“Netët e leximit”, nis sot gara e dramës shqipe

Apr 20, 2015 | 23:27
SHPËRNDAJE

Tashmë duket se formula për të nxjerrë dramën shqipe nga kriza është drejt zgjidhjes.

Sot, Teatri Kombëtar do të fillojë edicionin e dytë të aktivitetit “Netët e leximit të dramës shqipe 2”, konceptuar për herë të parë në 2014 nga TK për promovimin e dramaturgjisë shqipe. Pas edicionit të parë, i cili me gjithë vështirësitë e fillimit rezultoi të kishte një impakt pozitiv dhe të tërhiqte jo pak vëmendje në qarqet artistike, Teatri Kombëtar shpall organizimin e edicionit të dytë të projektit. “Netët e leximit” nuk është thjesht një garë, e cila funksionon mes autorëve dhe një komisioni përzgjedhës, por fut në lojë edhe publikun, i cili përmes duartrokitjeve dhe reagimit bëhet pjesë e përzgjedhjes së pjesëve më të mira.

Nga komedia “Shtëpia pa dritare”

Një vit më parë, në garë morën pjesë plot 44 vepra, prej të cilave u përzgjodhën 9 syresh për të qenë pjesë e “Netëve të leximit”, ndërsa 3 pjesë patën fatin të futen në kalendarin e TK për sezonin 2014-2015 dhe 2015-2016. EDICIONI I DYTË Ashtu si edhe edicionin e parë, edhe këtë vit ky projekt do të kalojë përmes tri fazash seleksionimi. Sipas një njoftimi të Teatrit Kombëtar, brenda një periudhe 15-ditore, duke filluar nga dita e sotshme deri më 5 maj, të gjithë dramaturgët janë të ftuar të dorëzojnë pranë sekretarisë së institucionit veprat e tyre. Ato duhet të paraqiten në tri kopje të shtypura dhe një kopje në CD.

Me veprën duhet të bashkëngjitet edhe një sinopsis i shkurtër. Ndërsa faza e parë është koha e dorëzimit të materialeve gjatë fazës së dytë, do të ngrihet Komisioni i Leximit të Dramës Shqipe, në përbërje të të cilit do të ketë profesionistë të njohur të teatrit. Janë ata që do të bëjnë seleksionimin paraprak të veprave më të përshtatshme për t’iu nënshtruar fazës së tretë.

Një vit më parë, pjesë e këtij komisioni ishin aktorët Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Dritan Boriçi dhe regjisorët Spiro Duni dhe Sesilia Plasari. Ndërsa emrat e anëtarëve të komisionit të këtij edicioni do të bëhen publikë në ditët në vazhdim.

Duke synuar që të kthehet në një traditë të qëndrueshme dhe, pse jo, në një institucion, këtë vit, ky aktivitet do të ketë si kuratore dhe një drejtoreshë artistike. Bëhet fjalë për regjisoren Elma Dorezi, e njohur tashmë nga publiku për vëniet e suksesshme të komedive “Karnavalet e Korçës”, “14 vjeç dhëndër” etj. Më tej, në fazën e tretë, veprat e përzgjedhura do t’i nënshtrohen sistemit të leximit publik të veprës artistike nga aktorë të TK-së sipas një programi të paracaktuar.

Teatri i leximit, i njohur dhe shumë i përhapur në të gjithë botën, për herë të parë u aplikua edhe në Shqipëri, në edicionin e parë të këtij aktiviteti. Zhvillimi i këtij projekti erdhi si domosdoshmëri për shkak të një krize të gjatë të dramës shqipe. Edhe pse ka vite që diskutohet rreth këtij problemi dhe nxitjes së autorëve, asnjë konkurs apo debat i hapur nuk ka dhënë rezultatet e kërkuara.

“Netët e leximit të dramës shqipe” synon të jetë një zgjidhje. Në fund të aktivitetit të këtij viti, TK do të bëjë publike edhe tekstet e dramës shqipe, që do të jenë pjesë e repertorit të kalendarit artistik 2015-2016.

NGA ALMA MILE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura