“Një hap përpara në kilometrin e fundit drejt fitores”/ Manastirliu: Vaksina ruse ka dhënë garanci! Janë dhuratë e…

Mar 22, 2021 | 13:29
SHPËRNDAJE

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, dhe ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj, pritën sot në Aeroportin “Nënë Tereza” 10 mijë vaksina Sputnik V, dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve.

Manastirliu dhe Ahmetaj vlerësuan ndihmën e Emirateve të Bashkuara, ndërsa u shprehën se priten doza të tjera vaksinash nga negociatat që po zhvillohen.

“10 mijë dozat e vaksinës Sputnik, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe tashmë kanë mbërritur dhe do të shtrijmë edhe më gjerë vaksinimin. Do të vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojmë vaksinimin masiv të popullatës dhe të parapërgatitemi për të qenë më të lehtësuar edhe për turizmin”, deklaroi Manastirliu.

Ndërsa ministri Ahmetaj u shpreh: “Në emër të qeverisë shqiptare falënderojmë qeverinë e Emirateve dhe Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara, Muhammed Bin Zayed. Na u gjendën me tërmetin, po gjenden edhe me Pandeminë”, tha Ahmetaj.

Manastirliu nënvizoi se Komiteti i Imunizimit ka dhënë garancinë për përdorimin e vaksinave.

“Komiteti i Iminizimit dhe gjithë strukturat të cilat merren me certifikimin, sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave tashmë kanë dhënë prej disa javësh garancinë për vaksinat, që ofrojnë siguri dhe efikasitet”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se procesi vaksinimit ka vijuar me ritme të shtuara edhe në fundjavë, ku deri tani janë vaksinuar mbi 11 mijë mësues.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 46,515 doza të vaksinës ndaj COVID19.

Janë kryer 27,334 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,753 vaksinime për të moshuar dhe 11,428 vaksinime për arsimtarët.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura