Një shembull për frikësim?

Aug 31, 2012 | 13:35
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

Cilat janë motivet që e shtynë Greqinë të ndalonte hyrjen në territorin e vet të një reporteri kryesor të një televizioni kombëtar? Kërkimi i motiveve të veprimit të një individi është diçka e vështirë, por të atyre që shtyjnë një shtet të bëjë këtë dhe jo atë veprim, ngjan diçka më e lehtë. Për fat të mirë, ndalimi i tij i përhershëm në kufirin grek ia arriti të shndërrohej në një ngjarje ndërkombëtare, që kaloi kufijtë e Shqipërisë, duke u bërë publike në Greqi, apo në organizma europianë. Ky shndërrim i vullnetshëm pati në zanafillë të vet reagimin e atij që ishte subjekt i ndalimit, njëri nga reporterët më të mirë shqiptarë, Marin Mema. Mund të ketë shumë të tjerë që ndalohen në kufirin greko-shqiptar, por jo të gjithë vendosin ta bëjnë publik ndalimin. Sa kohë që kjo ngjarje, ashtu siç dhe do duhej, vazhdon të trajtohet mediatikisht, ka kuptim të kërkosh akoma këto motive.
Le të nisim me shqyrtimin e motiveve, mbi bazën e atyre elementeve faktike që kemi në dorë, apo nga analiza e kontekstit kohor dhe hapësinor kur ndodhi ngjarja. Na ndihmojnë vetë autoritetet greke në mbushjen e atij formulari që ka justifikuar largimin: gazetari kërcënon sigurinë kombëtare greke. Duke u nisur nga ky motiv grek, me gjasë duke pasur pretekst disa reportazhe që ka bërë ky gazetar, si për çështjen e Himarës, të masakrës në repartin e Peshkëpisë, mbi pasardhësit e Papa Kristo Negovanit, apo reportazhin e fundit mbi çamët ortodoksë, atëherë nxirret një përfundim i parë. Të merresh veçanërisht me çështjen çame, të bësh gazetari në lidhje me çështjet që ndajnë Shqipërinë me Greqinë, do të thotë të kërcënosh sigurinë kombëtare në Greqi, sipas autoriteteve të këtij vendi. Ky është një shikim që s’përputhet me konceptin e sigurisë kombëtare të një vendi, sipas çdo fjalori terminologjik, për më shumë që krimet apo rreziqet për sigurinë kombëtare nuk mund të vijnë nëpërmjet gazetarisë së opinionit, apo të raportit. Ky pretekst grek na tregon ndërkohë se rrëfimi i së vërtetës, veçanërisht për çamët ortodoksë, është një pikë e dhimbshme për Greqinë. Vetë prekja e çështjes çame, mundësia e ringjalljes së saj, nga vizitat e të lindurve në Çamëri, që janë ndaluar njëlloj si Mema në kufi, automatikisht shpallet nga autoritetet greke si aktivitet që lidhet me sigurinë kombëtare. Ky është një informacion i rëndësishëm për ata që merren me studime rreth Greqisë, frikërave të saj prej skeleteve që ka në dollap etj.
Zgjedhja e këtij preteksti prej autoriteteve greke ka në fakt një arsye pragmatike gjithashtu. Autoritetet greke kanë zgjedhur një pretekst ngushtësisht vendor për të ndaluar një shtetas shqiptar, dhe jo një pretekst europian. Duke bërë kështu shmanget, sipas autoriteteve greke, çdo lloj trajtimi në forum europian i kësaj çështjeje sipas Marrëveshjes për heqjen e vizave apo dhe akteve të tjera ndërkombëtare dhe europiane. Çështjet e sigurisë kombëtare janë çështje të cilat shtetet anëtare të BE-së i mbajnë me xhelozi jashtë kontrollit mbikombëtar. Edhe trajtimi gjyqësor i një ndalimi të tillë bëhet më i vështirë, sesa çdo pretekst tjetër ndalimi.
Mund të thuhet se refuzimi i hyrjes së një shtetasi të huaj në territorin e vet, është instrument normal që edhe shtetet demokratike e zbatojnë (megjithëse jo shpesh) për të ruajtur sigurinë kombëtare. Por a ndodh kjo me gazetarët? Pra, a zgjidhen ata si kontingjent për t’u ndaluar? Vështirë se ndodh në vende normale.
Por, nuk janë vetëm këto pista mbi motivet e ndalimit të zotit Mema. Përveç dëshirës për t’u dukur arrogantë, autoritetet greke kanë mbajtur ose duhet të mbajnë parasysh kontekstin kohor dhe hapësinor kur u zbatua një vendim i tillë.
Brenda pak ditësh, Athinën do ta vizitojë ministri i Jashtëm shqiptar. Sipas një njohësi të marrëdhënieve shqiptaro-greke, kjo është hera e parë e një ministri të Jashtëm shqiptar në Athinë pas shumë vitesh, diçka që i jep kësaj vizite karakter normalizues të marrëdhënieve. Aktualizimi i refuzimeve në kufi, me subjekt një gazetar të shquar, e bën këtë çështje automatikisht çështje për t’u diskutuar në marrëdhëniet dypalëshe. Në këtë kuptim, reagimi i Ministrisë sonë të Jashtme me thirrjen e zëvendësambasadorit grek ishte korrekt. Pra u krijua me forcë një problem në këto marrëdhënie, që edhe pa të kanë boll probleme të tjera. Dhe të krijosh probleme kur kërkon koncesione -p.sh. në det-, s’ngjan veprim i arsyeshëm.
Së dyti, një veprim kaq arrogant, me një personazh publik, krijon premisat për shtimin e frymës antigreke nëpërmjet rritjes së kriticizmit ndaj Greqisë në opinionin publik shqiptar. A i leverdis Greqisë një keqësim në këtë plan? Rregullisht ky vend është përpjekur me çdo kusht të shmangë shtimin e frymës antigreke në Shqipëri, nëpërmjet ëmbëlsimit të gazetarëve me udhëtime studimore turistike në Greqi, viza për familjarët, botime të listave të vizave etj. Shmangia e kësaj fryme ka qenë objektiv konstant i politikës së jashtme greke në Shqipëri, edhe në perspektivën e nxitjes apo mbrojtjes së investimeve greke në vendin tonë. Sot, në periudhë krize, kur s’ka perspektivë rritjeje të këtyre investimeve, mbase konsiderohet si joproblematik një refuzim kaq spektakolar. Por a nevojitet kjo klimë, për shembull, në perspektivën e diskutimit të marrëveshjes së detit? Si rregull, Greqia do preferonte qetësi në opinionin publik shqiptar, ngordhje të nervit kombëtarist, i stimuluar kryesisht prej medias, diçka që e mban në presion qeverinë shqiptare për të mos bërë lëshime. Mos vallë synohet diçka perverse,  d.m.th. që nëpërmjet bërjes së një shembulli si Marin Mema, të frikësohen dhe gazetarët e tjerë që të mos ecin në këtë linjë, sepse do ta pësojnë si ai? D.m.th. të frikësohen gazetarët, ata që e mbajnë të gjallë këtë frymë kritike ndaj koncesioneve të qeverisë shqiptare ndaj Greqisë? Ky është një supozim, por ngjan i besueshëm. Për fat të mirë ama, ky lloj presioni nuk mund të ketë sot efekt maksimal, sikur do të ndodhte në rastin kur Shqipëria të kishte sistemin e vizave me Bashkimin Europian dhe Greqia të ishte faktor me rëndësi në lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Megjithatë, mendojnë grekët, ndoshta njëfarë efekti mund ta ketë.
Sa më sipër, ishte një sprovë për të kuptuar motivet që e shtynë një shtet si Greqia në ndalimin e hyrjes së një gazetari shqiptar në territorin e vet. Mund të ketë dhe elemente të tjera, por kjo sprovë editoriale është thjesht një fillesë për të nxitur diskutimin. Për të mbajtur gjallë nervin kombëtarist, i cili nuk mund të frikësohet prej aktesh të tilla të dëshpëruara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura