“Në kërkim të fustanit total”

Oct 21, 2022 | 7:16
SHPËRNDAJE

Hyqmet ZaneHYQMET ZANE

Doli nga shtypi dhe hyri në qarkullim romani “Në kërkim të fustanit total” i autores Emine Sadiku (Teichmann). Romani i saj i parë “rrevocalis” (e pariparueshme), u prit me interes dhe u vlerësua lart nga shumë lexues. Kureshtja për t’u njohur me këtë roman lidhet dhe me një emision televiziv të drejtuar nga Elsa Demo ku moderatorja përqendrohet kryesisht në përmbajtjen e këtij romani dhe zhvillon një bisedë konstruktive e shpjeguese me autoren Emine Sadiku. Pas kësaj bisede, kërkesa për ta blerë e lexuar romanin u rrit aq shumë sa romani u shit krejt.

Emine Sadiku do të kishte bërë mirë ta ribotonte librin, ndoshta me korrigjime. Kjo nuk ka ndodhur. Autorja shfaqet në fushën e letërsisë me një roman të ri. Fusha e krijimtarisë letrare artistike është për autoren një domen shumë i njohur dhe shumë i dashur. Këtu kam parasysh krijimet e saj të hershme në prozë (dhe në poezi) të botuar në organe të ndryshme, sidomos në gazetën “Zëri i Rinisë” (po të shihet dhe përmbledhjen me tregime “Kur vështroja sheshin e errët”, Tiranë, 2010). Që në këto shkrime të hershme, autorja dëshmon stil, në kuptimin letrar, stilistik dhe gjuhësor. Impresionizmi i saj i shkrimeve (jo vetëm i tregimeve) të fazave të fillimeve krijuese vjen dhe ngjyros tërë krijimtarinë e saj. Kjo shfaqet me synimin për t’u ndalur e fiksuar në çaste kalimtare, në ekspozimin e peizazheve emocionale, e personazheve me tërë dyshimet dhe ambiguitetet e mundshme. Një vizatim një paraqitje e tillë zëvendëson mënyrën kronologjike të rrëfimit, tablonë e gjerë e të dendur të karaktereve, përshkrimet e hollësishme të natyrës.

Një veçori tejet interesante stilore e rrëfimit është rrjedhja e informacionit në dy plane: në një plan të parë dhe në sfond. Midis dy planeve vendosen përveç raporteve kohore, edhe lidhje shkakore. Zakonisht në sfond gjejmë informacion retrospektiv.

Po t’i hedhim një sy përmbajtjes, vëmë re se autorja tematizon çështje dhe probleme sensitive, aktuale, që kanë të bëjnë me veshjen, konsumin në lëmin e rrobave femërore, produktin/ofertën (që është emërtuar “fustan” dhe që përfshin, si te R. Barthes, tërë veshjet femërore), reklamën, tregun online, blerjemaninë etj. Le t’i shohim disa çështje në veçanti:

BOTA PËRRALLORE E KONSUMIT

Figura qendrore, (un-i) rrëfyes, është një person femër, që është larguar nga Shqipëria dhe jeton në Gjermani. Bashkë me dëshpërimin e largimit nga atdheu ajo ruan në shpirt e në mendje edhe shumë kujtime të hidhura për privacionet e jetës së dikurshme. Rrëfimi përqendrohet në mungesat e fustaneve (në kuptimin e objektit veshje/rroba). Në Gjermani, ajo, si mbarë gratë e vajzat shqiptare, që u gjendën atje, pasi ikën nga Shqipëria, bie në kontakt me një treg, me një marketing që ofron fustane e rroba gjithfarësoj. Entuziazmi i kontaktit direkt me dyqane veshjesh vjen e rritet kur vendos lidhje me shitore online.

Ajo përfshihet nga një eufori që shënjon tërë jetën e saj pas pune. Autorja i përshkruan në një mënyrë depërtuese sjelljen, kërkimin, emocionin, insistimin, përhumbjen e heroinës së saj. Paraqitja letrare bëhet më bindëse e ndikuese sepse përbën një unitet të rrokshëm të pasazheve fiktive me ato reale, në kuptimin e shfaqjeve të tilla që janë krejt të mundshme në jetën e një femre. Veshja është një nga sinjalet e forta shoqërore, sidomos për një femër. Ky është motivi primar që e hedh Blerinën, personazhin qendror të romanit, në kërkim të një veshjeje të përshtatshme (!).

Me anë të pasazheve retrospektive, ne informohemi se heroina jonë ka vuajtur jo vetëm trupërisht, por edhe shpirtërisht, për shkak të privacioneve financiare dhe materiale në çështjen e veshjeve. Në Gjermani shfaqet para syve, mendjes e zemrës së saj bota e paanë e konsumit. Blerjet e fillimit bëhen për të plotësuar nevojat e zakonshme të një femre. Pastaj shfaqen dëshirat për objekte të ndryshme. Në fazën e dëshirave, që nuk lidhen domosdoshmërisht me përditshmërinë, me kërkesat imediate, zhvillohet një dimension i ri emocional: tek objekti i vënë në shënjestër projektohen ëndrra për një paraqitje sa më të denjë, sa më estetike. Si në shumë e shumë raste edhe konsumentja jonë bëhet “superkonsumente”.

Nevoja për të plotësuar një kërkesë e një mungesë në veshje nuk ka më rëndësi parësore. Dëshira e kthyer në mani kthehet në një “motor” (perpetum mobile). Siç thotë dhe Carl Tillesen: “Një produkt i nevojshëm, e shumta, na kënaq, por ato blerje, që e tejkalojnë nevojën, na bëjnë të lumtur”. Në rrëfimet e romanit preket dhe raporti i blerëses sonë me “prodhimet/rrobat firmato (marka)”. Edhe pse ato ndikojnë tek ajo (si kudo) duke i dhënë siguri, një profil të veçantë, optimizëm, fundi i kontakteve me to nuk është aspak optimist. Heroina e romanit “bie viktimë” e rrymës “postmoderniste” (në lëmin e fustaneve). Mania e saj zhvillohet në thyerje nervore. (Edhe gjendja e saj financiare nuk e përballon dot dinamikën e zhvillimeve postmoderne). Pas trajtimesh të forta mjekësore, pas ushtrimesh autosugjestive e përpjekje të tjera figura qendrore e romanit (Blerina Shehu) fiton një lloj stabiliteti, gjithsesi delikat.

KONSUMI SI PASQYRIM I NDRYSHIMIT TË EPOKAVE

Çfarë e karakterizon një ndërrim epokash? Një epokë e re shfaqet, së pari, me kritikë ndaj së mëparshmes. Në epokën e re fillojnë të zgjidhen problemet e epokës së vjetër. Personazhet e romanit tonë e jetojnë epokën e re në një vend tjetër, larg atdheut. Është pikërisht mosaprovimi, kundërvënia (qoftë edhe shpirtërore- emocionale), privacionet, revolta dhe rrënimi i shpresës që i ka hedhur ato në vende të tjera, ku mund të sigurojnë një jetë më të mirë e pa mungesa, sidomos të sendeve ekzistenciale.

Në roman nuk mungon përshkrimi i së shkuarës, disa linja dhe detaje realizojnë një vizatim domethënës, impresionist të botës amtare ku u end fëmijëria dhe rinia e personazhit tonë. Në pikëpamje të veshjeve të domosdoshme ose të dëshiruara e shkuara ofronte (për figurat tona) veç një mjerim total. Bashkë me tematikën sociale jepen dhe konsiderata politike në thënie me kuptim direkt ose indirekt.

DETAJI SI ELEMENT RETORIK DHE ESTETIK

Në roman bie në sy dhe bën përshtypje edhe përdorimi i detajeve si veçori të spikatura të sendeve, si këpucë, bluza etj. Janë detaje që e shënjojnë dhe e dallojnë një send në morinë e objekteve të ngjashme. Detajet në roman kanë vlerë denotative dhe konotative njëkohësisht. Janë dukuri të një objekti real-konkret, njëkohësisht zgjojnë perceptime, parafytyrime individuale që projektojnë tek objekti një estetikë të veçantë. Fustanet, moda janë struktura me forcë të madhe ndikuese. Në këtë strukturë, detajet përbëjnë një bërthamë që rrezaton forcën e tyre. Kuptimi i detajeve (të dhëna aq intuitivisht dhe poetikisht), p.sh. një tegel këpuce, nuk ka të bëjë me madhësinë e me vëllimin e tij, por me energjinë (subjektive) që emeton. Detaji fiton një retorikë të veçantë. Një detaj mjafton për t’i dhënë kuptim tërë objektit, duke rrezatuar forcë të veçantë semantike.

NË PËRFUNDIM

Romani lexohet shpejt, jo vetëm për shkak të vëllimit modest, por kryesisht për shkak të përmbajtjes, të mënyrës së rrëfimit, të stilit e të tjera veçori që ofron një zhanër i tillë. Ai është quajtur roman (zhanër letrar), por shfaq dhe veçori zhanresh të tjera. Kjo përzierje e sjell atë më afër lexuesit që është i etur të lexojë diçka të veçantë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura