Në pritje me shpresë të votimeve parlamentare të 25 prillit 2021

Apr 2, 2021 | 10:23
SHPËRNDAJE

sami_repishti

SAMI REPISHTI

Zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në Shqipëri, më 25 prill 2021, kanë marrë nji randësi të veçantë për qytetarët shqiptarë si dhe për vëzhguesit e brendshëm dhe të jashtëm. Kjo ashtë koha, ky ashtë momenti që detyron udhëheqjen politike të vendit me paraqitë nji program konsistent socioekonomik dhe politik. E meta kryesore duket se ashtë mungesa e nji orientimi politik të studjuem mirë nga klasat udhëheqëse dhe nji ngritje e dukshme e pakënaqësisë popullore me qeverisjen tetëvjeçare të Partisë Socialiste njipartiake të vendit. Dy muej ma parë, SHBA kaloi nji krizë të randë dhe artificiale të demokracisë 245-vjeçare amerikane, si rrjedhim i veprimtarive kundërligjore të ishPresidentit D.J. Trump, që kulminoi me sulmin fizik kundër ndërtesës së Kapitolit (selia e Kongresit Amerikan). Ky akt banditesk u përballue me gjakftohtësi, por kushtoi pesë jetë njerëzore të pafajshme dhe disa miliona dollarë dame materiale. Në fund të ballafaqimit në mes të rebelëve pa nji kauzë dhe organeve shtetnore u krye rivendosja e shpejtë e rendit në zonën e damtueme dhe rifillimi i sesioneve të rregullta të dy dhomave. Demokracia tregoi forcën e vet: ajo triumfoi.

Ajo që mbeti ashtë nji frymë ndasie në opinionin publik dhe nji atmosferë e acarueme thellë mbas përfundimit të votimeve dhe numërimit të tyne. Kandidati i zgjedhun lirisht, Joseph R.Biden Jr., u konfirmue si President i SHBA-së dhe filloi punën në periudhën e tranzicionit. Kjo ndasi ka qenë, dhe mbetet akoma, dami ma i madh i ballafaqimit të 6 janarit. Populli amerikan kishte nji nevojë të madhe me normalizue rendin e qetësinë. Në këte moment historik, Presidenti Biden mbajti nji qëndrim mirëkuptimi tue iu drejtue të gjithëve me këto fjalë:

“Të gjithë amerikanët, veçanërisht udhëheqësit e vendit, janë të detyruem dhe përgjegjës të mbrojnë të vërtetën dhe të mposhtin gënjeshtrat. Duke vepruar në këtë mënyrë, përfundojmë këte luftë të paqytetnueme dhe shërojmë shpirtin e kombit tonë. Kjo ashtë detyra që kemi përpara. Dhe ashtë kjo detyrë që duhet të ndërmarrim së bashku”.

Kështu e shoh unë sot gjendjen në Shqipëri në esencë, megjithëse jo në hollësina. Populli shqiptar ashte i ndamë keqas dhe i anmiqsuem. Kjo dilemë ekzistenciale rrezikon të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët. Duhet të ngrihemi në naltësinë e momentit, të dialogojmë e jo të përleshemi, t’i japim dorën njeni-tjetrit në nji punë ndërtimtare të atdheut tonë të përbashkët shqiptar. Indiferenca e shumicës kërcënon këte vend që e quejmë “atdheu Nënë!”. Duhet ta mundim! Në Shqipërinë e sotme, njeriu ka përshtypjen sikur e gjithë përvoja jonë, e së tashmes dhe e së kaluemes, ashtë përqendrue në nji kandvështrim me karakter thellësisht partiak. Ngushtimi i horizontit tonë politik ashtë nji e metë ndoshta fatale. E ashtuquejtuna “politika” në Shqipëri vazhdon të zhvillohet në nji atmosferë vranësie, që nuk premton ndriçimin e diellit në qiellin e atdheut. Nji tragjedi shqiptare në zhvillim e sipër…

Të gjithë jemi përgjegjës për këte situatë, por klika sunduese ma shumë se të tjerët. Mbas tetë vjet qeverisje, ajo ka humbë besimin e popullsisë së vendit që trajtohet si punëtorët e çifligut privat. Akoma ma shqetësues ashtë fakti se për afër dy vjetësh socialistët qeverisin vendin me sistem njipartiak, mbas largimit të pajustifikuem nga Parlamenti e skena politike zyrtare të Partisë Demokratike. Ajo që çuditë vëzhguesit ashtë paturpësia publike e qeverisë njipartiake me pranue qeverisjen njipartiake në nji vend si Shqipëria që po kalon nga diktatura ma e egër nëpërmjet nji tranzicioni pa premtim e trashëgimtarëve të ish-PKSH/PPSH me bilanc negativ në historinë e vendit tonë. Etja për pushtet absolut shpjegon gjithçka.

Na duhet nji gjuhë e përbashkët me parashtrue nji program socio-ekonomik e politik me qëllim që të vihet vendi në rrugën e përmirësimit të përgjithshëm, të shërohet nga të metat që e mundojnë dhe të avancojë drejt ndërtimit të nji shteti ligjor, modern dhe përparimtar. Rezultati i të metave tona ashtë nji Shqipëri e nji shoqënie shqiptare që nuk gjejnë gjuhën e përbashkët, as edhe nji vullnet politik të duhun që imponon momenti. Shqipëria nuk jeton dhe nuk zhvillohet në vakum. Shqipëria ashtë nji vend europian dhe duhet t’i adaptohet kulturës europiane si domosdoshmëni historike. Devijimet rrezikojnë dështimin e saj.

Këto kohët e fundit, tri ngjarje me randësi kanë hedh dritë mbi situatën tonë:

1)Votimet e 14 shkurtit në Kosovë: regjistrimi i plotë i votuesve, zgjedhja pa presion e kandidatëve të preferuem, numërimi i ndershëm i votave, deklarimi i rezultateve të votimit dhe emnat e kandidatëve fitues – dhe ajo që kunorëzon këte sukses atmosfera e qetë dhe qytetnuese e të gjithë procesit. Dallohet sidomos pjesëmarrja e gjanë dhe fitorja e thellë e grave në votim. Në nji shtet të ri me nji shoqëni thellësisht patriarkale, nji sukses i këtill merr përmasa historike: shembull për shumë vende të botës, dhe sigurisht edhe për Shqipërinë. “Suksesi kosovar”: prova ma elokuente se zgjedhjet e lira e të ndershme janë të mundshme edhe në Ballkanin Perëndimor!

2) Me 5 mars, shtypi francez botoi deklaratën e Presidentit francez, Z. Emmanuel Macron, i cili ka marrë përsipër me rifillue marrëdhanjet Francë-Algjeri mbi nji platformë të ndershme “…pajtimi me ndihmën e së vërtetës”. Ai deklaroi se vdekja e udhëheqësit revolucionar algjerian, avokatit nacionalist Ali Boumendjel, i arrestuem me 5 shkurt 1957, mbas 43 ditëve nën torturë të vazhdueshme dhe të pamëshirshme u cilësue zyrtarisht si “vetëvrasje”.

“Jo!”, tha Presidenti Macron. “E vërteta ashtë se mbas torturës ai u hodh nga dritarja e katit të gjashtë prej ushtarëve francezë, e vdiq nga plagët e marruna. Boumendjeli, tha Presidenti Macron, …ashte vra nga ushtarët francezë… Unë flas në emën të Francës. Boumendjel nuk vrau veten; u torturue dhe ma në fund u vra!”.

Qëndrimi guximtar e dinjitoz i Presidentit Macron u kritikue nga shumë nacionalistë dhe kolonistë, tue përfshi edhe Kryeministrin e Francës, Z. Jean Castex. Por Presidenti Macron e thelloi akoma ma shumë këte dikotomi të publikut francez. “Nuk ka krim, as atrocitet që u krye në Luftën Algjeriane (1954-‘62), që ka mundësi ‘me u falë ose me u fshehë… Këto akte kriminale duhen shikue me guxim dhe qartësi mendore dhe me nji respekt absolut për të gjithë ata, jeta dhe dinjiteti i të cilëve u shkatërrue… Breznia e re duhet të tregohet e aftë me ndertue fatin e vet me duert e veta, larg nga dy kanalet e fëlliqta siç janë amnezia dhe smira… Ashtë misioni i tyne, rini franceze dhe algjeriane, me ec në rrugën e së vërtetës, rruga e vetme që shpie në pajtimin e kujtesave…”.

Nji akt i këtillë i Presidentit francez ashtë nji shembull i shkëlqyeshëm për të gjithë ne, e sidomos për rininë, në gjykimin e së kaluemes dhe të së tashmes sonë. A do të ketë udhëheqës politik shqiptar që flet të vërtetën për krimet komuniste në emën të nji Shqipërie dinjitoze? Na urojmë!

3) Të martën, 9 mars, “The New York Times” botoi nji ese ku thuhet:” Dy javë ma parë, qeveria e SHBA-a deportoi nji rezident, për pjesëmarrje në krimet naziste gjatë L2B, i cili u kthye në Gjermani ku autoritetet vendosën me ba akuza të reja. Ai kishte jetue në SHBA që nga viti 1959.

Krimi, për të cilin u deportue, u ba gjatë dimnit të viteve 1944-‘45, në muejt e fundit të Luftës, kur Z. Berger ishte nji djalosh 18- vjeçar. Simbas Departamentit të Drejtësisë, ai ishte nji roje e armatosun në nji kamp përqendrimi dhe si mbikëqyrës i të burgosunëve që hapnin llogore në kondita shumë të vështira. Vuejtja e të burgosunëve u kushtoi jetën 70 viktimave.

Në moshën 95-vjeçare, z. Berger ka pasë mjaft kohë me meditue dhe me u pendue për aktet e tij, me gjykue në ndërgjegjen e vet dhe me jetue nji jetë shembullore. Asgja nuk pakëson peshën e fajit të kryem nga ish-nazisti, por me burgosë nji ish-fajtor në moshën 95-vjeçare për atë që ai ka ba në moshën 18- vjeçare më duket se ashtë gabim. “A mori fajtori dënimin korrekt të drejtësisë reale, apo shumë pak shumë vonë? Sinqerisht, nuk e di!”, përfundon treguesi.

Faktori kohë luen nji rol të randësishëm dhe nuk mund te neglizhohet… Koha shëron! Koha, kjo vazhdimësi momentesh me tanësinë e rrethanave objektive që sjellin ndryshime në ngjarjet dhe fenomenet që e ndjekin, përmban nji vlerë kardinale për kuptimin dhe interpretimin e momentit historik të njerëzimit.

Shembujt e masipërm tingëllojnë si probleme të pazgjidhuna te ne. Shqipëria vuen nga nji krizë e randë morale sepse refuzon me marrë në konsideratë nji analizë të ndershme të së kaluemes komuniste, dhe me nxjerrë mësimet e paevitueshme, ashtu si shumë vende tjera, kryesisht Gjermania e postnazizmit, të zhvillojë votime të lira e të drejta, të ndigjojë udhëheqësit politikë që flasin të vërtetën dhe të gjykojnë me frymën e faljes së fajit krimet e terrorit komunist.

Kolegu im, Frank G. Shkreli, ish-anëtar i Komisionit të parë amerikan për vërejtjen e votimeve të 21 marsit 1991, konstaton se që në fillim deri sot “… zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të drejta. “Unë,-shkruen z. Shkreli,-kam thanë shpeshherë se tranzicioni i tejzgjatur postkomunist në Shqipëri ka rranjët e veta gjithnji në ato të zgjedhjeve të para…”. Për këte shpërthyen demonstratat e opozitës. Dymbëdhjetë dite ma vonë, me 2 prill 1991 u masakruen mizorisht katër demonstratorë demokratë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, dëshmorët e parë të demokracisë së re në Shqipëri, dhe u plagosën dhjetëra të tjerë nga forcat e Sigurimit të Shtetit simbas instruksioneve të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme. Akoma sot “nuk janë gjetë” përgjegjësit e krimit dhe emnat e tyne i ka mbulue harresa… “Ishudhëheqësit komunistë” nuk kërkuen falje për krimet e panumërta të kryem gjatë rrëgjimit gjakatar komunist 45-vjeçar, me gjithë qëndrimin tepër tolerant të klasës së re politike, që mori përsipër ndërtimin e demokracisë.

Gjaku i shqiptarëve të vramë pa faj, burra, gra -e fëmijë jetimë të uritun- ka njollosë dhe vazhdimisht njollosë edhe sot shqiptarët komunistë të pakorrigjueshëm për sa kohë që ata refuzojnë pranimin e fajit dhe fillojnë me kerkue faljen nga viktimat, nji proces që lejon afrimin dhe fillimin e nji epoke të re, të qytetnueme. Skena të egërsisë edhe sot mbeten të gjalla në kujtesën e nji popullsie të tanë dhe nji porosi e përhershme për çdo ish-komunist, se pavarësia e Shqipërisë ashtë ma shumë se nji akt politik. Ajo ka edhe karakter personal për çdo qytetar: vuejtjet e pa kufi për 45 vjet me radhë e viktimës dhe e familjes së tij do të mbeten nji njollë e zezë që nuk mund të harrohet… as të falet me lehtësi e pa dhimbje shpirtënore. Prandej, fjalimet e kuadrove të nalta socialiste janë skandaloze… plot vrer, hakmarrës…dhe të pafalshëm as sot, as mot…!

Asht krijue nji situatë demoralizimi me përpjesëtime historike në atdheun tonë të përbashkët. Në qoftë se fajtori nuk ndëshkohet, mesazhi për shqiptarët ashtë se krimi paguen dhe ashtë i lejueshëm… Nji konkluzion, rezultati i të cilit pengon bashkëjetesën tonë normale në vend. “Fajtori nuk ashtë vetëm ai/ajo. E gjithë kjo katrahurë ashtë nji mënyrë jetese në nji botë ku mbretnon sekreti, dominimi i të fortit, mashtrimi dhe hajdutnia. Ndëshkimi i fajit ashtë simbolik për publikun e gjanë dhe me shumë randësi: me i dhanë publikut sensin e llogaridhanies”, shkruente rishtas Prof. Ruth Ben-Ghiel.

George Washington, babai i SHBA-së, gjykonte se: “Administrimi i plotë i drejtësisë ashtë shtylla ma e fortë e nji qeverisje të mirë”! Nuk ashtë e rastësishme kërkesa e vazhdueshme e miqve tonë amerikanë për vendosjen e drejtësisë dhe llogaridhanies qeveritare. Udhëheqësit politikë të partive tona politike duket sikur kanë vështirësi ndigjimi, edhe kur u thuhet se …nuk ka gja ma të keqe në politikë se nji politikan i deshtuem që refuzon me dhanë dorëheqjen.

Ashtë e dhimbshme me lexue në shtypin e vendit se Akademia Studimore Politike, simbas vëzhgimit, ka deklarue se në shkelje të Kodit Zgjedhor janë miratuar 5 ligje nga Parlamenti njipartiak socialist, 2 vendime të qeverisë socialiste dhe 1 vendim i Këshillit Bashkiak, që sjellin përfitime apo masa lehtësuese për periudhën katërmujore para zgjedhjeve të 25 prillit si falje detyrimesh, taksash, tatimesh, rritje rrogash, punësime të reja në administratë, dhe sjellin favorizim elektoral për partitë politike në pushtet. Tue folë për zgjedhjet e kalueme, Gjenerali Pirro Ahmetaj theksonte në nji intervistë me “Zërin e Amerikës”: “Të gjithë jemi fajtorë, pasi të drejtën sovrane të votës e kemi shitur për nji thes miell, ose lejuar të na e vjedhin dhe ia kemi nxirë faqen Shqipërisë… Shqipëria është në udhëkryq, të gjithë janë të hutuar, pasi besimi te vota e lirë dhe shteti i së drejtës kanë rënë. Shpresat e demokracisë funksionale dhe harmonia e pushteteve janë vrarë. Shqiptarët duhet të marrin pjesë në votimet (e 25 prillit) në Shqipëri dhe të marrin fuqinë e kontrollit të pushtetit në duart e tyre… “. (15.3.‘21)

Tue folë për përgatitjet e listave elektorale nga udhëheqësit e partive politike, analisti Lutfi Dervishi deklaronte “…në njifarë mënyre, kryetarët e partive politike janë sulltanët e këtij mjedisi, të cilët vendosin se cili do të jetë në Kuvend dhe cili jo!”. (VoA-7.3.‘2I). Kjo masë disiplinore për përfaqsuesit në Parlament shërben interesat e partive politike, por mohon elementin esencial të qëllimit të zgjedhjeve: zërin e qytetarit votues e sovran i vërtetë i jetës politike të vendit. Ky sistem “listash” nuk ashtë “demokratik”, por ka marrë pushtetin e “ligjit”.

Qortimet e këshillat e ambasadores amerikane, Zonja Yuri Kim, bien në vesh të shurdhët: “Korrupsioni mbetet njishqetësim kryesor i Shteteve të Bashkuara si në gjyqësor, ashtu edhe në politikë…”. (“Panorama”, 12.3.2021). Diplomati i naltë amerikan, z. Matthew Palmer, deklaroi pak ditë ma parë: “SHBA do të vazhdojnë të investojnë mjaft energji dhe kapital politik në Shqipëri”. Ai tha gjithashtu se: “Shtetet e Bashkueme dëshirojnë të shohin që zgjedhjet e (25) prillit në Shqipëri të kryhen në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare”. Ky reagim i padëshirueshëm ishte përgjigjja e amerikanëve ndaj zgjedhjeve postkomuniste në Shqipëri, të kontestueme fort dhe damtue nga parregullsi gjatë fushatës si dhe gjatë ditës së votimit tue përfshi edhe pretendime të blerjes së votës dhe manipulime me numërimin e votave, raportonte “Zëri i Amerikës” pak ditë ma parë…

Problemi i emigrimit masiv po ashpërsohet çdo ditë. “Shqipëria vuen njëkohësisht shpopullimin masiv, lindshmeninë e ulët (madje me shtesë natyrore negative) si dhe mplakjen e shpejtë demografike, simbas nji studimi nga Zonja Majlinda Zajmi.

Banka Botënore, në raportin e saj “Perspektiva Ekonomike Globale” (janar 2021), raporton se ekonomia e Shqipërisë është tkurrë me 6.7 % vitin e kaluar, çka ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe humbjen e vendeve të punës dhe rritjen e nivelit të varfërisë”, raporton VoA, 13.3.2021.

Përveç faktorëve objektivë, Dhoma e Tregtisë konfirmonte se “…korrupsioni endemik ashtë nji nga pengesat kryesore të business-it në Shqipëri”.

Pa dyshim, orientimi i sotëm drejt zgjedhjeve me lista elektorale të përgatituna nga kryesitë e partive politike që synojnë forcimin e pozitës politike të nji grupi udhëheqës, ashtë i gabuem, veçanërisht në nji vend tarafesh e interesash të shumëllojta siç ashtë vendi i jonë. Qytetari shqiptar i lirë e votues duhet të dijë se kush ashtë përfaqësuesi i tij dhe, nëse ai që ka marrë votën e tij nuk eliminohet për arsye të rreshtimit në listën elektorale. Ndryshimi i këtij sistemi zgjedhor ashtë me randësi kapitale dhe duhet të kryhet sa ma shpejt, aq ma mirë.

Pushtetarët duhet t’u rezistojnë kërkesave që vijnë nga individë ose grupe të vogla për zgjidhje problemesh gjithëpërfshirëse me shpejtësi. Ajo që nevojitet ashtë nji studim i thuktë e serioz i përgjigjes që mendojmë me dhanë, tue u mbështetë në evidencën ekzistuese. Faktet janë kokëfortë dhe nuk lëvizin dot për dëshirën ose urdhnin e personave tekanjozë e arbitrarë. Gjithashtu, aksionet tona të ndërmarruna mbas nji katastofe, shpeshherë janë të motivueme ma shumë nga emocionet që përjetojmë se nga logjika e llogaritjet racionale. Dhe nëse merren, ata kthehen mbrapa me shumë vështirësi. Ashtë nji problem që duhet marrë parasysh.

Rreziku i madh vjen nga grupe të vogla, ose individë aventurierë që janë tërheq nga apeli i dhunës dhe aventurës, të armatosun dhe të motivuem me veprue nën influencën e bindjeve të tyne ideologjike, nji vendosmëni me mbrojtë nji identitet që bashkëndahet me të tjerët, ose nga frika se do të anashkalohen. Nji hap me randësi në vendosjen e legjitimitetit historik do të bahet vetëm atëherë kur bashkësia e shoqënisë, së cilës ata i takojnë, marrin iniciativën me i nxjerrë jashtë radhëve të saj.

Unë pres që zgjedhjet e 25 prillit të shënojnë fillimin e nji epoke të re politike dhe sociale në atdheun tonë të trazuem nga aventurat politike, tue fillue me nji respekt për dinjitetin e barazisë së çdo qytetari, qoftë në marrëdhaniet ndërnjerëzore, qoftë në marrëdhëniet me pushtetin. Nji qëndrim i këtillë nuk imponohet; ai ashtë i ndiem thellë nga cilido nga ne. Ky qëndrim përbuz përpjekjet civile ose zyrtare me dehumanizue çdonjenin, në çdo kohë e çdo vend. Përbuzja e nji sektori të shoqënisë asht thjesht racizëm dhe racizmi ashtë ma shumë se nji problem: ai ashtë nji mëkat.

Riparimi i së keqes kërkon nga ne me thanë “të vërtetën mbi mëkatin”. Lufta e çdonjenit kundër “mëkatit” ashtë nji përpjekje personale e vazhdueshme. Martin L. King, Jr. spjegonte: “Ai/ajo që ashtë pa frymë falje, ashte pa fuqi me dashtë. Na nuk mund të kufizohemi me ‘faljen e mëkateve’; duhet shkue nji hap përtej: me përqafue pajtimin dhe afrimin njeni me tjetrin”.

Ashtë vendi ynë i përgatitun për nji rigjenerim mendor dhe shpirtënor, mbas kaq vuejtjesh?!

Unë shpresoj!

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

1 KOMENT

  1. Njeriu rron dhe vjen nje kohe qe bashke me moshen behet me i zgjuar! Por eshte turp te genjesh! Turp!

Comments are closed.