Një libër-intervistë për veten e letërsinë, Mustafaj: Ky libër është i gjithi imi, por nuk jam i gjithi këtu

Nov 16, 2018 | 13:19
SHPËRNDAJE

“Të gjitha çka janë thënë këtu, janë të miat, por unë nuk jam i gjithi në këtë libër”. Kështu do të shprehej shkrimtari Besnik Mustafaj për librin e tij më të ri “Letrat e mia kredenciale”, konceptuar në formën e një rrëfimi me gazetaren Arta Marku, botuar nga shtëpia botuese “Toena”. Një libër që, sipas gazetarit Blendi Fevziu, ofron një formë komunikimi shumë të njohur në botë, por në një kohë tjetër, kur komunikimi i është nënshtruar vrullit teknologjik.

Promovimi i librit te Besnik Mustafaj

Sipas botueses Irena Toçi, nëse sot e kemi në duar, një meritë të veçantë ka Arta Marku, e cila “duke i bërë pyetjet e bukura, ka ditur të zbulojë tek ai edhe gjera që ndoshta nuk do të donte t’i thoshte mbi fëmijërinë, letërsinë, diplomacinë, politikën…”. si një nga gazetaret më të vjetra të kulturës, Marku do të shprehej se ka qenë pjesë e profesionit të saj të intervistonte njerëz publikë, por duke u fokusuar më së shumti te njerëzit e kulturës. “Kam arritur në një konkluzion që shkrimtarët japin intervistat më të mira”, thotë ajo. Duke u ndalur tek intervista më e fundit me Mustafajn, që nuk ishte e para për të dhe sigurisht nuk do të jetë as e fundit, pasi shkrimtari vazhdon të shkruajë, duke hapur një tjetër dritare për intervistë, Marku thotë se ka qenë shumë e vështirë t’i vije pikën. “Është një intervistë ekskluzive, si një frymëmarrje nga shkurti në tetor”, tregon ajo. “Ajo që dua të evidentoj është liria që më ka dhënë. Nuk dëgjova asnjëherë, kjo pyetje s’më pëlqen apo kësaj pyetjeje s’dua t’i përgjigjem. Të gjitha pyetjet e mia janë marrë në konsideratë”, tregon ajo për procesin e shkrimit të këtij libri-intervistë.

Besnik Mustafaj promovim libri

Teksa e ka lexuar që në dorëshkrim dhe kishte provuar shijen që të lenë vetëm librat e mirë, Fevziu ndalet kryesisht në atë pjesë të intervistës që lidhet me fëmijërinë, për atë moment të jetës së njeriut që është gjithnjë e bukur, gjithnjë magjike dhe me një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e njeriut. Ai do ta ndante librin në tre etapa, në atë të fëmijërisë, në atë të viteve ’80-’90 dhe mënyrën se si ka evoluar mendimi i rinisë së asaj kohe dhe pas viteve ’90, kur koha e diplomatit nuk rridhte njësh me kohën reale. Sipas Fevziut, edhe pse është një libër që fokusohet kryesisht te letërsia, te raporti i shkrimtarit me krijimin e tij dhe shoqërinë dhe se ai do të kishte dashur që Mustafaj të ndalej më shumë në aktivitetin e tij në politikë apo ngasjen e shumë figurave të kohës për t’u përfshirë në të, libri i tij është pikërisht ai i munguari i bibliotekës shqiptare. Një libër i rrallë, që nuk është për një lexues të gjerë, por që nuk duhet t’i mungojë një biblioteke.

Besnik Mustafaj promovim libri2

Vetë autori nuk ka ç’të shtojë, veçse i është dashur t’i përgjigjet detyrës si i intervistuar. “Ata që e kanë lexuar, më kanë dhënë siguri se lexohet. Kisha merak mos bëhesha përsëritës apo i mërzitshëm. Kur më kanë pyetur nëse jam i gjithi në këtë libër, jam përgjigjur se ‘Ky libër është i gjithi imi, po unë nuk jam i gjithi këtu’. Gjithçka e treguar është realisht e vërtetë dhe realisht e sinqertë. Janë pjesë e kujtimeve të mia. Jam nxitur të reflektoj dhe të bëj vëzhgimet e mia, si ka lindur shkrimtari dhe cilat kanë qenë marrëdhëniet me letërsinë kur ajo u bë serioze në jetën time; Si kanë ardhur veprat te unë dhe si kanë ndikuar punët e tjera si politika, gazetaria, mësimdhënia, periudha në Institutin e Studimeve Marksiste, në krijimtarinë letrare”, tha Mustafaj. Sa i takon titullit, ai e quan një “shkelje syri” për shkak të veprimtarisë së tij si diplomat. Një periudhë, të cilën ai e konsideron të veçantë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura