“Në kohën e diktaturës kishte qëndrestarë të vërtetë”- Rama i përgjigjet Bujar Leskajt: Dosjet e sigurimit të shtetit i hapëm ne, përulem para atyre që komunizmi u mori…

May 23, 2022 | 19:56
SHPËRNDAJE

Deputeti demokrat Bujar Leskaj përkujtoi gjatë fjalës së tij në Kuvend ata që humbën jetën gjatë periudhës së diktaturës në vendin tonë. Leskaj deklaroi se janë dy ngjarje të rëndësishme që tregojnë se në kohën e diktaturës kishte qëndrestarë të vërtetë.

“Sot është një datë që të gjithë ne këtu deputetë të Kuvendit të Shqipërisë duhet të përkujtojmë dy ngjarje të rëndësishme në kohën e diktaturës që tregojnë se edhe në vitet e diktaturës kishte qëndrestarë të vërtetë dhe jo si puna jonë që u bëmë pas viteve ’90-të (..)”, deklaroi Bujar Leskaj.

Pas tij fjalën e mori kryeministri Edi Rama i cili deklaroi se ishte Partia Socialiste ajo që hapi dosjet e sigurimit të shtetit. Rama u shpreh se ata donin një Shqopëri të orientuar nga Perëndimi dhe jo nga Lindja.

“Unë bashkohem dhe ndahem me zotin Leksaj. Bashkohem me të në respekt të emrave që përmendi por ndahem me të në një fakt domethënës që gjithë përmendja e atyre që janë të vdekur të paharruar humbet çdo kuptim kur ata që i përmendin nuk jetojnë me parime dhe ideale, aspiratat dhe shembullin e tyre. Ju flisni sot këtu për ata por ndërkohë ata donin një Shqipëri ku e drejta e pronës të ishte e garantuar. Ju përfaqësoni këtu partinë që e shkatërroi të drejtën e pronës.

Ata donin një Shqipëri ku të mos ishin të gjithë si këmbët e dhisë. Kurse ju nuk patët kurajo të hapnit dosjet e sigurimit të shtetit. Ato i hapëm ne. Dhe nëse sot të gjithë kanë akses kjo është falë nesh dhe jo falë jush. Ata luftuan për një Shqipëri të drejtë dhe ku drejtësia të ishte në sensin e qeverisjes përtej rendit ligjor. Ju duhet të gjeni emrat dhe të bëni edhe një listë tjetër të atyre që vdiqën në demokraci dhe nuk morën asnjë lekë dëmshpërblim nga ju.

Ju i dhatë dëmshpërblim fisit dhe farefisit të gjallë, që dilte fisi i farefisit tuaj. Ata donin një Shqipëri të orientuar nga perëndimi dhe jo nga lindja. Nga anglo amerikanët dhe jo nga sovjetikët. Ju sot përfaqësoni palën anti-amerikane. Laje gojën mirë për mbështetjen e flamurit të rreckosur dhe pastaj fol për ata që komunizmi i mori jetën dhe para të cilëve unë përulem. Sepse kam detyrë që sat ë mundem të bëj gjëra për të cilat ata përfunduan në rrethin e nëntë të ferrit komunist. Edhe për kujtesën u desh të vinim ne që të mendonim”, deklaroi Rama.

Pas tij pati sërish një replikë nga ana e deputetit demokrat. “Unë nuk fola për të vdekur të zakonshëm unë fola për heronj. Detyrimi moral dhe shpirtëror është it ë gjithëve ne. Ju kishit detyrë të nderonit 21 Maji që është dita e Kujtesës. Duhet të jenë dita e kujtimit të qëndrestarëve anti komunistë. Ju bëtë shumë gabim. Keni raste në Kuvend për politikën e ditës. Sot edhe ju duhet të më bashkoheshit mua për përkujtimin e tyre. Janë heronj. Nuk janë vdektarë të zakonshëm. Heronj të vërtetë janë këta. Këtu e kisha fjalën. Nuk kishte lidhje fare. Ishte PD që u dha pafajësi këtyre. Ishte PD që e hartoi ligjin dhe e miratoi pa votat e tyre. Sa i përket pronave ai është një proces që duhet të vazhdojë”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura