Një lexim ndryshe i rezulateteve të testit PISA

Mar 29, 2024 | 7:15
SHPËRNDAJE

nxenesPROF.AS. DR. ZHULJETA KADILLI

Në të gjithë ambientet dhe bisedat e ndryshme sot flitet për një rënie të nivelit arsimor të shkollës, për një nivel të ulët të përgatitjes së nxënësve etj. Pjesëmarrësit e debateve, ku jo rrallë përfshihen edhe vetë mësuesit, përpiqen të japin arsye të ndryshme mbi situatën në të cilën ndodhet shkolla. Një pjesë ia venë fajin mësuesve, një pjesë teksteve, programeve, rrjeteve sociale, dixhitalizimit, shoqërisë, pse jo edhe korrupsionit që është prezent në shoqërinë tonë. Gjithsesi, një gjë është pozitive, që shoqëria jonë është e ndjeshme për këtë problem. Dhe kjo lidhet me faktin se, një pjesë e familjeve janë të lidhura me shkollën duke pasur fëmijët nxënës apo studentë dhe nisur nga kjo, ata kërkojnë më të mirën për edukimin e fëmijëve të tyre. Ata shkollën dhe edukimin i shohin si pjesë të rëndësishme të shoqërisë. Një komb i arsimuar dhe kulturuar është ekzistent. Problemi i shkollës dhe nivelit të saj, në aspektin e mësimdhenies dhe atë edukativ është bërë edhe më prezent dhe më i ndjeshëm kur dolën përgjigjet e testit PISA, në të cilën Shqipëria kishte një rënie të ndjeshme në vlerësim, krahasuar më ato të vitit 2018. Si pjesë e arsimit prej 41 vjetësh mendoj dhe më pëlqen që shkaqet t’i gjej tek Pandemia e COVID-19. Ne nuk ishim të përgatitur si duhet për mësimin online, kështu që një rezultat i tillë edhe mund të pritej. Nuk ishin të përgatitur mësuesit, nxënësit, kishte mungesë të mjeteve dixhitale, infrastrukturore etj. Në këtë kohë, ajo që unë vërej nga bisedat me kolegët është se, më së shumti janë mësuesit ata që e ndjejnë, që ju vjen keq dhe po përgatiten për testimin e radhës. Ata janë të ndjeshëm për çdo gjë dhe përpiqen me mundësitë e tyre të reflektojnë pozitivisht.

Po çfarë është testi PISA, që në fakt ka preokupuar edhe shtete të tjera, madje të zhvilluara të botës.

PISA (Programe for International Student Assessment) është studim ndërkombëtar i cili i vlerëson aftësitë, njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve në zbatimin e asaj që kanë mësuar në shkollë dhe si mund t’i përdorin ato në situata të ndryshme. Më së shumti në mbarim të arsimimit të detyrueshëm në moshë 15 vjeçare. Aftësitë e provuara janë në tri fusha: kompetencë për lexim-kuptim–dhe qasje kritike në leximin e materialeve të shkruara; kompetencë matematikore–lexim, interpretim dhe zgjidhjen e problemit të dhënë me anë të organizimit dhe interpretimit të informacioneve të dhëna dhe përzgjedhjen e metodës për zgjidhje; kompetencë në shkencat natyrore–njohje e çështjeve shkencore, përdorimi i njohurive shkencore, identifikim i përmbajtjes në studimet shkencore dhe ndërlidhje të të dhënave shkencore me fakte dhe përfundime. PISA është program ciklik i vazhdueshëm, i cili jep të dhëna për ndërtimin e politikave dhe praktikat arsimore. Ky test ndihmon në ndjekjen e prirjeve në fitimin e njohurive dhe shkathtësive tek nxënësit në të njëjtën moshë në vende të ndryshme dhe nëngrupe të ndryshme demografike në secilin shtet. Në testin PISA nxënësit duhet të përgjigjen në dy pyetje: Çfarë di? Çfarë mund të bëj me njohuritë e mia? Ky vlerësim nuk konfirmon vetëm se a mund t’i riprodhojnë nxënësit njohuritë e tyre, por studion dhe sa mirë dinë t’i shfrytëzojnë njohuritë e tyre, të zgjedhin nga ajo që kanë mësuar dhe sa të aftë janë të zbatojnë ato njohuri në situata të panjohura, në shkollë dhe jashtë saj. Edhe në testin PIRLS 2021 (Progress in International Reading Literacy Study) po këto probleme vlerësohen dhe konkretisht: aftësia për të bërë konkluzione të drejtpërdrejta; interpretimi dhe integrimi i ideve dhe informacionit; vlerësimi dhe kritika e përmbajtjes së ideve të tekstit, qw nw thelb shprehin nivelin e lartw tw tw menduarit dhe pwrkthimin e njohurive nw aftwsi dhe kompetenca.

TË MENDUARIT KRITIK SI PJESË E PËRMBAJTJES SË TESTIT

Duke lexuar përmbajtjen e testit PISA dhe PIRLS nuk ka se si të mos mendosh që në qendër të këtij testi është të menduarit kritik. Procesi i të menduarit kritik nëpërmjet shkrimit dhe leximit, bëhet tepër i domosdoshëm sot, në shekullin e XXI, kur niveli i dijeve ka ecur me ritme të shpejta, kur inteligjenca artificiale po futet fuqishëm në shumë fusha të jetës. E pra, në këtë kontekst, shkolla me mësimdhënien e mësimnxënien duhet t’i përgatisë nxënësit për sfidat që i presin në të ardhmen. Por si?

Shkolla jonë në procesin e mësimdhënies duhet të bazohet në strategjinë e të menduarit kritik. Kjo për një arsye të rëndësishme. Ashtu sikurse bota rritet dhe bëhet më e ndërlikuar dhe demokracia përhapet në të gjithë globin, po ashtu është bërë e dukshme që, rinia e ka më të nevojshmë se kurrë të jetë në gjendje të zgjidhë probleme mjaft të vështira, të shqyrtojë rrethanat në mënyrë kritike, të ngrejë opinione të ndryshme dhe të marrë vendime të matura. Është, gjithashtu e dukshme që, aftësia për të menduar në mënyrë kritike, është diçka që duhet të kultivohet me kujdes dhe të nxitet brenda një mjedisi që mbështet të nxënët. Por pse duhet të mendojnë gjatë të nxënit në mënyrë kritike?

Është baza që të çon në zgjidhjen e shumë problemeve dhe pikëpyetjeve. Për njerëzit që mendojnë në mënyrë kritike, baza e kuptimit të informacionit është më shumë pika e nisjes, se sa fundi i të nxënit. Zhvillimi i mendimit në mënyrë kritike përfshin thithjen e ideve dhe shqyrtimin e ndikimit të tyre, paraqitjen e tyre në një skeptiçizëm të stërholluar, baraspeshimin e tyre përballë pikëpamjeve të kundërta, ndërtimin e sistemeve të besueshme për t’i provuar ato dhe ndërmarrjen e një qëndrimi të bazuar mbi këto struktura. Mendimi krtitik është një proces i ndërlikuar i përfshirjes së ideve dhe burimeve në mënyrë krijuese, i rikonceptualizimit dhe ristrukturimit të koncepteve dhe informacionit. Ai është një proces njohës, veprues dhe ndërveprues, i cili ndodh njëkohësisht në mjaft nivele të të menduarit. Në mënyrë mjaft të shpeshtë mendimi kritik është i prirë drejt qëllimit, por mund të jetë gjithashtu një proces krijues.

Kjo filozofi e të menduarit kritik duhej të jetë boshti i vlerësimit të përgjigjeve të testit PISA. Në këtë kontekst nga eksperienca ime në të tre nivelet e arsimit, 8-vjeçar, mesëm dhe të lartë dhe pjesëmarrëse e disa projekteve kualifikuese, midis të cilëve do të veçoja projektin “Zhvillimi i Mendimit Kritik gjatë të Lexuarit dhe të Shkruarit”do dëshiroja të shprehja disa mendime modeste lidhur me këtë test dhe rezultatet e tij, leximin dhe nxjerrjen e detyrave për të ardhmen.

Në përgjithësi përmbajtja e testit nuk ishte e vështirë, përjashto tek tuk ndonjë “kleçkë”, dhe këtë e provon fakti se shumë nxënës, në vende të ndryshme ku është zhvilluar testi, ja kanë dalë ta zgjidhin. Por pse nxënësit tanë u paraqitën dobët?

E para që mendoj lidhet me formën e testit. Nxënësit tanë nuk janë familjarizuar me mënyrën e formulimit të pyetjeve, gjë që tregon dhe flet shumë.

Nga biseda me kolegë të arsimit parauniversitar mësova se, nxënësit nuk janë të mirëinformuar për këtë lloj testi. Testi duke qenë i pa vlerësuar me notë, nuk i motivoi plotësisht nxënësit në plotësimin e tij. Mbase ata nisur nga kjo, nuk u përfshinë emocionalisht nuk u përqendruan, mbase dhe nuk e vlerësuan si duhet. Nota akoma në psikologjinë e nxënësit ka ndikimin e saj, sidomos tek adoleshentët. Gjithsesi rezultati i dobët nuk justifikohet, ai është aty.

Por ne kemi edhe përvoja pozitive në këtë drejtim, siç është rasti i testit PIRLS 2021. Testi PIRLS (Progress in International Reading Literacy Study) është një testim ndërkombëtar, i cili ka për qëllim të masë dhe të konstatojë nivelin e zhvillimit të kulturës së leximit tek nxënësit e klasave të 4-ra dhe 8-ta, si një bazë e zhvillimit të tyre intelektual, profesional dhe njerëzor në të ardhmen. Në këtë testim Shqipëria renditet e dyta në rajon me një pikë diferencë nga vendi i parë. Ky rezultat duhej të ishte inkurajues, por ja që nuk ndodhi. Vetvetiu lind pyetja, pse ky rezultat? Si të përmirësohet?

ÇFARË DUHET BËRË NGA ANA E INSTITUCIONEVE ARSIMORE QË MERREN ME KËTË PROBLEM?

Në radhë të parë, mendoj, për të ndërtuar një program, për të përmirësuar rezultatet në testimin e radhës më 2025, duhet bërë një lexim dhe vlerësim ndryshe i testit. Kjo do të thotë, që të merren në analizë të gjithë nxënësit e testuar, në të gjitha lëndët dhe për të gjitha pyetjet dhe përgjigjet.

Në matematikë: sa nxënës kanë dhënë përgjigje negative për pytjen e parë, të dytë e me radhë. Sa nxënës e njohin konceptin për të cilën bëhet fjalë në pyetje, sa dinë ta analizojnë e mbi të gjitha sa e argumentojnë dhe vlerësojnë se, përse na nevojiten këto njohuri, për çfarë më duhen dhe sa më vlejnë ato. Sa nxënës kanë dhënë përgjigje pozitive për pyetjen e parë, për të gjitha nivelet e pyetjeve etj. Dhe më kryesorja sa nxënës kanë dhënë përgjigje të sakta për nivelin krijues të pyetjeve. Kështu duhet të veprohet me të gjitha pyetjet në të gjitha disiplinat. Madje do të duhej që edhe vetë përgjigja, kur është pozitive apo negative, të vlerësohet edhe nga mënyra e formulimit gjuhësor të fjalisë apo shprehjeve, sepse dhe ajo shpreh shumë.

Rezultatet nga studimi i realizuar mundësojnë gjetjen e të dhënave të vlefshme mbi atë se sa mirë nxënësit janë të përgatitur për jetën në shoqërinë bashkëkohore pas mbarimit të shkollës, duke vënë theksin në zbatueshmërinë e diturive, shkathtësive dhe kompetencave të cilat i kanë fituar gjatë procesit arsimor, por edhe nivelin e njohurive të memorizuara. Gjatë vlerësimit me anë të këtij studimi kemi gjetje se, a mund nxënësit ta riprodhojnë diturinë e tyre? Njëkohësisht përcaktohet edhe se a mundet nxënësit të përdorin njohuritë dhe po të njëjtat njohuri t’i zbatojnë si dituri në mjedis të panjohur, në shkollë dhe jashtë saj. Përmes testit PISA duhet të marrim përgjigje sa nxënësit në moshë pesëmbëdhjetë vjeçare dinë dhe janë të aftësuar ta zbatojnë njohuritë personale.

Jo më pak i rëndësishëm është edhe vlerësimi në aspektin social të nxënësve pjesëmarrës në testim. Vendbanimi, gjendja ekonomike e tyre, gjendja familjare, problemet sociale etj. etj. Nxënësit vinë nga shtresa me probleme të ndryshme socialekonomike, të cilat ndikojnë në mbarëvajtjen e tyre. Prindërit në jo pak raste nuk mundet të plotësojnë kërkesat e fëmijëve. Kjo situatë ndikon edhe në aspektin psikologjik. Ka nxënës që në familjet e tyre janë me një prind. Mundet të jenë të divorcuar apo edhe ndarë nga jeta. Edhe emigracioni i familjarëve ndikon në gjendjen emocionale të nxënësve. Këto kanë ndikim shumë të madh në jetën e fëmijëve, qoftë edhe për të mësuar. Nga analiza sociale e psikologjike dalin të dhëna interesante që duhet të lexohen me shumë kujdes nga politikbërësit në arsim dhe të merren masa për t’i zbutur sadopak ato.

Të gjitha analizat e aspekteve të ndryshme do të ndihmojnë në ndërtimin e punës për të ardhmen. Studimet duhet të bëhen pa tjetër nga specialistë të fushave, që për fat në vendin tonë ka. Ka mësues, pedagogë, sociologë, psikologë shumë të mirë profesionalisht dhe njerëz me integritet, të cilët e duan arsimin dhe kanë lidhur jetën me të.

FAKTORËT QË NDIKUAN NË REZULTAT

Me përpjekjet që po bëhen në provimin e radhës mund të ketë ndonjë përmirësim dhe shpresoj, por nuk është kjo zgjidhja reale e problemeve të shkollës. Ne duhet të lexojmë dhe mendojmë me përgjegjësi të madhe pse ramë kaq poshtë? Kuptohet kjo rënie ka shumë faktorë. Në radhë të parë mendoj se disa reforma në arsim janë bërë të pa eksperimentuara nga specialistët e fushave dhe mbase pak të shpejtuara, apo pjesërisht.

Një tjetër shkak mund të jetë edhe ndryshimi i programeve në mënyrë të pastudiuar. Këtu ka vend për të diskutuar për çdo lëndë në mënyrë konkrete. Në të gjitha lëndët, qoftë shkencore apo shoqërore ka vënd për diskutim.

P.sh në matematikë (ku është edhe rënia më e madhe në testim) të bie në sy heqja dorë nga formimi solid i koncepteve matematike dhe relacionet midis tyre. Gjithashtu mungon edhe një raport i drejtë e efektiv midis formimit dhe aftësimit të aplikimit në zgjidhjen e problemeve konkrete praktike. Dijet e marra nga nxënësit nuk u shërbejnë për jetën. Ata nuk mund t’i kuptojnë, t’i analizojnë e t’i përdorin me efektivitet për zgjidhjen e problemeve që ju paraqiten në jetën reale. E thënë shkurt, nuk kuptojnë atë që lexojnë apo mësojnë, thjesht riprodhojnë. Të gjitha arritjet në shkencë sot janë produkt i njohjes dhe përvetësimit mirë të koncepteve bazë në shkencat ekzakte. Gjithashtu përgatitja po nga shkolla që me anë të arsyetimit t’i aplikojnë në shërbim të zhvillimit. Edukimi me ide inerte nuk është vetëm i padobishëm; ai është, mbi të gjitha, i dëmshëm.

Morris Kline në librin e tij “Humbja e Sigurisë” në të cilin tregon historinë e zhvillimit të matematikës që nga shek.VI para erës sonë shkruan: “… konceptet matematike dhe aksiomat matematike i janë sugjeruar njeriut prej përvojës së tij gjatë jetës reale. Madje edhe ligjet e logjikës matematike njeriut i janë sugjeruar e janë huazuar nga përvoja e jetës së tij. Që këtu shkolla që ka detyrën t’i pajisë nxënësit edhe me shkencën e matematikës, duhet ta fillojë këtë detyrë e udhëtim në Ciklin e Ulët, nga vrojtimi e veprimi mbi realitetin objektiv, që konkretisht janë librat, fletoret e të gjitha mjetet didaktike. T’i jepen detyra konkrete e probleme nga jeta e fëmijëve. Kur kalon në Ciklin e Lartë dhe në arsimin e Mesëm nxënësi fillon e operon me koncepte matematike në zgjidhjen e problemave, pra duke abstraguar në modelet e formulat e matematikës e shkencave në përgjithësi.”

Kjo mendoj duhet të jetë në qendër të hartimit të teksteve dhe programeve në lëndët e shkencave. Edhe alterteksti mendoj që të rishikohet, që të kemi tekste unike e të mirëstudiuara. Tekstet duhet të bëhen nga specialistët më të mirë në vend. Koha tregoi se jo të gjithë tekstet ishin në nivelin e duhur shkencor apo didaktik. Për hartimin e teksteve ka kritere dhe modele të përcaktuara.

Njëkohësisht edhe tekstet e përkthyera duhet të rishihen, për nivelin e përkëthimit dhe përshtatjes. A janë në nivelin e programit? A i përgjigjen kërkesave sa dhe si duhet të programeve dhe mbi të gjitha nevojës së formimit shkencor të nxënësve tanë?

Një tjetër problem me të cilin po përballet shkolla jonë sidomos në lëndët e shkencave është rënia e nivelit të mësimdhënies nga ana e mësuesve. Dhe ky mendoj se është problemi më shqetësues sot, i cili tani është fakt. Nga se vjen kjo?

Futja në universitet e nxënësve jo cilësorë në këto degë, mendoj se është arsyeja kryesore. Gjithashtu edhe sistemi i përgatitjes së mësuesve në universitet ka vënd për t’u riparë e ndryshuar. Kurrikula gjithashtu duhet parë e përshtatur me nevojat e shkollës sot. Vëmendja duhet të fokusohet tek njohuritë shkencore dhe didaktike, të cilat duhet të jenë të qëndrueshme. Edhe motivimi për të vazhduar studimet në këto degë nga maturantët me rezultate të larta duhet të jetë prioritet.

Aspekt i rëndësishëm i përmirësimit të mësimdhënies është kualifikimi i mësuesve, i cili duhet bërë në mënyrë sistematike dhe cilësore. Përvoja jo e mirë e para shumë vjetëve e bën të domosdoshme këtë. Universitetet duhet të jenë pjesë e kualifikimeve, por kjo nuk do të thotë që të përjashtohen mësuesit me eksperiencë të gjatë dhe rezultate të mira në mësimdhënie. Edhe nga universitetet të jenë pedagogët metodistë më të mirë në fushën e tyre. Institucione të tjera që merren me probleme të arsimit mund të jenë pjesë. E rëndësishme të bëhet mirë.

Vitet e fundit është vënë re edhe heqja dorë nga disa rregulla të shkollës, që nga regjistri e zbatimi i rregullores, të cilat ndikojnë në mbarëvajtjen e shkollës. Me vendosjen e regjistrit të informatizuar mendoj se nuk bëhet jo vetëm kontrolli sistematik i nxënësve, por edhe nuk kontrollohet sa e si duhet procesi mësimor. Nuk shikohet ecuria e nxënësve në proces, e mbi këtë bazë të bëhen studime e të dalin detyra. Këto mësuesi duhet t’i mbajë në një regjistër personal! Kur dihet që regjistri dhe amza janw dokumente shtetërore. Mbase qe vendim pak i parakohshëm për vendin tonë. Mund të jetë i duhuri, por kërkon politika mbështetëse nga qeveria, që nga trajnimi i mësuesve për këtë risi, përmirësimi i infrastrukturës, dhënia akses për drejtorinë me qëllim ndjekjen e procesit mësimor etj., etj.

Shumë probleme në arsim mbase janë edhe rezultat i heqjes së inspektimit të shkollave. Në Drejtoritë Arsimore ka pasur grupe inspektimi, i cili nuk kishte qëllim denigrimin e figurës së mësuesit. Ai kontrollonte ritmin e punës, nivelin e mësimdhënies dhe njëkohësisht nxirrte problematikat e programeve, teksteve, mësimdhënies dhe nevojat e kualifikimeve. Ndryshimi i shpeshtë i drejtorëve të shkollave, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare ka ndikuar negativisht në cilësinë e arsimit.

Ndonëse PISA nuk mund të identifikojë raportet shkak-pasojë mes problemeve të arsimit dhe rezultateve të nxënësve, ajo u tregon mësuesve, politikbërësve dhe publikut të interesuar se si sistemet arsimore janë të ngjashme por edhe dallojnë. Si përfundim do të theksoja nevojën e rëndësishme të vlerësimit të testit PISA dhe ndërtimit të disa politikave dhe reformave arsimore më të studiuara. Edhe mësimdhënia duhet të ketë një qasje ndryshe. E domosdoshme që përvojat pozitive që ne kemi pasur në fushën e arsimit duhet të jenë në konsideratë. Nuk ka vlerë të themi “ne po bëjmë më të mirën që mundemi”. Suksesi arrihet duke bërë atë që është e nevojshme. Dhe unë besoj se do të bëhet, ne jemi një popull që e duam arsimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura