Ndahet nga jeta shkrimtari Sulejman Krasniqi

Jul 17, 2011 | 10:52
SHPËRNDAJE

Në mëngjesin e 16 korrikut në banesën e tij në Tiranë u nda nga jeta shkrimtari i madh shqiptar, Balzaku i letrave shqipe, Sulejman Krasniqi. Ai u lind në Hoçë të Vogël të komunës së Rahovecit, më 7 dhjetor 1937, në një familje atdhetare kosovare. I formuar intelektualisht në gjimnazin e Prizrenit dhe patriotikisht në rrugët dhe shtëpitë e tij, Sulejman Krasniqi vuajti si i mitur burgun famëkeq serbo-sllav, ku u qëndroi në mënyrë stoike torturave mizore. Aty karakteri i tij u formësua e u brumos me dëshirën e flaktë për lirinë e atdheut të tij të robëruar dhe u betua me shpirt e zemër që gjithë jetën t’ia përkushtojë atdheut, Kosovës dhe bashkimit të trojeve shqiptare. I detyruar të arratiset në Shqipëri, u vendos në “tokën mëmë”, kreu studimet universitare dhe gjeti mënyrën më të mirë për t’i shërbyer çështjes: “Shkrimet”. Ngriti në art figurat historike të kombit duke i kthyer në mite të pavdekshëm. I bëri ballë presioneve e internimeve në Shqipëri vetëm për hir të kombit. Shkriu pasurinë, vuri në shërbim familjen dhe jetoi me Kosovën në mend e sy. Për 60 vjet me radhë nuk reshti së menduari për të. 60 vjet pa parë familjen, motrat, shtëpinë dhe trojet e tij. Dita më e bukur, siç thoshte edhe vetë, ishte çlirimi i Kosovës dhe udhëtimi i tij në autobusët e të dëbuarve që ktheheshin në qershor të 1999-s. “U largova i vetëm, po kthehem me tre trima”, tha ai kur kapërceu kufirin e dhunshëm, pasi u kthye me tre fëmijët e rritur me të njëjtën dashuri për Kosovën. Në jetën e tij letrare mbarështroi mbi 20 vepra historike e shumë artikuj e shkrime gazetareske. U nderua me çmime si ai i “Republikës” më 1981, me romanin “Mic Sokoli”, si dhe me çmime të ndryshme letrare, u dekorua me medalje e urdhra pune, por mirënjohja më e madhe për të qenë vlerësimet e publikut, mirënjohja e luftëtarëve të lirisë që i frymëzoi me veprën e tij. Disa nga veprat e tij janë romani “Rebeli i Bajraqeve”, novela “Tri motra, tri histori”, romani “Prijësja e komiteteve”. Vitet e fundit, megjithëse i sëmurë, nuk iu nda penës. Krahas veprave, la pas tre fëmijët e tij, Albanën, Sokolin e Derandin dhe bashkëshorten Mirën, që iu përkushtua dhe mbeti personi më i afërt për të deri në frymën e fundit. Homazhet për shkrimtarin e madh do të zhvillohen sot në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar, nga ora 12:00 – 14:00.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura