Nga miqësia në burg te betimi për hakmarrje, Denis Shtraza në burg përjetë për vrasjen e Çollakut

Mar 20, 2018 | 11:00
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dënojë me burgim të përjetshëm Denis Shtrazën, i cili u shpall fajtor për vrasjen dhe rrëmbimin e Gazmend Çollakut.

denis-shtrazaa

Pas disa seancash shtyrjeje, ditën e djeshme u bënë edhe konkluzionet e mbrojtjes nga avokati Neshat Fana. Më pas, trupa gjykuese u tërhoq për vendim dhe shpalli disa minuta më pas verdiktin e saj. Shtraza, i cili nuk e ka pranuar asnjëherë fajësinë për vrasjen e Gazmend Çollakut, pritet që ta apelojë vendimin.

Gazmend Çollaku u rrëmbye në janar 2016 në qytetin e Durrësit dhe u gjet një ditë më vonë në një fshat të Krujës, anës rrugës dhe i pajetë. Policia menjëherë pas ngjarjes ndaloi Denis Shtrazën dhe ishefektivin e Policisë, Ervin Dalipajn, për ngjarjen. Por, për mungesë provash, ata u liruan.

Më pas, Shtraza u arrestua me urdhër të Prokurorisë, ndërsa Dalipaj u shpall në kërkim. Ky i fundit u ekzekutua në një atentat në Sukth disa muaj më vonë dhe hetimet ndaj tij pushuan. I vetmi i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut ishte Denis Shtraza.

Sipas Prokurorisë, Shtraza kishte fajësuar Çollakun për plagosjen e tij në vitit 2013. Atij iu bë atentat, por mbeti i plagosur. Kështu, Prokuroria thotë se Shtraza ishte betuar se do të hakmerrej për plagosjen dhe se e dinte se kush e kishte bërë atë, duke akuzuar Gazmend Çollakun. Shtraza, së bashku me ish-efektivin e Policisë Ervin Dalipajn, i akuzuar gjithashtu për vrasjen, kanë dhënë deklarata kontradiktore në Prokurori.

Një nga provat më të forta të Prokurorisë kanë qenë testet e ADN-së. Gjaku i Shtrazës është gjetur në mjetin e Dalipajt, me të cilin u rrëmbye dhe u vra Gazmend Çollaku. Edhe gjaku i viktimës është gjetur në bagazhin e mjetit tip “Benz” të të ndjerit Dalipaj.

Me gjithë ekspertimet që i janë bërë mjetit, nuk u mundësua dot që nga GPS-i i tij të nxirreshin të dhë- na të sakta për itinerarin që ai ka përshkruar ditën e rrëmbimit të Çollakut. Denis Shtraza dhe Gazmend Çollaku mësohet se kanë pasur miqësi në burg, ku kanë vuajtur dënime për vepra penale të ndryshme.

Ky ka qenë edhe një argument i mbrojtjes se Shtraza nuk ka pasur motiv që ta ekzekutojë të ndjerin. Mirëpo, Prokuroria pretendon se Shtraza ka akuzuar Çollakun për atentatin që i është bërë atij në vitin 2013.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura