Një komb, dy qëndrime?

Sep 3, 2015 | 12:39
SHPËRNDAJE

Kreshnik Çollaku
Kreshnik Çollaku
KRESHNIK ÇOLLAKU

Shumëkush i referohet frazës ”Një komb, një qëndrim”, shprehja lapidar që përdori Sali Berisha në një tribunë mitingu atipik për kohën, diku pas 97-s, me ata që e përmbysën me armë e dhunë. Kosova dhe nevoja për unitet kombëtar bëri që ”armiqtë” politikë të bashkoheshin në atë miting në Tiranë.

Kjo formulë u respektua herë hapur dhe herë heshtur nga pjesa më e madhe e liderëve shqiptarë në këto dy dekada, këtej apo andej kufirit. Kjo formulë rezistoi dhe iu përshtat çdo rrethane. Formula është magjike pasi bën të ndihen mirë patriotët, nacionalistët, europianistët, ndërkombëtarët e vendësit.

Formula përcakton një projekt të përbashkët kombëtar, të cilin Shqipëria dhe Kosova ndjekin, qoftë si komb i ndarë, qoftë(apo) si dy shtete të veçanta.
Në ditët e sotme, kjo formulë e gjithëpranuar përcakton një aleancë: Aleancën me të vërtetën strategjike, që dy shtetet tona (Shqipëri –Kosovë) duhet të ndjekin. Qëllime të përbashkëta integrimi, projekte të përbashkëta zhvillimi.

Aleancat e këtij tipi përcaktojnë edhe sjellje të përbashkëta në politikat e jashtme. Miqtë apo “armiqtë” janë të përbashkët për aleatët strategjikë dhe trajtohen me të njëjtët parametra vlerësues. Kjo dëshmohet nga praktika dhe çdo manual apo analizë diplomatike lidhur me llojin e aleancave.

Është për t’u përshëndetur procesi i dialogut Serbi – Kosovë. Shqipëria e mbështet plotësisht procesin. Është për t’u përshëndetur normalizimi i marrëdhënieve Shqipëri – Serbi. Kosova e ka përshëndetur këtë.
Kjo ka ndodhur deri më sot, avancim i moderuar i qëndrimeve të përbashkëta në varësi të ndryshimit të rrethanave dhe faktorëve me politikën e jashtme të dy vendeve.

Nuk është sekret fakti se jo vetëm Shqipëria, për shkak të specifikës, por edhe vende të tjera të Ballkanit, si ato anëtare të NATO-s, apo në proces anëtarësimi… dhe vende të BE-së, ”miqësinë” diplomatike apo trajtimin e Serbisë si vend normal i denjë për BE apo për një Ballkan në BE, e bëjnë duke pasur si njësi matëse për të qëndrimin ndaj Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Kosova përcakton, në njëfarë mënyre, standardin europian të Serbisë… raportet dhe marrëdhëniet e saj me të tjerë.
Logjikshëm, kjo njësi matëse bëhet përcaktuese për Shqipërinë si vend anëtar i NATO-s, si vend kandidat për në BE.
Por diçka ka kërcitur këto kohë.

Nga çfarë shfaqet në pamje të jashtme (dukje), formula po thyhet.
Nga Vjena, Kryeministri Rama kërkon “aleancë strategjike me Serbinë dhe pajtim historik”.
Dhe nuk ishte lapsus. Kryeministri Rama e ripërsërit tezën edhe pas kthimit nga Vjena.
Nga Prishtina vjen “kërcitja” e parë disa ditë më pas. Qeveria e Kosovës, përmes ministrit të Jashtëm Thaçi, deklaron se: ”Nuk ka pajtim me Serbinë pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë”.

A ka dy qëndrime brenda një kombi për marrëdhëniet me Serbinë?
A ka filluar Shqipëria të ndjekë një kurs marrëdhëniesh me Serbinë, duke injoruar apo mos konsideruar Kosovën dhe marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën? Pse BE kushtëzon qasjen ndaj Serbisë me sjelljen e saj ndaj Kosovës dhe Shqipëria jo?
Pse vetëm Rama dallon “ndryshimin e madh” të Serbisë dhe askush tjetër, ose jo aq qartë sa Rama?

A ka vend për shqetësim, shenjat e të cilit kanë filluar të shfaqen në Prishtinë dhe Tiranë?
Duket haptas ngazëllimi disproporcional i Ramës në miqësinë e dashurinë me Vuçiç. Dy “ish-armiqtë” që çdo fjalë e njërit bënte sikur provokonte tjetrin, kanë filluar shfaqen si dy të dashuruar. Nganjëherë mund t’i ngatërrosh me dy adoleshentë që çatojnë tërë natës me njëri-tjetrin.

Edhe nëse kjo është e vërtetë, pra që Rama-Vuçiç të jenë duke kaluar një miqësi të zjarrtë mes tyre, a mjafton dashuria e Vuçiçit për Ramën si garanci për të besuar se Serbia ndryshoi qëndrim ndaj Kosovës?!
Ka disa elementë që nuk na e lejojnë vazhdimin e kësaj ëndrre romantike.

Vuçiç vjen nga një parti e filozofi ultranacionaliste, Vuçiç drejton një qeveri me forca të tjera “jomiqësore” me Kosovën, me individë që karrierën politike e kanë ndërtuar mbi platforma nacionaliste antishqiptare. Presidenti i Serbisë nuk lë rast pa shpallur se “Kosova është e jona”. Zgjedhjet e reja në Serbi janë në prag e askush nuk parashikon si e cila do të jetë qeveria e re në Serbi.

Në këtë klimë, qëndrimi i Qeverisë së Kosovës përmes Thaçit duket shumë më i pjekur dhe më i mençur, proporcional me sjelljen e Serbisë: “Nuk refuzojmë pajtim me Serbinë, por më parë ajo duhet të kërkojë falje për krimet.”
Falja është një garanci se të tilla nuk përsëriten apo mendohen të përsëriten.
Unë mendoj se, në fakt, edhe nga kjo anë e kufirit, mendjet e shëndosha dhe opinioni janë bashkuar në Një me qëndrimin e Thaçit dhe qeverisë së Kosovës. PO pajtimit me Serbinë, por pasi të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës.

Ky nuk është një kusht vetëm shqiptar për Serbinë, ky është kushti i BE-së për Serbinë.
Ndaj, kërkesa e Ramës “për aleancë strategjike me Serbinë” ngjan jetime.
Kombi mbetet sërish i bashkuar në Një qëndrim, me një ndryshim këtë radhë: qëndrimi vjen nga Prishtina dhe Brukseli…, Tirana zyrtare është jashtë loje.
Rama në këtë kontekst ka ngelur vetëm, me dashurinë  e tij për Vuçiçin. Dhe nga të dyja anët e kufirit nuk ka vend për shqetësim. Rama duhet mirëkuptuar. Është zjarr dashurie. Nuk ka lidhje me politikën e jashtme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura