Nis nesër edicioni i III “Interational Albanian Brass Festival”

Apr 22, 2018 | 10:15
SHPËRNDAJE

Edicioni i III “International Albanian Brass Festival” zhvillohet më 23-28 prill 2018, pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. Ky edicion, si edhe të mëparshmit, ka të ftuar personalitete të rangut botëror, të njohur për veprimtarinë e tyre artistike dhe pedagogjike. Misioni i këtij festivali është nxitja e zhvillimit të artit muzikor në Shqipëri përmes këtij bashkëpunimi ndërkombëtar, si një vlerë e shtuar për artin shqiptar, veçanërisht në ditët e sotme ku ka një problematikë të gjerë.

Do të jetë më shumë se një festival ndërkombëtar, një festë që do të mbledhë së bashku artistë të mëdhenj. Këtë vit ka më shumë të ftuar që do të performojnë, por edhe që do të mbajnë mësime të hapura me nxënës të shkollave të mesme, studentë të Universitetit të Arteve Tiranë dhe Fakultetit të Arteve Prishtinë, si dhe për pedagogët përkatës të këtyre institucioneve arsimore.47

Realizimi i këtij festivali bëhet me qëllimin që të krijojë impakt te publiku, pasi kjo lloj muzike është shumë afër tij, të arrihet një sensibilizim për prurje të reja në shkolla për këto instrumente, pasi janë baza e Orkestrave Simfonike dhe Frymore, sepse me një udhëzim të padrejtë dhe të pastudiuar mirë, janë bllokuar prurjet në shkollat 9-vjeçare me pretendimin se nuk janë instrumente masive dhe të dëmshme për shëndetin, në një kohë që eksperienca botërore po tregon se fëmijët po i fillojnë këto instrumente në moshën 6 dhe 7 vjeç.

Sot, në botë, ka një rikthim në traditë dhe largim nga muzika elektronike, e cila në vendin tonë, të jemi realistë, ka zëvendësuar në mënyrë të padrejtë orkestra të tëra 100% në të gjithë trupat profesioniste të varieteteve.

Njohja me teknikat e reja të lojës në instrumentet e tunxhit është gjithashtu një nga synimet kryesore të këtij festivali. Të gjithë të ftuarit si pedagogë të shquar në vendet e tyre janë në funksion të këtij qëllimi. Mësimet do të jenë falas për të gjithë studentët dhe çdo ditë, në orën 1000, në sallën “Çesk Zadeja”, do të ketë leksione të hapura jo vetëm për instrumentistët e këtij komuniteti, por edhe studentë dhe pedagogë të degëve të tjera, sidomos për njohjen e teknikave të muzikës jazz. Nata finale do të jetë në Parkun e Liqenit, falë bashkëpunimit të përhershëm me Qendrën e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë Tiranë.

TË FTUARIT SPECIALË TË KËTIJ EDICIONI

Trombistët: Paul Goudchild(Australi) solisti i Orkestrës Simfonike të Sidney dhe pedagog i Universitetit të Sidney Australi, Sergiu Caresta (Rumani) solist dhe profesor i universitetit të Timoshearës. Kornistët: Arkady Shilkloper(Rusi) – Multi-instrumentist Jazz-i, ish-solist i “Balshoi Theatre” Moske dhe sot i lirë, si një prej artistëve më në zë të muzikës Jazz e me një kalendar të ngjeshur artistik. Luca Benucci (Itali) – Kornistsolist pranë Orkestrës Magio Fiorentino, si dhe drejtor i një prej festivaleve më të famshëm ndërkombëtare “Italian Brass Week”, dhe pedagog i njohur me një eksperiencë në shumë vende si USA, Gjermani, Kinë etj. Bastubistët Avital Handler dhe Haim Mazar(Israel) -solistë pranë Orkestrës së Operas së Tel Avivit, të diplomuar në USA, Juliard Scole New York. Autorë të disa CD-ve muzikore dhe të shumë regjistrimeve audio në studiot më të njohura në botë. Tomonistja Dr. Katie Cox (USA) -pedagoge pranë North Carolina University, USA . OFFA Brass Quintet – I përbërë nga elementët e parë të Orkestrës së Forcave të Armatosura. Gent Shahini – një prej pianistëve të muzikës Jazz më të mirë në vend, diplomuar në Pragë, Çeki. Albanian Brass Ensemble – I cili përbëhet nga 13 artistë të rëndësishëm të institucioneve kulturore në vend si: UA, RTSH, TKOB, OFFA. Pjesëtarët e këtij ansambli, në kuadrin e vitit të Heroit tonë Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, do të luajnë Suitën nga filmi “Skënderbeu”, kompozuar nga Cesk Zadeja, të përshtatur për këtë formacion nga mjeshtri I njohur Adrian Wagner. Albanian Folk Brass – Ansambël i bazuar në këngë tradicionale shqiptare duke i risjellë ato në një mënyrë krejt të veçantë. U.A Brass Band – I përbërë nga studentët e Universitetit të Arteve me dirigjent Artan Licaj. Fanfara Arbëria e përbërë nga instrumentistë të talentuar në Tiranë me një repertor folk dhe latin. Orkestra Frymore e Universitetit të Arteve me përbërje nga studentë të këtij universiteti drejtuar nga Artan Liçaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura