Në rrethimin pa shtegdalje të fakteve

Nov 13, 2017 | 16:52
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

Është e njohur anekdota që tregohet për një grua që kapet më në fund nga bashkëshorti duke kryer marrëdhënie seksuale me një tjetër. – Po tani, si do të justifikohesh tani? – i thotë burri, duke dashur t’i kthejë reston e gënjeshtrave të mëparshme, por edhe kurioz se çfarë do t’i pjellë mendja tradhtares që nuk ka nga luan më. – S’po bëja asgjë! – hidhet gruaja serbes. – Si ta nxë goja, të pashë me këto sy! – O zot, sa pak më dashke! U beson syve të tu dhe nuk u beson fjalëve të mia.

zogaj

Paralelizmat çalojnë ashtu si krahasimet. Realisht nuk dua të heq paralele, por fjalia e fundit e anekdotës është në thelb përgjigjja që ofron kryeministri Rama dhe skuadra e tij sa herë kapen në flagrancë me fakte: Si ka mundësi që ju u besoni syve tuaj dhe nuk u besoni fjalëve tona. (Kjo, “si ka mundësi”, sikurse lëvizja e duarve me pëllëmbët në gjysmë harku para gjoksin, në shëmbëllimin e personazhit të komisarit në filmat e realizmit socialist, janë shenjat më dalluese të shprehjes dhe gjesteve të Ramës dhe skuadrës së tij imituese).

Në funksion të synimit dhe pretendimit të tyre për të mbuluar me fjalë gjithë çfarë shohin sytë e opozitës, gazetarëve apo qytetarëve, ata kanë ngritur në këmbë dhe financojnë një industri të tërë të demagogjisë, gjuhëspërdredhjes dhe gënjeshtrës, të cilën e reklamojnë edhe si talentin më të madh që natyra i ka dhënë zotit Edi Rama: talentin për ta shitur sapunin për djathë, aftësinë për ta bërë të zezën të bardhën dhe të bardhën të zezë si askush tjetër para tij.

E gjithë kjo në të folurën e bashkëpunëtorëve dhe fansave të tij më të afërt quhet oratori e nivelit të lartë. Oratori ka vite që jeton brenda flaterive të veta prej misionari. Ka analistë që e konsiderojnë këtë një mënyrë dinake për të ambalazhuar me fjalë dhe synime të bukura realitetin e kanabizimit dhe kriminalizimit pa precedent në qeverinë e tij me idenë për t’u dukur sikur ai vetë është dorëjashtë. Ka të tjerë që mendojnë se Rama nuk e ka shtirje flatërinë shëlbuese, por siç e thotë De Mestre, shëlbimi i sinqertë si shprehje e mendjes së prishur prodhon katastrofa më të mëdha se dinakëria dhe hipokrizia.

Në të vërtetë, përkundrejt rezultateve të qeverisjes, nuk ka rëndësi nëse Rama shtiret si misionar apo është prekur nga virusi i shëlbimit. Kanabizimi dhe ortakëria me krimin e organizuar në nivel qeveritar, janë dy rekorde të qeverisë së tij. Në syrin e ciklonit në këtë periudhë është Saimir Tahiri, krahu i djathtë i zotit Rama gjatë qeverisjes 2013-2017, i kuotuar me diferencë mbi ministrat e tjerë në sondazhet brenda së majtës rilindase. Edhe pse ylli i tij qe fikur pa u ndezur mirë qysh ditën e parë të punës si ministër kur doli përpara elitës së policisë së shtetit, oficerë me grada të larta e shumë të larta të fituara me meritë shumë prej tyre, dhe deklaroi: “Nga ky moment të gjithë jeni në provë”.

E kam përmendur shpesh dhe vazhdoj ta evokoj këtë ngjarje të turpshme për të treguar se rruga e shtrembër fillon nga fjalët dhe komportimi i gabuar, që janë pasqyrë e formimit dhe qëllimeve. Po të kishte një minimum shtetari në formim dhe karakter kryeministri Edi Rama, apo kushdo tjetër në vend të tij, nuk do të kishte nevojë të priste katër vjet për t’i thënë “stop” një ministri që u drejtohet ashtu oficerëve të lartë. Do ta kishte ndihmuar në kohë njeriun, prindin, qytetarin Saimir.

Fillimi i tij këtë vazhdim do të kishte. Këtë vazhdim dhe këtë përfundim që po shohim sot të gjithë. Në fakt, siç dihet, ministri i plotfuqishëm i Ramës nuk u la kohë të viheshin në provë oficerëve të karrierës që ishin planifikuar të shkarkoheshin, të uleshin në detyrë apo të çoheshin në poste të papërshtatshme me qëllim që të tërhiqeshin vetë. I “shpërndau” pa vonesë për t’i zëvendësuar me të preferuarit e tij dhe të skuadrës rilindase. Në atë kohë e gjithë reprezalja u bë nën tamtamet e retorikës për reformimin e policisë së shtetitretorikë e shpifur tashmë edhe për ata që e kanë besuar.

Sot, në dritën e fakteve publike, po del qartë për këdo se “reforma” e famshme ka sjellë në poste kyçe drejtues që kanë asistuar dhe garantuar narkokultivimin dhe narkotrafikun në shkallë të gjerë. Rama, me postin që mban, qëndron në krye të kësaj ndërmarrjeje në të zezë. Pa qenë i përfshirë vetë, po të doni! Ja, po e themi edhe këtë që ai vetë nuk e ka ngjyer gishtin, por sa para bën kjo për aulën e gjykimit publik ku gjykohen përgjegjësitë politike, ndërkohë që penalet janë punë e tjetërkujt.

Kjo ndërmarrje nuk ka qenë si një re që vjen dhe mbulon për një çast qiellin e kthjellët, shkarkohet dhe ikën. Ka zgjatur minimalisht tre vjet të mandatit të qeverisë. Faktet këtu ka qenë. Këtu janë. I ka denoncuar opozita. I kanë denoncuar disa media dhe gazetarë kurajozë. I kanë denoncuar me të rrallë edhe qytetarët. Gjithçka mund të thotë kryeministri, por që nuk e ka parë e nuk e ka ditur ç’po ndodh me narkotrafikun dhe si po çimentohet ortakëria e krimit me eksponentë të qeverisë dhe “policisë që duam”, këtë mund ta thotë veçse me çmimin e vetëshpalljes gënjeshtar me brirë. E ka ditur që ç’ke me të. Më mirë se askush.

Ia ka thënë opozita kur ka bërë sikur nuk e di. Në këtë rrafsh, zoti Rama ka autorësinë e një akti shumë të rëndë për një qeveritar: ai ka shfrytëzuar problemet që ka trashëguar opozita e vendit në rrafshin e besueshmërisë publike pas humbjes në vitin 2013, si dhe ekuivoket që krijoi kjo opozitë me vetingun në javët e para të çadrës, pra i ka shfrytë- zuar këto për të mos u përmbajtur, për ta lëshuar pa duar. Faktet janë si fija e së vërtetës që zgjidh gjithë gënjeshtrën.

Rasti “Tahiri” është maja e madhe e një ajsbergu të madh. E gjithë piramida e qeverisë dhe qeverisjes së Edi Ramës është në rrethimin pa shtegdalje të fakteve që provojnë mashtrimet dhe paligjshmërinë e saj. A nuk është fakt i vërtetuar gënjeshtra e stërmadhe e tetorit 2016, ku sipas Ramës dhe Tahirit 99,98 për qind e drogës së mbjellë ishte asgjësuar? Kush e llogarit sa frymëzim u ka dhënë bandave dhe sa dëme i ka sjellë vendit kjo gënjeshtër e vetëdijshme?

A nuk është një fakt i njohur botërisht dhe i anashkaluar nga qeveria rënia në pikiatë e euros në katër javët e fushatës elektorale për shkakun e vetëm të hedhjes së miliona eurove për të blerë vota për llogari të PS-së , por edhe LSI-së e PDIU-së? Ka pasur njerëz që nuk kanë besuar në fillim, kur e kam ngritur e zhvilluar me një mori faktesh mbështetëse këtë argument. Sot, në dritën e skandaleve që po shpërthejnë si minat, po kuptohet gjerësisht se droga dhe krimi kanë qenë një forcë e madhe elektorale në mbështetje të partive qeveritare.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë folur për dhjetëra e qindra denoncime, duke akuzuar prokurorinë shqiptare që nuk vepron. Duhet të veprojë Prokuroria, patjetër. Por asnjë denoncim në kushte terrori nuk vlen sa fakti i fakteve, fakti i ekonomisë, fakti i bursës, fakti i zhvlerësimit të euros për shkak të shitblerjes. Faktet po vijnë nga Italia dhe vendet partnere. Faktet po dalin në sipërfaqe sa më shumë shkon përpara shpërthimi i gjirizeve ku u ngjiz, u rrit dhe u bë monstër ortakëria e politikës me krimin e organizuar.

Mjedisi qeveritar, i vetëdijshëm se kështu është e vërteta, ka kohë që u atribuon herë nën zë e herë fare hapur partnerëve ndërkombëtare një rol vendimtar në maisjen e kësaj gjendjeje sikur ndërkombëtarët, “për arsye që i dinë ata”, kanë toleruar me dashje kanabizimin e Shqipërisë dhe blerjen e votës gjithashtu. Përndryshe do kishin folur e vepruar para zgjedhjeve- argumenti i shqiptarëve!

Në gjykimin dhe bindjen time, kjo është një sajesë tipike e mendjeshkurtësisë që lundron mbi miliona. Ndërkombëtarët kanë një axhendë dhe kanë përparësitë e tyre për Shqipërinë, siç ka qenë dhe është reforma në drejtësi, fjala vjen, por nuk mund të ndodhë kurrë të bekojnë kanabizimin e vendit dhe blerjen e votës për sytë e bukur të njërit dhe sytë e pabur të një tjetri. Kjo nuk ndodh. Kryeministri Edi Rama iludohet kot, nëse iludohet.

Ai nuk ka me kë ta ndajë përgjegjësinë e rëndë politike për drogën, krimin dhe zgjedhjet. Llogaridhënia, distancimi nga mandatet e shitblerjes, gjë që nënkupton hapjen për zgjidhje politike, janë minimalja që bën një kryetar qeverie në një rast të tillë. Lufta kundër krimit me protagonizmin fatlum të partnerëve ndërkombëtarë do ta çojë vendin drejt këtij zhvillimi. Kryeministri thjesht ka në dorë të afrojë afatet. Në këtë rrafsh opozita duhet të jetë gjithnjë e sintonuar në axhendë me axhendën amerikano-europiane.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura