“Në varrim ishim vetëm 6 persona”, nipi i Mehmetit: Si e gjetëm në ‘85 babanë e vdekur në një pellg me ujë

Jul 1, 2020 | 14:20
SHPËRNDAJE

DASHNOR KALOÇI / Vrasja apo vetëvrasja e ish-Kryeministrit më jetëgjatë shqiptar, Mehmet Shehu, vazhdon ende të mbetet një nga ngjarjet jo vetëm më të përfolura, por edhe më misterioze.mehmeti

Nipi i tij, Kujtim Shehu, djali i vëllait, Arshiut, është dëshmitar okular i asaj që ndodhi në vilën e Mehmet Shehut menjëherë pas marrjes së lajmit, ceremonisë mortore dhe asaj që ndodhi më pas.

Në një intervistë për “Memorie.al”, Kujtim Shehu tregon detaje të patreguara më parë, që nga ceremonia e pazakontë për numrin 2 të shtetit, te përballja me ushtarët që nuk i lejonin të hynin në vilë e më pas tragjeditë që pasuan jetën e tyre familjare, që nga vdekja e babait dhe fatkeqësitë që u ranë motrave të tij.mehmeti enveri

Sipas Kujtim Shehut, vdekja e babait të tij, e birit të Mehmetit, Vladimirit, janë të dyshimta ashtu si edhe ajo e Mehmetit. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për vrasje, por vetëvrasje. Po aq të dyshimtë e quan edhe vdekjen e Fiqiret Shehut në Burgun e Shën Kollit.

Po gjatë natës, a u diskutua aty në mes jush se si do të bëhej ceremonia e varrimit?

Aty nuk u diskutua fare për ceremoni varrimi, sepse siç po shihej situata, kuptohej lehtë se nuk bëhej fjalë fare për ceremoni varrimi nga shteti. Por me sa mbaj mend unë, atë gjë Ladit ia kishin komunikuar oficerët përkatës, që varrimi i Mehmetit do të bëhej në Sharrë.mehmet_shehu-780x439

Kur dolët nga vila për të shkuar në varreza?

Pasi erdhi Ladi me Dritën, pas tyre erdhi dhe një punonjës i Komunales, i cili solli arkivolin që ishte krejt i zakonshëm. Pasi ne të gjithë që ishim aty e puthëm Mehmetin për herë të fundit, punonjësi i Komunales e mbylli kapakun e arkivolit. Pas kësaj u vendos që në varreza do të shkonim unë me Ladin, Bashkimin, Nexhipin, Lefterin e Marjetën. Ndërsa Fiqiretja me gruan e Duros do të rrinin aty për t’u kujdesur për Bardhën, e cila priste makinën për të shkuar në maternitet për të lindur. Pas kësaj, ne të gjashtë morëm arkivolin dhe dolëm jashtë në oborrin e vilës, ku te hyrja e saj kishte ardhur makina e varrimit, një “Zuk” i vjetër që përdorej nga Komunalja për popullatën.

Kur dolët nga vila me arkivolin e Mehmetit, si ishte situata rreth saj, a kishte përforcime në rojet e shërbimit?

Para se të përgjigjem për këtë, në parantezë desha të them se ai shi i madh që kishte nisur dhe binte pa pushim që nga mbrëmja e një nate më parë, pushoi sikur ta kishte ndaluar njeri me dorë, sapo ne dolëm nga hyrja kryesore e vilës dhe në atë kohë doli një rreze dielli. Po kështu, sapo ne futëm arkivolin në makinën e funeralit, shiu filloi përsëri të binte, njësoj si më përpara. Kjo që po ju them është mëse e saktë dhe mua më kanë mbetur në mendje si një diçka e pazakontë, pasi si pasardhës i një familjeje shehlerësh, unë jam shumë besimtar dhe them se ajo gjë s’ishte thjesht një rastësi. Ndërsa për masat e sigurisë rreth vilës dhe gjithë Bllokut, ato ishin të përforcuara, ashtu si një ditë më parë, me ushtarë dhe oficerë të shumtë, gjë e cila dallohej akoma më mirë atë ditë.

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Përveç jush, a kishte njerëz të tjerë aty jashtë që do të vinin në varreza dhe çfarë itinerari përshkuat për të shkuar në Sharrë ku do bëhej varrimi?

Përveç ne të gjashtëve nuk kishte asnjë njeri tjetër për të ardhur në varreza. Pasi e vendosëm arkivolin në makinën “Zuk” të funeralit, ku ishte vetëm shoferi i ndërmarrjes Komunale, makina u nis duke kaluar në rrugën prapa Komitetit Qendror të asaj kohe, nga ana jugore, aty ku sot është Kryesia e Kuvendit Popullor, rrugë e cila shpie në drejtim të Lanës. Ndërsa makina ecte para, pas saj ishin Ladi, Marjeta e Bashkimi dhe pas tyre ecja unë me xhaxhanë, Nexhipin, e vjehrrin e Ladit, Lefterin. Ndërsa ne ecnim pas makinës, nga brenda murit rrethues me kangjella të Komitetit Qendror pamë që kishin dalë shumë punonjës të Kryeministrisë dhe të Ministrisë së Jashtme, godina e së cilës asokohe ndodhej ngjitur me të. Sapo kaluam godinën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, pamë të ndaluar një autobus të vjetër tip “Zis”, (nga ata që prodhoheshin asokohe në Shkodër), të cilin e kishin nxjerrë për të na marrë ne për në varreza. Ai autobus ishte fare i vjetër dhe pjesa më e madhe e dritareve ishin pa xhama, por ne zumë vend aty pa folur fare. Pasi makina kaloi pas lulishtes, ku sot ndodhen bustet e vëllezërve Frashëri, u kthye majtas duke përshkuar të gjithë rrugën buzë Lanës, deri tek ura e “Vasil Shantos”. Nga aty nuk u kthyem për nga rruga që të çon te kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, por vazhduam drejt Lanës dhe dolëm në rrugën nacionale që të shpie për në Kombinat e më pas në varrezat e Sharrës.mehmet-shehu-me-familjen-

Përse kaluat andej dhe jo nga rruga kryesore, ku kalonin zakonisht makinat e kortezheve?

Makinën e varrimit dhe autobusin i komandonte tjetër njeri, pa na pyetur ne dhe shoferët zbatuan urdhrat që kishin marrë prej atyre që kishin organizuar atë kortezh prej gjashtë vetash.

Po kur shkuat në varreza, a kishte ndonjë njeri tjetër që kishte ardhur aty?

Në varrezat e Sharrës ne mbërritëm rreth orës 11 e 30, ku vazhdonte të binte ende shi dhe aty nuk kishte asnjeri tjetër të gjallë, përveç nesh. Sapo zbritëm arkivolin, makina “Zuk” e funeralit dhe autobusi u larguan menjëherë prej aty. Kur arritëm te varri i hapur, (parcela e fundit, rreshti i tretë nga balli), ulëm arkivolin përmbi pirgun e dheut dhe në atë kohë vumë re se në një distancë rreth 20-25 metra larg nesh, disa punonjës të Sigurimit të Shtetit u vendosën në formë harku me fytyrë nga ne. Pasi nxorëm arkivolin, Ladi nxori një letër nga xhepi dhe foli rreth një minutë, duke e lexuar atë që kishte shkruar. Pas fjalëve të tij që ishin dhe lamtumira e fundit, aty erdhën dy punonjës të varrezave, të cilët me lopatat që ishin aty filluan të mbulonin varrin me dhe, duke u ndihmuar edhe nga ne. Kaq ishte e gjithë ceremonia e varrimit, që zgjati jo më shumë se 10 minuta.

Me çfarë u kthyet nga varrezat në shtëpi?

Ne u larguam me një “Gaz” prej gjashtë vendesh, që e kishin sjellë enkas për ne, pasi aq persona bëheshim gjithsej. Edhe ai automjet që e kishin marrë në Gardën e Republikës ishte shumë i vjetër dhe në vend të ndenjësve, kishte stola druri.

Deri ku shkuat me atë automjet?

Ai automjet na la diku te Libri Universitar dhe pasi zbritëm aty për të shkuar në vilë, nuk dolëm nga rruga kryesore e hyrjes për në Bllok, pra aty te Komiteti Qendror, por i ramë nga lulishtja që është përballë godinës së Presidencës së sotme. Aty na ndaluan rojet dhe oficeri i shërbimit na tha se kishte urdhër për të mos na lënë që të futeshim brenda.

A reagoi ndonjëri prej jush?

Pasi na lanë nja 30 minuta në shi, ku ne u bëmë ujë, unë fillova të bëja fjalë me oficerët e shërbimit, duke u thënë se në vilë kisha babanë e sëmurë. Por Ladi filloi të më fliste, duke më thënë që të mos bëja fjalë me oficerët, pasi ata vetëm sa zbatonin urdhrat që ua kishin dhënë të tjerët.

Si e justifikonin ata atë gjë, pra urdhrin për të mos ju lënë të futeshit në vilë?

Me sa kuptuam ne, aty kishte kontradikta në urdhrat që ishin dhënë për të na penguar ne dhe pas insistimit të Ladit, ajo gjë u sqarua dhe na lanë të futeshim. Kur u futëm në shtëpi, takuam Fiqiretin dhe ndërsa ne i treguam se si shkoi varrimi, ajo na bëri kafet.

Sa qëndruat aty?

Unë nuk qëndrova shumë dhe bashkë me babanë, Arshiun, dolëm për të kapur trenin për të shkuar në Fier. Gjatë gjithë rrugës, edhe në tren, ne kishim njerëz të Sigurimit të Shtetit që na survejonin, pothuaj haptas, pa tentuar të fshiheshin.

Gjatë udhëtimit me tren për në Fier, a biseduat ndonjë gjë me babanë?

Që kur hipëm në tren, ne na ngushëlluan fatorinot dhe njerëz të tjerë fierakë që na njihnin mirë. Babai, gjatë gjithë rrugës, pothuaj qëndronte i heshtur dhe vetëm një herë foli me zë të ulët, duke më thënë: “Mjerë ju ku do përfundoni, por inshallah i lënë bashkë ata tre djem”, duke e pasur fjalën për Ladin, Skënderin dhe Bashkimin.

Po kur shkuat në shtëpinë tuaj në Fier, a kishte njerëz që kishin shkuar për ngushëllim?

Atë natë që ne ndodheshim në Tiranë, në shtëpinë tonë kishte shkuar për ngushëllim sekretari i dytë i Komitetit të Partisë së rrethit, Vullnet Radovicka, i cili më pas e “pagoi shtrenjtë” atë gjë, pasi e përjashtuan edhe nga Partia, duke e dërguar mësues në fshat. Pas asaj dite, situata për familjen tonë u bë shumë e rëndë dhe duke e ditur atë gjë, babai u dërgoi fjalë të afërmve dhe miqve tanë, që më mirë të mos na vinin në shtëpi, se do kishin probleme dhe pasoja. Mua më dërgoi babai në Patos te shtëpia e Alush Manes, vëllait të Qamail Mane Islamit, mikut të ngushtë të Mehmetit. Unë ia dhashë porosinë e babait, pra, që të mos ndiheshin, por edhe Alushi u godit më pas me gjithë familjen e tij.

Si rrodhën më pas ngjarjet me familjen tuaj?

Pas ngjarjes së Mehmetit, familja jonë ishte vazhdimisht nën survejimin e njerëzve të Sigurimit të Shtetit dhe pasi tentuan disa herë që të na nxirrnin edhe nga shtëpia, na e hoqën të drejtën e ushtrimit të profesioneve që kishim pasur. Ndërsa ngjarja më tragjike ishte ajo e kunatit tonë, Llazi Polo (bashkëshorti i motrës sonë të madhe), të cilit në atë kohë iu bënë shumë presione duke e thërritur disa herë në Komitetin e Partisë. Si rezultat i tyre, ai pësoi një depresion të rëndë dhe u shtrua gjashtë muaj në Spitalin Psikiatrik. Vetëm dy javë pasi doli që andej, në kushtet tepër të rënduara psikologjike, ai i dha fund jetës, duke bërë vetëvrasje, pasi u hodh nga kati i pestë i pallatit ku banonte. Pas kësaj, motra ime mbeti e ve vetëm me dy fëmijët jetimë pa baba. Po kështu, një fat të tillë pati edhe motra e tretë, Merushja, bashkëshorti i së cilës (A.S.), që punonte si Oficer Sigurimi, u soll shumë poshtërsisht me të, duke ia marrë fëmijët pasi manipuloi gjyqin dhe e la motrën tonë në gjendje çmendurie.

Po me babanë tuaj, Arshiun, çfarë ndodhi?

Që nga ngjarja me Mehmetin, babai mbeti vetëm se iu larguan të gjithë dhe s’i fliste më njeri me gojë. Në fillim, atë e përjashtuan nga Partia dhe më pas e ripranuan përsëri dhe e gjithë ajo bëhej që ta detyronin atë të fliste kundër vëllait të tij, Mehmetit. Deri aty nga fillimi i vitit 1985, babai kaloi momente tepër të vështira dhe strese të jashtëzakonshme. Më datën 7 mars 1985, ndërsa unë isha duke punuar, djali i motrës sime erdhi dhe më tha se kishte humbur gjyshi. Unë shkova menjëherë në shtëpi dhe dy motrat e mija, Merushja me Pranverën, kishin dalë për ta kërkuar dhe e kishin gjetur në afërsi të Urës së Mbrostarit, anës trasesë së trenit, në një pellg të vogël me pak ujë që e kishte lënë lumi që kalonte aty afër. Fytyra e tij ishte e mbuluar me baltë dhe ai dha shpirt në duart e tyre.

Ç’kishte ndodhur me të, ishte vdekje natyrale (se mund të ishte rrëzuar), vrasje, apo vetëvrasje?!

Ajo vdekje ngjalli shumë dyshime për familjen tonë, por unë as sot nuk e mendoj se babai kishte bërë vetëvrasje, siç u tha në atë kohë nga ana e Mjekësisë Ligjore. Këtë gjë unë e shpjegoj thjesht me deduksion logjik, se: po të donte për të vrarë vetën, babai mund të hidhej e të mbytej tek Ura e Mbrostarit dhe jo ku u gjet atje, te një pellg me fare pak ujë dhe shumë baltë. Po kështu, ka dhe një fakt tjetër që e rrëzon versionin zyrtar të vetëvrasjes. Pak para asaj ngjarjeje, pra, vdekjes së tij, rreth 1 km larg atij vendi, babai është parë nga disa njerëz, që të takohej me një person (banues në Fier dhe me origjinë nga Veriu i Shqipërisë), i cili njihej nga të gjithë që punonte për Sigurimin e Shtetit. Ajo gjë s’mund të ketë qenë thjesht rastësi?! Ashtu siç kam dyshuar gjithnjë për vdekjen e babait tim, Arshiut, unë kam dyshuar edhe për atë të djalit të xhaxhait, Vladimirit, që edhe për të thanë se u vetëvra. Po kështu, kam shumë dyshime edhe për vdekjen në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura të Fiqiretit, në Burgun e Shën Kollit.

Ku i bazoni ato dyshime?

Ato i bazoj në shumë gjëra dhe fakte të ndryshme, por preferoj që të mos flas tani për to. Gjej rastin t’ju them vetëm konkluzionet që unë kam nxjerrë prej tyre: Sigurimit të Shtetit, gjithnjë sipas udhëzimeve që merrte nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, i interesonte vdekja e Vladimirit dhe e babait tim, Arshiut, për të thënë atë që tha dhe Partia, pra, që “ata u vetëvranë, ashtu si dhe Mehmet Shehu”. Pra, duke hapur versionin e vetëvrasjes së tyre, i thuhej popullit, se: “Ashtu si Mehmeti, edhe Arshiu dhe Vladimiri, i dhanë fund jetës, pasi e kishin në gen vetëvrasjen”. Gjithçka bëhej për të mbuluar vrasjen e Mehmetit.

Pse ju besoni se Mehmetin e kanë vrarë?

Që Mehmet Shehun e kanë vrarë, atë e di e gjithë Shqipëria. Por nuk ka shumë rëndësi se kush e tërhoqi këmbëzën e pistoletës. Mehmeti ishte “vrarë” disa muaj përpara dhe në mesnatën e 18 dhjetorit 1981, atij vetëm sa iu bënë “formalitetet e fundit”./Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura