Nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, tek ish-Kryeministri/ Kush janë zyrtarët e lartë të cilët janë shpallur të padëshirueshëm nga Uashingtoni! Blinken: SHBA bëjnë përgjegjës ata që…

Apr 12, 2022 | 7:33
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i dha jehonë dje vendimit të Departamentit të Shtetit, i cili ndërmori sanksione ekonomike ndaj ishdeputetit Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi.

departamentiishtetitamerikan

Përmes një postimi në “Twitter”, numri dy i SHBAsë theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe po vendosin para përgjegjësisë ata të cilët kërcënojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Postimi i Blinken nuk u referohej vetëm vendimeve për Shqipërinë, por edhe për ishzyrtarë të tjerë të lartë në Ballkanin Perëndimor.

“Sot Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Zyra e Thesarit të SHBAsë ndërmorën veprime për të caktuar aktorë në Ballkanin Perëndimor për aktivitete destabilizuese dhe korruptive. SHBA dhe partnerët, si Britania e Madhe, po mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin europian të rajonit”, shkroi Blinken.

Ish-deputeti i PDIU-së dhe biznesmeni Ndroqi janë të partë që sanksionohen ekonomikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi deri tani kemi pasur disa shpallje “non grata”.

LISTA “NON GRATA”

Më herët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur qëndrimin e tyre kundër korrupsionit duke shpallur të padëshiruar persona për të cilët shprehen se kanë mbledhur informacione të konsiderueshme që faktojnë korrupsionin.

Kujtojmë se më 19 maj të vitit të kaluar ishKryeministri Sali Berisha u shpall “non grata” nga SHBA bashkë me familjen e tij. Në vendimin e DASH të publikuar në faqen zyrtare, ish-Kryeministri shqiptar akuzohej se ka përdorur pushtetin e tij për përfitime dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në SHBA Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës, Argita Berisha Malltezi. Por operacioni me “non grata” nuk nisi me ish-Kryeministrin Berisha. Ky i fundi e cilësoi vendimin e DASH një vendim politik të influencuar nga raporte joqeveritare të financuara nga fondacioni i Xhorxh Sorosit.

Ndërkohë, ai ndërmori edhe një padi për shpifje ndaj Sekretarit Blinken në Gjykatën e Kasacionit në Francë. Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit do të shpallte “non grata” (të padëshiruar) më 14 shkurt 2018 ish-Prokurorin e Përgjithshëm shqiptar, Adriatik Llalla, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.

Në vendimin e DASH thuhej: “Përveç përcaktimit të z. Llalla, Sekretari po përcakton publikisht edhe bashkëshortin e z. Llalla, Ardjana Llalla, vajzën e tij, Eni Llalla dhe fëmijën tjetër të tij, shtetas joamerikan”.

Aktualisht ish-Kryeprokurori është dënuar me 2 vite burg. Llalla u shpall fajtor për deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë. Sipas Gjykatës, dënimi do të bëhet në një burg të sigurisë së zakonshme. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përveç dënimit me burg, vendosi që Llallës t’i hiqet për 5 vite e drejta për të ushtruar funksione publike, ndërsa pasuria e tij kaloi në favor të shtetit.

Bëhet fjalë për 4 sipërfaqe toke, në total 22 mijë metra katrore dhe 1 apartament në Durrës. Pak javë më pas, më 16 prill 2018, DASH i ndaloi me të njëjtin motivacion hyrjen në SHBA deputetit Tom Doshi, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

“Përveç përcaktimit të z. Doshi, Departamenti po përcakton publikisht edhe bashkëshorten e z. Doshi, Xhovana Doshi, vajzën e tij të rritur, Briana Doshi, djalin e tij të rritur, James Doshi dhe fëmijët e tij të mitur”, thuhej në vendim.

Më 30 korrik 2019, DASH vendosi të shpallë si person të padëshiruar, duke i refuzuar hyrjen në SHBA ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe familjes së tij. Shkak mbetej sërish përfshirja e këtij zyrtari të lartë në korrupsion.

“Sekretari i Shtetit po përcakton publikisht kryetarin e Bashkisë shqiptare të Durrësit, Vangjush Dako, nën Seksionin 7031 (c) të Aktit të Departamentit të Shtetit, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të rëndësishëm”.

Ndroqi: Do të kërkoj heqjen e emrit nga lista thesarit të DASH

Biznesmeni Ylli Ndroqi reagoi dje pas vendimit të Departamentit të Thesarit. Ndroqi shprehet se ka respektuar ligjet e vendit dhe ka kontribuar për ekonominë. Në një reagim zyrtar, ai thekson se beson tek organet e drejtësisë dhe prej dy vitesh po mbron të vërtetën e tij para GJKKO-së.

Ndroqi shton se është mbështetës i Reformës në Drejtësi dhe i interesave të SHBA-së në vend.

“Me keqardhje mësova sot lajmin se unë Ylli Ndroqi jam futur në listën e Departamentit të Thesarit të SHBA-së. Lidhur me këtë lajm, dëshiroj t’i bëj me dije publikut si vijon: Kam respektuar ligjet e RSH duke kontribuar për ekonominë e vendit. Vlerësoj të ndaj me publikun faktin se nuk kam mbajtur asnjë pozicion në administratën shtetërore. Unë besoj fort tek organet e drejtësisë dhe prej 2 vitesh po mbroj të vërtetën time para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe kam besim se ajo do të vendosë si një gjykatë e pavarur dhe e krijuar me ligj.

Kam qenë dhe mbetem mbështetës i reformave të kryera në vend, duke përfshirë Reformën në Drejtësi dhe, mbi të gjitha, jam dhe mbetem mbështetës i interesave të SHBA-së në vend dhe më gjerë dhe besoj fort që miqësia midis vendit tonë dhe SHBA-së është e një rëndësie thelbësore dhe bazo het në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Unë besoj në vlerat mbi të cilat janë krijuar dhe funksionon SHBA, të cilat janë universale. Po ashtu, duke vlerësuar që ky vendim është marrë mbi bazën e informacioneve të gabuara, duke besuar fort në drejtësinë e vendimmarrjes së institucioneve të SHBA-së, do të përdor të drejtën time për të kërkuar heqjen e emrit nga lista, duke vënë në dispozicion të autoriteteve çdo informacion që ato të kenë nevojë.

Vlerësoj me rëndësi të sqaroj publikun se, sipas legjislacionit amerikan, vendosja e emrit në këtë listë është e rishikueshme dhe nuk ka të bëjë me asnjë nga rastet e mëparshme në Shqipëri. Shpreh besimin që ky vendim do të rishikohet dhe emri do të hiqet nga kjo listë”, reagoi Ndroqi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura