“Në trekëndëshin e së keqes janë më shumë persona”/ Zëdhënësi i Presidencës i përgjigjet Bashës: S’mendoj se ka shqiptar që beson se Meta u ikën përgjegjësive

Nov 19, 2021 | 9:42
SHPËRNDAJE

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, ka reaguar pas deklaratave të përsëritura të Lulzim Bashës për trekëndëshin e Bermudës, pjesë të së cilës ka bërë edhe kreun e shtetit.

Meta 1

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Blushi ka shprehur keqardhje që Basha përfshin Presidentin në krizat që sipas tij, kryedemokrati i ka shpikur vetë. Deklaratës së Bashës gjatë një interviste televizive se në trekëndëshin e së keqes janë më shume se tre persona, lidhjet me oligarkët dhe krimin, zëdhënësi i kreut të shtetit i ka kujtuar edhe katërkëndëshin e përgjegjësive madhore.

Sipas Presidentit, kryedemokrati Basha ka bërë 4 gabime gjatë drejtimit të PD-së që sipas tij kanë çuar në kapjen e shtetit deri në këtë pikë nga Kryeministri Edi Rama. Nga bojkoti i reformës administrative-territoriale dhe bojkoti i Reformës në Drejtësi, te djegia e mandateve të deputetëve dhe zerimi i opozitës në pushtetin vendor janë katër kulmet e katërkëndëshit që Meta akuzon Bashën se nuk mori përgjegjësitë e tij.

Në mesazhin e tij në “Facebook”, Blushi shkruan se kur z. Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99, duke e ironizuar për marrëdhënien e shifrat. Për zëdhënësit e Presidentit të Republikës nuk ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ndërsa shton se Basha nuk mund ta provokojë Presidentin dhe t’i adresojë atij përgjegjësitë e tij.

Megjithatë, sipas Blushit Presidenti Meta është i gatshëm ta presë në zyrën e tij kryedemokratin Basha për të sqaruar çdo paqartësi. Kujtojmë që pak ditë më parë Presidenti Ilir Meta iu përgjigj personalisht deklaratës së Lulzim Bashës, i cili e futi në një grup me Sali Berishën dhe Edi Ramën, duke i quajtur “Trekëndëshi i Bermudës” që duhet të largohet nga politika shqiptare.

REAGIMI

“Keqardhje, që z. Lulzim Basha vazhdon të përfshijë Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta, në krizat që ai vetë i shpik pa u lodhur. Për këtë arsye, i rikujtojmë z. Basha, katërkëndëshin e përgjegjësive të tij madhore: Bojkoti i reformës administrative-territoriale; Bojkoti i Reformës në Drejtësi; Djegia e mandateve të deputetëve; Zerimi i opozitës në pushtetin vendor që sollën kapjen totale të shtetit. Megjithatë, Presidenti i Republikës vazhdon të ketë vullnetin ta mirëpresë z. Basha, për çdo sqarim apo paqartësi, në zyrën e tij në Institucionin e Presidentit, ku gjithmonë është mirëpritur, sa herë ka kërkuar takime dhe ndihmë për të dalë nga bojkotet dhe krizat, që i shpikte vetë. Kur z. Basha të takohet me Presidentin Meta do ta pranojë përfundimisht që 7 herë 7 bëjnë 49, as 42 apo 99. Për Lulzim Bashën dhe çdo aktor tjetër të Partisë Demokratike, që kërkon të provokojë Presidentin e Republikës, duke i transferuar përgjegjësitë e tij për krizat dhe bojkotet, që sollën kapjen totale të shtetit, Presidenti i Republikës z. Ilir Meta ka vetëm një përgjigje: Transparencën dhe faktet! Nuk besoj se ka demokrat dhe shqiptar, që beson se Presidenti Meta u ikën përgjegjësive dhe ballafaqimeve për çështje të rëndësishme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura