Një simbol shqiptar gdhendur në trup

Nov 19, 2012 | 13:22
SHPËRNDAJE
Reperi “Big D”, duke treguar shpinën e një vajze shqiptare që ka gdhendur shqiponjën dhe në mes të saj, hartën e Kosovës

Nën euforinë e ngjarjeve të momentit, ku duket sikur çdo organizim i veçantë realizohet vetëm në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, shumë femra me kombësi shqiptare, por edhe ato me pasaporta të huaja që kanë zgjedhur të punojnë e jetojnë në Tiranë, kanë rendur nëpër studiot e realizmit të tatuazheve për të “stampuar” në mish simbole kombëtare… shqiponja, flamur kuq e zi…

Në një kohë kur dekori kuq e zi ka zbukuruar qendrat e qyteteve, e kur nismës zyrtare i janë bashkuar edhe shumë shqiptarë, duke vendosur flamuj nëpër ballkonet e pallateve apo çatitë e shtëpive, ka të tjerë “ithtarë” nacionalistë që në këtë prag 100- vjetori të Pavarësisë së Shqipërisë kanë preferuar të “gdhendin” në trup simbole kombëtare. Shqiponja dykrenore apo flamuri kuq e zi janë kërkesat e momentit nëpër studiot artistike të realizimit të tatuazheve. Kjo prurje e re, e rastisur edhe më parë, por në mënyrë sporadike, i ka larguar femrat shqiptare nga prirja vanitoze për të “qëndisur” në mish simbole tipike femërore, si flutura, diell, delfin, apo edhe inicialet e personave të zemrës. Dhe jo vetëm ato me kombësi shqiptare, por edhe femrat e huaja që për hir të zgjedhjes punojnë apo jetojnë në vendin tonë, duke dëgjuar kaq shumë për 100-vjetorin e shtetit shqiptar janë cytur për të bërë edhe ato një tatuazh me simbolet tona kombëtare. Mandi i studio “Art Tatuazhe” në kryeqytet, një nga vendet më të njohura të realizmit të tatuve, pikërisht aty ku edhe aktorja shqiptaro-amerikane Eliza Dushku gdhendi flamurin shqiptar gjashtë vite të shkuara, thotë se këto ditë ka dyndje të kërkesave për realizim të tatuazheve me simbole shqiptare… Dhe e përkthyer në shifra, sipas tij: një në pesë femra shqiptare kërkon të ketë një të tillë për 100-vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar, për të pasur kështu një kujtim të përjetshëm në trupin e tyre.

Përtej vanitetit, nacionaliste
Më herët ka qenë zgjedhje e meshkujve dhe më pak e femrave, kryesisht atyre emigrante që kërkonin të kishin me vete një copëz nga Shqipëria. Më pak vanitoze, në detajet zbukuruese, por më tepër të prira drejt një preference me ngjyrime nacionaliste, shumë femra këto ditë prag 100-vjetori të Pavarësisë së vendit tonë kanë rendur nëpër studiot e realizimit të tatuazheve për të gdhendur në trup simbolet tona kombëtare. “Ka një dyndje të madhe të vajzave që duan të bëjnë të tillë tatuazhe. I përkasin kryesisht moshës së re, nga 20 deri në 30 vjeçe. Në dallim nga meshkujt, simbolet e preferuara nga femrat janë në dimensione më të vogla. Shqiponja ose flamuri ynë kombëtar këto ditë janë shumë të kërkuara në studion time. Dhe kur i pyes se pse zgjedhin të kenë një të tillë në trup, ato më përgjigjen se duan një kujtim të përjetshëm në këtë vit jubile të vendit tonë: “100 vjet Pavarësi”, thekson Mandi i studio “Art Tatuazhe”.

Femrat e huaja, tatuazhe me simbole shqiptare
“Dje realizova një tatuazh në shpinën e një femre që nuk kishte kombësi shqiptare. Ajo ishte amerikane dhe prej disa vitesh punonte e jetonte këtu në kryeqytet. Ishte shumë entuziaste për shqiponjën që po i gdhendja në shpinë. Dhe për të arsyeja ishte e thjeshtë fare: dëshirë për të pasur një copëz nga Shqipëria me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Kish dëgjuar aq shumë këto ditë për këtë festë, i kishin tërhequr vëmendjen zbukurimet, flamujt nëpër ballkonet e qytetarëve, dhe për këtë u shty drejt dëshirës për të realizuar një tatuazh me simbolin tonë kombëtar”, pohon drejtuesi i studio “Art Tatuazhe”. Dhe kjo nuk është femra e parë e huaj që troket në derën e studios së tij për të bërë një tatu të kësaj natyre. Në bllokun e shënimeve të tij, ai ka planifikuar edhe dy femra të tjera të huaja: një kanadeze dhe një angleze që do të vijnë të bëjnë tatuazhe të ngjashme me atë të amerikanes. Zonat e preferuara janë kryesisht ato në zonën e prapme të qafës dhe në shpinë.

Femrat e njohura me shqiponjë të gdhendur në trup

Eliza Dushku
Aktorja shqiptaro-amerikane, në vizitën e saj të parë në Shqipëri, gjashtë vite të shkuara vendosi që të bëjë një tatuazh me simbolin kombëtar. Pikërisht nga duart e Mandit të “Art Tatuazhe”, Eliza gdhendi në zonën midis qafës dhe shpinës një shqiponjë në dimension mesatar.
Adelina Tahiri
Këngëtarja kosovare, e njohur për bukurinë e saj të veçantë, para pak kohësh ka realizuar një tatuazh në zonën e brendshme të krahut. Zgjedhja është: flamuri kombëtar shqiptar, por në miniaturë.

Çmimet e tatuazheve
Duke qenë femra, dimensionet që ato zgjedhin për tatuazhet e tyre, janë kryesisht të vogla. Më tepër se dalluese në detaje apo madhësi, tatuazhet me simbole kombëtare të dëshiruara nga femrat janë kryesisht në miniaturë ose në madhësi mesatare. Ndërsa çmimet e tyre variojnë nga tre mijë deri në pesë mijë lekë të rinj.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura