Ndryshon sërish vetingu për punonjësit e Policisë. Hasën vështirësi për të dokumentuar gjithçka iu duhet, vendoset kufi kohor për…

May 14, 2022 | 7:54
SHPËRNDAJE

Punonjësit e policisë me sa duket e kanë të pamundur të kalojnë në vetin me kriteret që janë vendosur për ta.

policia-5

Ata kanë hasur vështirësi të mëdha dhe herë pas herë kanë reaguar për shkak se nuk kishin kohën në dispozicion për të mbledhur dokumentet që iu kërkoheshin për procesin. Po ashtu, ata e kishin të pamundur edhe t‘i siguronin, sidomos punonjësit e policisë që kanë vite të shumta që aderojnë në policinë e Shtetit.

Kështu, qeveria është tërhequr për herë të dytë nga vetingu për punonjësit e Policisë së Shtetit pasi Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim publik draftin me një sërë ndryshimesh në këtë proces. Ligji fillestar parashikonte kalimin në sitë të rreth 12 mijë efektivëve të Policisë, Gardës dhe SHÇBA-së.

I hartuar fillimisht në kohën e ministrit Fatmir Xhafaj, ky ligj pësoi ndryshime nga pasardhësi i tij, ministri Sandër Lleshaj. Në draftin e hedhur së fundi për diskutim thuhet se në procesin e rivlerësimit do të përfshihen vetëm drejtuesit e rangjeve të larta dhe efektivët me risk të lartë korrupsioni.

NDRYSHIMET E REJA

Sipas të dhënave, mësohet se ndryshimet e reja do të shkrijnë zyrtarisht Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit dhe përcaktojnë se procesi i vetingut për drejtuesit e lartë të Policisë do ta realizohet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Drafti parashikon që në sitë të kalojnë edhe strukturat e Gardës së Republikës, si dhe anëtarët e trupave të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët më pas do të kryejnë vetingun për efektivat e tjerë.

Një tjetër element i rëndësishëm është vendosja e kufirit kohor për rivlerësimin e pasurisë, i cili në draftin fillestar ishte lënë pa afat. Në draft propozohet si kufi për hetimin e pasurisë viti 2008. Pronat dhe transaksionet e kryera nga efektivat para këtij viti nuk do të përfshihen në veting. Subjektet e rivlerësimit do të jenë të detyruar të deklarojnë çdo pasuri të akumuluar prej këtij viti, bashkë me personat e lidhur e fëmijët e tyre, ndërkohë që nuk u lejohet gjendje parash cash në vlerë më të madhe se 1.5 milionë lekë.

SHKAKU I NDRYSHIMIT

Qeveria argumenton se nevoja për këto ndryshime në ligj ka ardhur si pasojë e mospërmbushjes në kohë të procesit për shkak të numrit të lartë të punonjësve që duhet të kalojnë në sitë dhe mospërcaktimin e një kufiri për hetimin e pasurive.

Vetingu në polici i cili nisi në nëntor të vitit 2019 dështoi për shkak se nuk u realizua në afat. Nga momenti i nisjes së këtij procesi deri tani, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit e ka finalizuar vetingun vetëm për 63 efektiva të Policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura