Ndeshja me Armeninë, Gashi në formacion, pritet ekip sulmues

Oct 10, 2015 | 11:36
SHPËRNDAJE

Pa u mbushur as 24 orë nga përfundimi i ndeshjes me Serbinë, kuqezinjtë nisin nga përgatitjet për transfertën e fundit të Jerevanit, për t’u përballur me Armeninë në sfidën vendimtare të këtyre eliminatoreve.

Gashi-shkelzen

Ëndrra për të marrë pjesë në një kompeticion të tillë, sikurse është Europiani “Francë 2016” bën që kuqezinjtë ta hedhin pas krahëve humbjen me Serbinë dhe të vazhdojnë të besojnë se do të fitojnë në Jerevan. Në seancën e parë stërvitore, tekniku De Biazi ka punuar vetëm me një pjesë të ekipit, pasi lojtarët që luajtën me Serbinë janë stërvitur të diferencuar nën drejtimin e përgatitësit atletik.

Mungesa e Agollit, i cili mori kartonin e tretë në sfidën e fundit duke plotësuar numrin maksimal që nuk e lejon të jetë në fushë për Armeninë, si dhe Lilës të dëmtuar, që me shumë gjasa nuk do të jetë në dispozicion për duelin përmbyllës të këtyre eliminatoreve, ka bërë që italiani të përzgjedhë zëvendësuesit e tyre.

Aliji pritet të zëvendësojë Agollin, ndërsa në vendin e Lilës pritet të aktivizohet Shkëlzen Gashi. Skemat sulmuese që përdori tekniku italian në seancën e djeshme përfshinin të gjitha bomberin e shtyllave, Cikalleshin, i cili goditi edhe një dje në stërvitje.

De Biazi e di më mirë se kushdo tjetër se fitorja është kusht i panegociueshëm për të prerë biletën për në Europianin e ardhshëm, ndaj pritet që ndaj Armenisë të hedhë në fushë një skuadër të re për nga përballja. Italianit, për të arritur objektivin, i duhet të përgatisë një skuadër sulmuese, jo si ajo me Serbinë, ku sulmi ishte i pafuqishëm përballë eksperiencës së Ivanoviçit me shokë.

Siç duket, tekniku i Shqipërisë do të ndryshojë totalisht tablo sa i përket interpretimit të lojës në fushë, krahasuar me ndeshjen me Serbinë, të cilën preferoi ta godiste nga goditjet standarde. Italiani ka aplikuar pasditen e djeshme skema sulmuese, ndonëse jo me grupin e lojtarëve që luajtën të enjten. Pritet një Shqipëri sulmuese të dielën në Jerevan.

Me çfarë la të kuptohet në seancën e djeshme stërvitore, italiani pritet që të luajë me variantin 4-3-3 kur ekipi ka topin, duke u shndërruar në 4-5-1 në mbrojtje. De Biazi do të vendosë për 11-shen e parë që do të hedhë në fushë ndaj Armenisë në Jerevan, në seancën përmbyllëse të përgatitjeve. Sot ekipi kombëtar do të fluturojë drejt Armenisë, për t’u përballur me vendësit të dielën, në sfidën përmbyllëse të këtyre eliminatoreve.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura