Nga atentati në Tiranë te trafiku i drogës në Itali. Kush është Kreshnik Farruku që i çoi letër OFL-ja, përdorte 10 emra

Feb 26, 2020 | 14:41
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Kreshik Farruku dhe Fatjon Laze janë dy subjektet e radhës së Forcës së Ligjit, të cilët brenda 48 orëve duhet t’u përgjigjen me shkrim pyetjeve në formularin që u dërgoi dje OFL-ja. 

Kreshink Farruku Budlla
Kreshink Farruku Budlla

“Vijon Operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, personave që janë subjekt i këtij ligji. Në këtë kuadër, OFL-ja u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve: Kreshnik Budlla (Farruku) banues në Durrës, i dënuar në Spanjë për trafikim të lëndëve narkotike, Fatjon Laze, banues në Elbasan, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike”, tha dje Policia e Shtetit.

FATION LAZE

Fation Laze nga Elbasani, sipas Policisë është i dënuar për trafik droge, është vëllai i presidentit të klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze. Ai u arrestua në dhjetor të vitit 2008, gjatë një operacioni, në Lushnjë. Në atë kohë, u dyshua edhe vetë Arben Laze si kreu i rrjetit të trafikut të drogës, por që nga hetimet më tej, përgjegjësia u përqendrua te vëllai i tij Fajtoni. Ata akuzoheshin për trafik të heroinës.

Fatjon Laze u zbulua nga një pako me 1 kg heroinë që ia nisi një bashkëpunëtorit të tij në Lushnjë. Nga përgjimet, Prokuroria i kapi në flagrancë në momentin e dorëzimit të pakos. Por në atë kohë, Prokuroria për Krime të Rënda tha se dyshohet që pas një trafiku më të gjerë droge mes Maqedonisë-Shqipërisë-Greqisë e Italisë, të fshihej Arben Laze dhe jo vëllai i tij. E mbi këto dyshime bëri arrestimin e presidentit të klubit “Elbasani” teksa kthehej nga Maqedonia. Por një vit më pas, Arben Laze fitoi pafajësinë.

KRESHNIK FARRUKU

Në maj të vitit të kaluar, Policia ka arrestuar në Madrid shtetasin shqiptar Kreshnik Farruku, të cilin mediat spanjolle e konsiderojnë si liderin e rrezikshëm të një klani për trafikimin ndërkombëtar të kokainës. Ndaj tij rezultonte të kishte një urdhërarresti europian të lëshuar nga Italia që nga viti 2018, për të njëjtën çështje që Policia spanjolle e kishte hetuar që nga viti 2007.

Kreshink Farruku Budlla
Kreshink Farruku Budlla

Në atë kohë, në Spanjë ai dyshohej edhe për grabitjen e vilës së biznesmenit Jose Luis Moreno, në Boadilla. Farruku, i cili njihej edhe me mbiemrin Budlla, u arrestua në fund të prillit në një hotel që ndodhet në rrugën “Joan Maragall Chamartin”, pranë La Castellana, në Spanjë. Mediat vendase shkruanin se kur atij iu afrua një agjent policie, Farruku u përpoq të vërtetonte identitetin e tij me dokumente spanjolle dhe shqiptare në emër të personave të tjerë. Më pas, Policia zbuloi se ai kishte përdorur deri në 10 identitete të ndryshme, për të shmangur zbulimin.

“I ndaluari dyshohet se është pjesë e klanit ‘Farruku’, një organizatë kriminale shqiptare që ishte e lidhur me vjedhje, trafikimin e kokainës dhe krime të tjera të lidhura me trafikun e drogës. Burime të grupit hetimor kanë shpjeguar se ai ishte hetuar fillimisht në vitin 2007, sepse dyshohej se ishte i lidhur me grupin e shqiptarëve që sulmuan në atë vit në shtëpinë e biznesmenit Jose Luis Moreno, por nuk u arrestua për këtë. Më herët, ai i kishte shpëtuar edhe një atentati me armë zjarri në zonën e “Don Boskos”, në Tiranë, ku mbeti e plagosur një kalimtare.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura