Një replikë me P. Xhufin rreth historisë sonë

Nov 21, 2018 | 20:31
SHPËRNDAJE

ARDIAN NDRECA/

Ardian-NdrecaNdryshe prej si mund të kujtojë Pëllumb Xhufi, un nuk mendoj aspak se ai asht nji “historian leshi”, pse kush lexon “Arbërit e Jonit” nuk del në këtë përfundim, madje nuk mendoj se asht as edhe nji njeri i pavlerë vetëm pse mendon ndryshe prej meje, përkundrazi, ai ka pasë guximin me u dorëheq si ambasador në nji moment kur Kryeministër i vendit ishte nji aventurier i korruptuem dhe ma vonë ka guxue edhe me u defilue prej nji partie që po merrte gjithnji e ma shumë trajtat e nji konsorciumi interesash mafioze. Por Xhufi s’asht hero, ai asht tejet modest dhe këto gjana i ka ba në heshtje dhe me takt.

Xhufi përfaqëson diçka që në thelb nuk mund të ndryshojë, prandaj asht e dukshme koherenca e tij ekstreme në trajtimin e historisë bashkëkohore, edhe pse shpeshherë asht kundër fakteve dhe arsyeve historike. Kur bahet fjalë për Enverin dhe Partinë, Xhufi gjykon historinë ashtu siç gjykonin njiherë e nji kohë Aranit Çela e Rrapi Mino anmiqtë e Partisë në bankën e të akuzuemve; madje, po t’i kishin shkëmbye karriget, jam i bindun se Xhufi në vend të tyne – jo pse asht i pashpirt, por pse asht ma i bindun – do të kishte qenë edhe ma i ashpër.

Xhufi i ka pasion pandehjet dhe manipulimet tekstuale, mbasi prej nji statusi që un kam ba në “Facebook” kishte ndërtue nji doktrinë, tue më ba me thanë gjana që s’i mendoj, pse o s’i mendoj aspak, ose janë tepër të zbehta në krahasim me si i mendoj unë.

Interpretimet dhe problemet sillen rreth nazizmit, fashizmit, kolaboracionizmit dhe kuptohet, komunizmit. Xhufin s’e trazon qëndrimi jem pro sjelljes së eshtnave të Mid’hat Frashërit, por e mundon vetëm interpretimi rreth pjesmarrjes së Stalinit dhe satelitëve të tij në Luftën II Botnore. Teza jeme asht se Lufta II Botnore asht luftë kundër totalitarizmit dhe gjetja në nji front e Stalinit, Churchill-it dhe Roosevelt-it kundër Hitlerit, asht aksidentale, pse ata nuk e kanë luftue nazizmin tue u nisë prej bindjesh të njejta. Themeli i bindjeve të udhëheqësit britanik dhe atij amerikan ishin liria, ajo e Stalinit ruejtja e pushtetit e tij personal.

Lufta kundër totalitarizmit në nji farë sensi ka mbarue me ramjen e Murit të Berlinit dhe ka pa të rreshtueme botën demokratike kundër sistemit komunist që mohonte edhe liritë ma elementare. Xhufi përpiqet me m’nxjerrë simpatizant të Truman-it që i hodhi bombat atomike japonezëve dhe nënvleftësues të Roosevelt-it që fitoi luftën. Më duhet me thanë se me Roosevelt-in nuk kam shumë fat, nji herë e krahasova Nishanin me Roosevelt-in dhe si nji Shrek i idhtë m’u zemërue keqas e s’më dekretoi ambasador, imagjinoni po ta kisha krahasue me Hirohiton çka do të kishte ba!

Xhufi ban sikur s’e kupton se mprehtësia e Trumanit do të superonte naivitetin e Roosevelt-it të lodhun në Jaltë, që simbas dëshmitarëve të kohës, hera-herës merrte anën e Stalinit edhe në bisedat e lira në praninë e aleatit britanik. Doktrina Truman asht fillimi i fundit të andrrës hegjemonike të “carëve të kuq” gjatë shekullit XX e për këtë, e gjithë bota demokratike duhet t’ia dijë për nder vendosmënisë amerikane.

Sa për Stalinin, ideja e tij rreth nacionalsocializmit shprehet me fakte në protokollin sekret të Paktit Ribbentrop-Molotov. Jam kurioz të di, kush është ai që sot tue u nisë nga ai protokoll gjykon se Stalini ishte kundër Hitlerit për arsye parimore apo u ba kundër tij thjesht për vetëmbrojtje? Milionat e rusëve të vramë për Stalinin ishin shifra dhe kurrsesi s’mund ta dlirin figurën e tij prej despoti aziatik, tue e ba që të barazohen me qëndrimin parimor të SHBA-ve dhe britanikëve kundër Hitlerit. Pse nga ana e Kremlinit nuk ka nji fjalë të vetme kundër Hitlerit para 22 qershorit 1941? Në mesnatën para sulmit nazist treni i fundit me drithma sovjetike kalonte kufinin e BRSS-së dhe shkonte drejt Gjermanisë hitleriane për me furnizue me bukë anmikun e demokracive, që ndërkaq kishte mposhtë Europën! Stalini s’lejoi që partitë komuniste si ajo franceze të shpreheshin kundër pushtimit hitlerian të Francës, nuk e dënoi asnjiherë aleatin e vet në krimet kundër popujve të pambrojtun si ato të vendeve baltike dhe Polonisë.

Stalini s’kishte parime dhe moral, ashtu si edhe adhuruesi i tij Enveri, në fakt të dy i bashkon nji ndjenjë primordiale shtazore sundimi mbi të tjerët me çdo mjet dhe mjeti që i përshtatej ma fort mentalitet të tyne me orientim kriminal ishte ideologjia komuniste.

Se sa larg ishte Stalini prej fituesve të vërtetë të luftës kundër Boshtit Romë-Berlin-Tokio e tregojnë faktet e mavonshme, e dëshmon gjaku që u derdh në lëvizjen e punëtorëve më 17 qershor 1953 në Gjermaninë Lindore, Revolucioni hungarez i vitit 1956, Pranvera e Pragës në vitin 1968. Njerëzit e thjeshtë i shihnin ushtarët sovjetikë si nazistat dikur dhe pikturonin në pankarta musteqet si pullë poste të Hitlerit, mbasi po e kuptonin se nuk ishin çlirue me të vërtetë, por nji totalitarizëm ishte zëvendësue me nji tjetër.

Xhufi nuk i njeh krimet e Enver Hoxhës, pabesinë e tij ndaj shokëve të armëve, s’e kam fjalën në fund krejt kur vuente prej demencës senile, por qysh gjatë luftës kur çonte fonograme me urdhna ekzekutimesh mbas krahëve. Nuk ia njeh përgjegjësinë në masakrën e Tivarit, ekspozimin e sovranitetit të vendit tue minue Kanalin e Korfuzit me dorën e jugosllavëve, tue lejue që komunistat grekë të krijonin baza dhe të sulmonin Greqinë prej territorit tonë – tue na kthye në vend agresor dhe tue shkaktue humbjen e qindra jetëve të ushtarëve tanë dhe tue lejue që trupat greke të kalonin në tokën tonë siç kishte ndodhë gjatë Luftës italo-greke. Nuk e njeh krimin e dorëzimit të Kosovës te Titoja, kthimin e sa e sa kosovarëve në duert e Rankoviqit e ma vonë të UBD-së. Xhufi nuk ia njeh si krim Enverit shkatërrimin e inteligjencës shqiptare, zhdukjen e pinjojve të Rilindjes, reprezaljet e kundërligjshme si ajo e gushtit 1949 në Mirditë apo ajo që pasoi bombën në ambasadën sovjetike në vitin 1951.

Pse reprezaljet e regjimit të Enver Hoxhës në vitin 1945 në Malësi të Madhe, ajo e vitit 1949 në Mirditë, ajo e fundit të dimnit të vitit 1951 në Tiranë janë ndryshe prej reprezaljes së nazistave në Borovë? Pse viktimat e terrorit të 1949 dhe të 1951, viktimat e kampeve të përqendrimit të Turanit dhe Tepelenës janë ndryshe prej viktimave të Xhaferr Devës e Xhelal Staraveckës!? Nuk kanë asnji ndryshim, terrori asht i njejtë, madje ai që ushtrohet nga vetë shteti në kohë paqeje asht edhe ma i neveritshëm.

Përpjekja për me shpëtue komunizmin enverist tue përdorë në mënyrë makabre eshtnat dhe sakrificën e nji falange të rinjsh idealista që dhanë jetën me vetëdije gjatë luftës, nuk asht e ndershme. Kjo gja nuk i ka shërbye madje as vetë dëshmorëve të kombit. Sot lakohen ma shumë në shtypin e ditës dhe në studime emnat e bishave si toger Hakiu, kapter Selfoja, marshall Tomi, aspirant Syrjai, toger Baba sesa emnat e dëshmorëve të luftës. Shqipnia që doli prej lufte s’ishte ajo e idealistave, por e bishave që ushtruen dhunë e terror përtej çdo kufini të arsyeshëm kundër vëllezënve të nji gjaku.

Por nji sistem aq kundër natyre sa ç’ishte ai komunist shqiptar s’mund të ndërtohej veçse me anën e dhunës, mjetetë tjera s’kishte, prandaj ne jemi kundër ideve dhe jo kundër personave, edhe kur janë kandrra të mjera si aspirant Syrjai apo toger Baba që vrisnin, torturonin, përdhunonin dhe çnjerëzonin shqiptarë të pafajshëm.

Dhuna nuk prodhon legjitimitet politik, dogmatizmi dhe frika nuk janë mjete bindjet, prandaj në vitin 1990 Shqipnia ishte vendi ma i shkallmuem dhe i mjerë i Bllokut Lindor.

Ky ishte suksesi i parabolës së komunizmit në Shqipni. Nga Qemal Stafa kishim përfundue te Muho Asllanin, nga Margarita Tutulani te Fahri Balliu. Pranoje z. Xhufi, nuk mbulohet dielli me shoshë, ky quhet dështim total dhe si çdo dështim ka nji kosto – edhe kur shkruhet historia. Ta shkruesh historinë tue pasë mbi supe akronimin e “klasikëve” të marksizmit asht nji peshë e madhe, që e mbyt të vërtetën në labirintet qorre të dokumenteve që mbeten memece dhe të sofizmave të pafuqishme e qesharake. E sa për Mid’hatin, Mehdiun, P. Antonin, Xhevatin, unë kujtoj kontributin e tyne si njerëz të kulturës dhe si patriotë me kurs të gjatë dhe shoh edhe gabimet e tyne njerëzore në atë kohë të paqartë lufte.

Mandej sjelli kryet e shoh emnat e Koçit, Nevzatit, Kadriut, Feçorit, Delos, Lilos, Azbiut, individë pa shkollë, pa drejtim, pa kulturë, pa moral, pa asnji kontribut përveç terrorit dhe s’kam dyshime se cila palë fiton moralisht – edhe të drejtën me pasë dy metër tokë me pushue, por sidomos të drejtën e të kujtuemit me respekt në histori.

Delot, Lilot dhe Azbitë e Xhufit janë turpi i kombit shqiptar, ndërsa Mid’hati me shokë vijojnë me qenë nderi ynë.

Historia e Shqipnisë së gjysmës së dytë të shekullit XX asht arkeologjia e dhunës çnjerëzore të regjimit komunist kundër shqiptarëve. Xhufi si historian asht koherent, por jo i ndershëm, pse i përket nji shkolle, misët e së cilës i hapnin vorret e kundërshtarëve natën për me ua tretë eshtnat ndër brigje lumenjsh, ose i mbulonin thellë e ma thellë me “damnatio memoriae” për mos me u gjet kurrë ma.

Xhufit i mungon guximi i ndjesës dhe i pendesës, prandaj ai s’mund të ndryshojë kurrë.

Historia e komunizmit reflekton në mënyrë intransitive doktrinën që e ka pjellë, asgja prej komunizmit nuk ka mbetë pa u realizue në historinë e vet, prandaj mos prisni të reja prej nji historie të mbyllun përgjithmonë. Epigonët, të rinj apo të vjetër në moshë, janë thjesht shenjë dekadence e jo lulëzimi, prandaj le të punojmë për nji paqtim të thellë kombtar tue njohtë ma së pari unanimisht krimet e komunizmit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura