Nexhmije Hoxha, Lady Makbeth e Ballkanit

Apr 20, 2011 | 10:38
SHPËRNDAJE

Nexhmija, e veja e diktatorit Enver Hoxha, më 9 shkurt të këtij viti mbushi 90 vjeç. Ajo vazhdon të ketë një ndikim indirekt në politikën shqiptare, nënvizon e përjavshmja “France Catholique”, në numrin e saj të 25 marsit, në recensionin për monografinë e Fahri Balliut, “Zonja e zezë, Nexhmije Hoxha”, publikuar nga “Favre”

Për një grua të vjetër, të padenjë, me një të kaluar të përgjakshme, Fahri Balliu, gazetar dhe botues i medias në Tiranë, i ka kushtuar një biografi në formën e një padie, përkthyer së fundi edhe në frëngjisht. Ai vetë ka jetuar nën zgjedhën e totalitarizmit dhe i vuri vetes detyrë që të mbante të paprekur kujtesën mbi krimet dhe abuzimet e komunizmit.
Në Shqipëri, ëndrra marksiste-leniniste për një kohë të gjatë pati si shëmbëlltyrë fytyrën e Enver Hoxhës, admiruesin e tërbuar të Stalinit, ndonëse ishte i brumosur me kulturën franceze, pasi kishte ndjekur studimet në Montpelier dhe në Paris.
Por, nën hijen e tiranit fshihej një grua e paepur, për të cilën shkrimtari Ismail Kadare e ndërton portretin e saj në parathënien e librit: “Ajo u shqua për mendjengushtësinë dhe egërsinë e pashoqe, çka bëri që populli shqiptar t’i vinte nofkën “Pantera e zezë”. Ndërsa nuk mbahet mend asnjë rast që të ketë luajtur edhe më të voglin rol zbutës në tragjedinë shqiptare, dihen, përkundrazi, raste të shumta kur është treguar edhe më e egër se i shoqi”.
Dhe, duke e krahasuar me të venë e Mao Ce Dunit, apo edhe me Elena Çausheskun, Kadare e thotë troç: “Nuk është e vështirë të merret me mend se në këtë hierarki të zezë, ajo zë vendin më të errët”.
Nexhmije Xhuglini lindi në Manastir, qytet që aktualisht ndodhet në Maqedoni, nga prindër shqiptarë të emigruar në Serbi. Ishte vetëm 8 vjeçe kur zbuloi për herë të parë Shqipërinë e mbretit Zog, kur i ati i saj erdhi për të punuar pranë Kryqit të Kuq. U regjistrua në institutin e vajzave “Nana Mbretëreshë”, një institucion me peshë në Tiranë, i rezervuar për zonjushat aristokrate nga radhët e borgjezisë. Pas pushtimit italian ajo përfshihet në lëvizjen antifashiste dhe më pas në Partinë Komuniste, duke e lidhur fatin e saj me atë të Enver Hoxhës, në një “marrëdhënie të paqartë dhe pa pasion”. Tani e tutje Nexhmija do të jetë dvojnika (dubluesja) e zotërisë më të fuqishëm në Shqipërinë komuniste. Në fillim në shtratin e diktatorit, pastaj, pak nga pak, del në plan të parë edhe me keqësimin e gjendjes shëndetësore të diktatorit, Ledi Makbeth e Ballkanit do të burgosë pak nga pak të gjithë “kundërshtarët”, deri te mikeshat e saj të hershme të shkollës, sikurse të gjithë të afërmit e disidentëve. Për shkak të saj dhe të paranojës së saj, familje të tëra do të kalbeshin në gulagët shqiptarë. Ajo bëri që të mbretëronte terrori edhe brenda klanit të udhëheqjes, “si ujkonja që ha bijtë e saj”. Pas vdekjes së Enver Hoxhës, në vitin 1985, Nexhmija merr drejtimin e Frontit Demokratik. Rënia e komunizmit do t’i kushtojë asaj vetëm pak muaj burg për abuzime me fondet publike. Menjëherë sapo doli nga burgu, “vejusha e zezë” rinisi përpjekjet e veta për përmbushjen e misionit të falsifikimit të historisë, apo siç thotë ajo, rishkrimit të saj.

 

Nga: Filip Delmorne

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura