Nishani dekoron personalitete të shquara të artit, kulturës dhe sportit

Dec 31, 2012 | 10:12
SHPËRNDAJE

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbyllje të vitit 2012, kur Shqipëria dhe shqiptarët kremtuan madhërishëm 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, nderoi lart veprën e shquar dhe kontributin e disa personaliteteve të artit, kulturës dhe sportit shqiptar.

Kreu i Shtetit duke sjellë në vëmendje vitin 2012, si vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, nënvizoi se vlerësimi dhe nderimi i disa përfaqësuesve të spikatur të botës së artit dhe të kulturës për kontributet e tyre në këtë përvjetor është modest krahasuar me veprën e tyre.

pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, në një atmosferë solemne, të ngrohtë e miqësore, Kryetari i Shtetit nderoi këto figura të shquara për sportdashësit dhe spektatorët shqiptarë:

Loro Boriçi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nder i Kombit”, me motivacionin: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë me talentin e tij të rrallë, ai ishte dhe mbetet ikona e futbollit shqiptar.”

Prokop Mima (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Njëri nga themeluesit e Teatrit Kombëtar, i cili vuri talentin, kulturën e diksionin e tij të përsosur në shërbim të artit skenik dhe të teatrit shqiptar duke simbolizuar shprehjen e një mjeshtrie interpretuese të pashoqe.”

Zotin Mihallaq Luarasi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit të palodhur i teatrit, i cili nuk u tërhoq as përballë dhunës së diktaturës duke e përdorur artin skenik si tribunën prej nga duhet të ushtojnë të vërteta dhe vlera universale”.

Zotin Kolec Topalli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në saje të vullnetit për t’i shërbyer me përkushtim studimit të gjuhës sonë, i ka çuar më tej dhe i ka ngritur edhe më lart studimet në fushën e gjuhësisë, me thjeshtësinë dhe vetëdijen e një shkencëtari të mirëfilltë.”

Zotin Rikard Ljarja me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Me larminë e interpretimeve të tij të përkryera, sidomos në kinematografi, ai është shndërruar në njërin nga aktorët më të adhuruar e mbresëlënës të filmit shqiptar dhe skenave teatrore.”

Zotin Fatos Kongoli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Shkrimtarit që trajton me mjeshtri anë të ndryshme të jetës sonë shoqërore. Veprat e tij me nivel të lartë letrar, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, kanë pasuruar botën e krijimtarisë letrare shqiptare.”

Zonjën Justina Alia me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktores dhe këngëtares së talentuar, e cila në saje të pasionit dhe forcës shpërthyese interpretuese shkëlqeu në skenën artistike shqiptare si një meteor i shndritshëm.”

Zotin Alush Shima me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit virtuoz të penelit dhe shpërthimit të ngjyrave të gjalla, i cili rindërtoi në kanavacë realitetin e tij pamor duke i shpalosur mbarë botës një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist.”

Zotin Visar Zhiti me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Poetit, prozatorit dhe publicistit, i cili me sinqeritetin e rrëfimit dhe me forcën e shprehjes artistike shquhet për dhuntinë e fjalës, duke u bërë një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura