Në 100-vjetorin e lindjes, Tinka Kurti kujton nënën e jetimëve, Evanthi Cikon

Jul 15, 2020 | 13:11
SHPËRNDAJE

218ANILA DEDAJ/ Me flokët e argjendta e një buzëqeshje të ngrohtë si një nënë, misionare me përmasa të mëdha shpirtërore e intelektuale, gjurmët e së cilës mbeten edhe kur shkon në botën e përtejme.

Pranë “Lulishtes 1 maji”, Evanthi Ciko mbledh familjarë, nxënësit e dashamirësit e saj, për të kujtuar se në Shqipërinë e vogël ka pasur ndër vite njerëz humanistë, që me veprën e tyre jetësore e dashurinë e pashtershme për dijen e fëmijët kanë frymëzuar breza. Nderohet në fotografinë e lartësuar nga kush pati fatin ta njihte. “Shikojani portretin si i lexohet fisnikëria”, thotë e emocionuar aktorja Tinka Kurti, që jetësoi Evanthinë si nënë në filmin artistik “Si gjithë të tjerët”.

E ndarë nga jeta 7 vite më parë në moshën 93-vjeçare, Evanthi Cikon shumëkush e kujton edhe si spikeren e parë të “Radio Tiranës”, që në vitet 1941-1945 shoqëroi shqiptarët në programet e orëve të mbrëmjes. Një kontribut të pashlyeshëm ka dhënë edhe në punën e saj si mësuese, të cilën e nisi në vitin 1942 në shkollën “Naim Frashëri në Tiranë, për të vijuar në të tjera shkolla si “Hasan Vogli”. “Ismail Qemali”, “11 Janari”, “Vasil Shanto”, “Luigj Gurakuqi” etj.

Kudo me përkushtim dhe me një dashuri të pakushtëzuar për nxënësit dhe dijen. Aq sa e ndjente brenda vetes se kishte më shumë për të dhënë për të vegjlit e se duhet të ishte veçanërisht aty ku më shumë ndihej nevoja. Kështu, në vitin 1965 nis punën si drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijës “8 Nëntori”, duke e distancuar veten nga figura e titullares, për të qenë për ta si një nënë.

Një lidhje e fortë ajo që krijoi me secilin nga fëmijët, të cilën e ruajti dhe pasi ata, në moshë madhore, u larguan nga institucioni.

VERA BEKTESHI: E ZGJODHA SI UDHËHEQËSEN
TIME SHPIRTËRORE DHE INTELEKTUALE

Lehtësia, me të cilën ajo krijonte ura komunikimi apo përçonte dijen, gjen shpjegim edhe në formimin e saj në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, që nxori personalitetet femërore më të spikatura dhe emancipuara të kohës. Në librin që shkrimtarja Meri Lalaj i dedikon këtij institucioni, gjatë kërkimeve gjen edhe Evanthinë. “Fati im ishte që shkrova librin për Institutin ‘Nëna Mbretëreshë’ dhe u mora me vajzat e para që u arsimuan në atë Institut, të cilave iu desh që të shkonin cep më cep të Shqipërisë për të edukuar vajzat e tjera”, shprehet ajo në këtë 100-vjetor.

Ndërsa shkrimtarja Vera Bekteshi zbulon qasjen e veçantë të Evanthi Cikos ndaj librave, por edhe ndikimin e fortë te njerëzit që donin dijen. “Unë e zgjodha Evanthinë si udhëheqësen time shpirtërore dhe intelektuale të asaj kohe, madje them se dëshirën e madhe për dijen dhe librat ma ka transmetuar pikërisht ajo”.

TINKA KURTI, SI EVANTHIJA NË FILM

Një nga kënaqësitë më të mëdha që aktorja Tinka Kurti veçon sa i përket përjetësimit të figurës së nënës në filmin “Si gjithë të tjerët” (me regji të Spartak Pecanit edhe skenar të Ruzhdi Pulahës) është edhe takimi me Evanthi Cikon. “Kur lexova skenarin, e prita me shumë kënaqësi. Për filmin duhet të takohesha me zonjën që kishte drejtuar jetimoren, ndaj edhe unë shkova në shtëpinë e saj.

E gjeta në një shtëpi të vogël, me një oborr të mbushur me lule. Aty kujtoj se takova një grua fisnike e të dashur”. Artistja tregon se Evanthija ishte fort e lidhur me fëmijët, aq sa kur fliste për ta lotët i rridhnin çurg. Madje, ajo në këtë takim i jep edhe një porosi, që Kurti do ta ruajë “si thesar” në kujtesë. “Nëse do t’i duash shumë rolet, siç kam dashur unë fëmijët, atëherë do të arrish t’i realizosh. Unë kam dhënë jetën për ata,-më tha,-edhe ata që sot që janë martuar edhe kanë jetën e vet, vijnë e më takojnë”. Evanthia i kishte treguar se fëmijët, pasi dilnin në jetë, i ishin aq mirënjohës gruas që i thërrisnin “nënë” saqë e takonin shpesh, i sillnin dhurata e mbi të gjitha ende kërkonin këshillat e saj në momente të veçanta.

Çka tjetër do ti bënte përshtypje aktores, nga kjo zonjë e fisme, ishte se të gjithë njerëzit, flisnin për të në një mënyrë të jashtëzakonshme. “Aq bukur e përshkruanin, ata që ajo edukoi, apo punuan me të, saqë në një moment do doje që të kishe pasur fatin e të ishe nën ‘tutelën’ e saj”, shprehet Kurti.

ZHANI CIKO: NË RADIO
GJETI KUPTIMIN E JETËS

Muzikanti Zhani Ciko, i emocionuar në këtë 100-vjetor të lindjes së nënës së tij, sjell disa fragmente jetësore të saj. “Studioi jashtë dhe u kthye e përgatitur, por mund të them se në ‘Radio Tirana’ gjeti kuptimin e jetës së saj. Aty u njoh edhe me babain tim, aty shkëmbyen puthjen e parë”. Evanthi Ciko, siç tregon i biri, i mbante gjithmonë dyert e hapura për fëmijët e jetimores, me të cilët ruajti gjithmonë kontaktet. “Kam gjetur së fundmi edhe korrespodencën që mbante me ta dhe mundet që këto t’i botojmë në një libër. Vë re se si këta fëmijë, edhe kur dilnin në jetë në moshë madhore, i tregonin asaj për vështirësitë që kalonin dhe ajo nuk përtonte për t’i ndihmuar. Ngjiste shkallët e zyrave dhe thoshte: Këta janë fëmijët e Shqipërisë dhe ju keni për detyrë t’i sistemoni!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura