fajet”. Po të tjerët kanë faj? Gojët nuk hapën dhe përdoret shprehja: Nuk i japin shokët, që do të thotë t’ua fshehim shokëve gabimet, të mos ia themi Partisë fajet e tyre. Po kush është Partia?

Disa shokë që janë zhytur në revizionizëm, vijnë rrotull rreth disa shprehjeve si; “na është thënë që me materialet e armikut duhet njohur që ta luftosh”. Mirëpo, ne “na shkau koka e zigjit” si në përrallë dhe këto materiale i futën në Parti dhe në ushtri siç i merrnin nga revizionistët. “Gabim, është gabim” dhe mbaroi me kaq “autokritika”. Këta shokë mendojnë se ndonjë hata nuk u bë, pavarësisht se mësimet e Partisë nuk mësohen e nuk zbatohen për vite e vite me radhë!

Shumë shokë e vënë çështjen “ne jemi me tezat e Këshillit të Mbrojtjes, ata ishin kundër tezave”. Çështja nuk mund të vihet kështu. Tezat janë një pjesë e vijës së Partisë, prandaj çështja vihet “Je apo jo me vijën e Partisë?”. Të thuash siç thotë Petrit Dumja, për të mos folur për Hito Çakon, se “është me tezat e Mbrojtjes” po Instituti i Studimeve Ushtarake, që përkthen dhe furnizon ushtrinë me helm, nga varet dhe kush e kontrollon/ Po batalionin e sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm, ku bëhen krime barbare nga disa oficerë kundër ushtarëve, nga varet dhe kush e kontrollon, shoku Petrit A mendon ti se mund t’u shpëtosh këtyre përgjegjësive?

I thamë tashmë këto, atëherë “o burrani, ta harrojmë tradhtinë e Beqirit dhe të kufizohemi te ç’na u tha mbi Hito Çakon dhe Petrit Dumen!”. “O burrani, mbi këta se këta i kanë fajet”. “Të tjerët mos i japim”.

Gabimet duhet të zbulohen, të pranohen me ndërgjegje të plotë nga ata që i kanë bërë dhe jo t’ua nxjerrim me darë si në hetuesi.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura