Ngjarja e Aeroportit, alarm për Sigurinë kombëtare

Jul 5, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

piro-ahmetajGJENERAL PIRO AHMETAJ

Përtej grabitjes dhe sasisë 3 milionë € në pistën e Aeroportit të Rinasit (më shumë apo më pak nuk ka rëndësi), po paraqes një vlerësim profesional strategjik për impaktin mbi sigurinë kombëtare të kësaj ngjarjeje:

1. Është kërcënuar më rëndë se asnjëherë tjetër pas 1997-s siguria kombëtare. Kjo mendoj që duhet të lexohet dhe adresohet me qetësi, me përgjegjshmëri shtetare.

2. Praktikisht është “pushtuar Aeroporti”, një infrastrukturë e rëndësisë strategjike, e RSH-së dhe NATO-s! Kjo pasi hynë dhe dolën, “pa u hyrë as gjemb në këmbe”, një grup kriminal i armatosur, të cilët mund të realizonin një akt terrorist, me pasoja fatale, mundet lehtësisht të rrëmbenin avionin dhe si “rast renegate” mundet të kërcënonin seriozisht terinë territoriale të NATO-s, sigurisht edhe atë të RSH-së!

3. Në kontekstin e kohës: kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur vetëm një ditë pas aktit terrorist në Aeroportin e Stambollit, si dhe kur “bota është ende e përgjakur dhe e shokuar” nga ngjarjet e Brukselit, Parisit etj., si dhe kur niveli i kërcënimit dhe “gatishmërisë së strukturave përgjegjëse për sigurinë në Aeroportin e Rinasit ishte konfirmuar zyrtarisht në shkallen më të lartë”!

4. Është një ngjarje e përsëritur frikshëm dy vitet e fundit në aksin Tiranë-Vorë-Rinas, që është aksi kyç me rëndësi strategjike kombëtare, për rajonin dhe jo vetëm.

5. Është një shqetësim kritik, dhe një mesazh shumë i keq për partnerët tanë të NATO-s, aleatin strategjik SHBA, BE-në etj. 6. Është një pikëpyetje legjitime nga qytetarët e zakonshëm: “Kur bien, kapen apo pushtohen aeroportet” – cila është garancia që japin strukturat e shtetit për sigurinë e jetës, pronës së qytetarëve, stabilitetit, demokracisë së një vendi të NATOs dhe kërcënimeve të interesave mbarëkombëtare?!

7. Sjellje e papërgjegjshme zyrtare, do ta gjykoja reagimin e strukturave përgjegjëse pas ngjarjes. E ndihmuar edhe nga “oligarkia e frikshme mediatike … “, zyrtarë të institucioneve dhe strukturave për sigurinë dhe stabilitetin, në vend që të marrin përgjegjësitë (të japin dorëheqjen, p.sh.), siç ndodh normalisht në çdo vend perëndimor, ia kalojnë në mënyrë qesharake përgjegjësinë njëra-tjetrës dhe bëjnë propagandë te devijojnë, duke kaluar tërë përgjegjësinë te kompanitë private, të cilat po ashtu duhet të licencohen për “standarde të rrepta” nga pikërisht këto struktura!!!

8. Si ekspert për sigurinë kombëtare, gjykoj se Shqipëria është shumë herët “të bëhet fanar ndriçues”, duke u bërë “partneritet publik” me taksat e shqiptarëve, për interesat jetike të sigurisë kombëtare. Thëne më shkoqur, gjykoj se “me partneritet publik”, shteti nuk mundet të shesë/delegojë te kompanitë private përgjegjësitë dhe standardet e sigurisë kombëtare, sidomos kur vjen fjala për infrastrukturat strategjike, që kanë mpakte kritike për jetën e qytetareve, stabilitetin demokratik në vend.

Uroj dhe lutem që kjo ngjarje të mos përdoret për të “gjetur në vend të zgjidhjeve/ naftës – armikun e radhës”!

*Këshilltar Ushtarak i Presidentit të Republikës! Opinionet në këtë shkrim janë tërësisht këndvështrime profesionale të autorit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura