Një ekspozitë- protestë kundër ndotjes së mjedisit

Apr 5, 2011 | 11:23
SHPËRNDAJE
Instalacion nga Najada Hamza, paraqitur në ekspozitën “Mjedis”

“Piktorët e oborrit të mbretit pikturonin familjen e mbretit, ndërsa tani pikturojmë familjet tona”.Kështu do të shprehej një piktor që hapi ekspozitën pak ditë më parë, për të “justifikuar” arsyen pse artet pamore po bëhen gjithnjë e më të angazhuara, gjithnjë e më shumë pasqyrë e së përditshmes, e shqetësueses. Gjithnjë i kemi menduar si të mënjanuar, si të mbyllur në studiot e tyre, duke hedhur në telajo ca botë gjithnjë e më shumë të ngatërruara, gjithnjë e më shumë të pashpjegueshme me fjalë, gjithnjë e më shumë ndjesore. Megjithatë, së fundmi artistët pamorë duket se po na bindin se nuk jetojnë të izoluar dhe se janë të shqetësuar nga çdo gjë që na shqetëson të gjithëve, madje ata kanë mundësi edhe ta shprehin faqe botës atë që mendojnë. Gjendja politike, varfëria, urbanistika, gjithçka zë vend të fokusin e tyre. Së fundmi kanë vendosur të flasin për mjedisin. Pikërisht kështu titullohet ekspozita e kuruar nga artisti Genc Mulliqi, e hapur dy ditë më parë, e cila ka nëntitullin: Kushtuar harresës mjedisore. Për kuratorin Mulliqi, mjedisi, ndotja e tij, i përket atyre gjërave madhore, që ndikojnë në mënyrë direkte në jetën e njeriut. Ai na sjell atë shembullin e vazos, e cila nxë brenda saj gurët e mëdhenj, guralecët dhe grimcat e rërës. Mjedisi është një nga ata “gurët e mëdhenj” në jetën e njeriut, ndërsa grimcat e rërës janë e përditshmja, e cila ndonjëherë na merr aq shumë kohë, saqë harrojmë të merremi me gjërat e mëdha dhe të rëndësishme. “Në rropatjen e përditshme pas halleve, fjalëve, sherreve, shpesh harrojmë ato që janë më të rëndësishme. Harrojmë kryesoren, shëndetin tonë, shëndetin e të afërmve apo fëmijëve tanë. Harrojmë mjedisin ku jetojmë, ajrin që thithim, ujin që pimë, që janë dhe përcaktuesit e shëndetit. Kur sëmuret një fëmijë, shkojmë tek mjeku dhe harrojmë që nuk bëjmë asgjë për t’i siguruar fëmijës një ambient të shëndetshëm. Punët tona të përditshme i kryejmë në një mjedis mjeran, ku sundojnë qeset dhe shishet plastike, ku nuk arrijmë më të dallojmë pisllëkun se ai është i përhershëm. Nuk është një rastësi që i vetmi libër cilësor me pamje nga Shqipëria, që është në qarkullim dhe që u dhurohet miqve të huaj prej qeveritarëve tanë, është “Shqipëria nga ajri”, pra Shqipëria e parë nga një farë lartësie/largësie. Nëse do t’i afroheshim terrenit shqiptar, nuk do të gjejmë në të zana e kreshnikë në lëndina me blerim shekullor, as heronj apo kooperativiste faqekuqe mes arave me grurë, por qese plastike që valëviten nëpër pemë, shiringa në plazhe, antenat e telefonive celulare në maja malesh, fëmijë obezë…”, shprehet kuratori Mulliqi, për të shpjeguar arsyet pse duhej një ekspozitë e tillë.
Pjesëmarrësit
Duket se çështja e mjedisit për Genc Mulliqin është një kauzë që duhet mbrojtur dhe kësaj kauze i kanë shtuar plot 16 artistë, të cilët përmes gjuhës së pikturës, vizatimit, posterit, instilacionit, videos, fotografisë kanë shprehur qëndrimin e tyre ndaj këtij problemi. Dhe bëhet fjalë për emra të njohur të artit pamor shqiptar, si Albes Fusha, Ali Oseku, Altin Lika, Ardian Isufi, Arben Bajo, Artan Peqini, Gazmend Leka, Genc Mulliqi, Genc Përmeti, Ilir Butka, Ilir Kaso, Najada Hamza, Petraq Papa, Sadik Spahija, Viktor Ferraj e Vladimir Myrtezai. “Problemi mjedisor eshte tashmë i përbotshëm, por askund në Europë nuk është aq urgjent sa në Shqipëri, dhe këtu vlen më shume se kudo aksioma ‘Think global act local’. Një grup artistësh japin kontributin e tyre modest për ndërgjegjësimin ndaj problemit të mjedisit në një ekspozitë. Ideja e ndryshimit të realitetit me anë të artit nuk është e re, konsiderohet utopike, megjithatë artistët nuk kanë reshtur përpjekjet për të ndryshuar diçka. Kjo ekspozitë, ka në fokus pikërisht realitetin shqiptar me problematikën jetike të  mjedisit. Artistët pjesëmarrës i bashkon në këtë ngjarje ky shqetësim”, vazhdon Mulliqi. Për të qenë sa më afër mjedisit, për hapjen e kësaj ekspozite nuk është zgjedhur ndonjë hapësirë galerie. Ekspozita zhvillohet diku në periferi, pak më larg ndotjes akustike dhe ambientale të qendrës së Tiranës, në Nacional Sport Park (NSP), ku është zgjedhur një ndërtesë e papërfunduar, në një mjedis që momentalisht është një oaz qetësie dhe pastërtie pranë lumit të Tiranës, por që po kthehet në një qendër të re të plehrave të kryeqytetit. Krahas punëve të vendosura nëpër ndërtesën e papërfunduar, kishte edhe nga ato të inkuadruara në natyrë, si në rastin e instilacionit “Pa titull” të Ardian Isufit. Si individualitete krijuese, këndvështrimet artistike janë nga më të ndryshmet. Megjithatë, të gjithë janë pësues të një problemi të përbashkët dhe në një mënyrë apo tjetër, veprat që përbëjnë këtë ekspozitë përshkruajnë raportin mes individit dhe mjedisit, apo natyrës dhe urbanistikës. Dëshmi e asfiksisë së përgjithshme dhe papërgjegjshmërisë individuale ndaj së tërës.

Angazhimi

Kasaphana urbanistike, gllabërimi i hapësirave të gjelbra, shkatërrimi i monumenteve të kulturës, ndotja e mjedisit, janë disa nga temat, që trajtohen gjerësisht në artet pamore. Gjithnjë e më shumë artistët po e ndiejnë si detyrë që të thonë fjalën e tyre në lidhje me tema të rëndësishme dhe që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetët e tyre. Vetëm pak ditë më parë, piktori Edi Hila hapi një ekspozitë të titulluar “Viti 2011”, ku përmes pikturës shprehte “protestën” e tij kundër shembjes së Piramidës.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura