Nisma Thurje padit në SPAK ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, Pano Soko: Të hetohet gara fiktive

Mar 26, 2024 | 13:32
SHPËRNDAJE

“Nisma Thurje”  ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku për proçedurën e dhënies me koncesion të portit të Vlorës dhe dhënien e truallit prej 57 mijë metra katrorë me qira 1 euro për kompleksin rezidencial Vlora Marina. 

Belinda bAlluku

Pano Soko nga Nisma Thurje ngriti dyshime se procedurat e dhënies së koncesionit për portin Marina Vlorë nga ana e ministres infrastrukturës dhe energjisë, si dhe dhënia e 57 mijë metra katrorë truall në pronësi publike janë bërë në kundërshtim me ligjin, duke shkelur barazinë në tendera dhe ka dëmtuar interesat e shtetit.

Ai gjithashtu u shpreh se edhe Ministria e Financave përmes veprimeve dhe mosveprimeve të saj ka lejuar ndryshimin e aksionerëve që kanë fituar tenderin,  duke ngritur dyshimet mbi një skemë me përfitues të fshehtë, ku disa kompani hyjnë në garë fiktivisht vetëm për përmbushjen e kritereve të kërkuara ekonomike, teknike dhe të eksperiencës, por largohen me të përfunduar procedurat konkuruese, duke ia lënë administrimin përfituesit real.

Për këto arsye Pano Soko, kërkoi nga SPAK nisjen e hetimeve për zyrtarët e lartë të përfshirë në këto procedura, si dhe në sigurimin e padisë, duke pezulluar punimet në Vlora Marina.

Ndërsa Endrit Shabani u shpreh se ky kallëzim është një nga ‘xhevairët e korrupsionit qeveri-oligarki përmes skemave të PPP-ve”, të cilat po e lënë Shqipërinë një vend të varfër, duke i gllabëruar tokat publike, plazhet, ishujt dhe zonat historike.

Ai theksoi se Nisma Thurje është i vetmi partner real i SPAK, duke treguar se nga njëra anë administrata publike ka bërë ZERO kallëzime në SPAK, ndërsa opozita nuk guxon të kallëzojë aferat ku përfshihen oligarkët.

Të pyetur se kush janë zyrtarët e përfshirë në këtë aferë, Shabani u shpreh se “në këtë dosje do gjeni firmën e Edi Ramës dhe të dy ministrave, por është detyrë e SPAK ta verifikojë se deri në ç’pikë janë përfshirë në shkeljen e ligjit ata apo biznesmenët që kanë përfituar nga ky koncesion”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura