Montefiore, biografi i Stalinit, sot në Tiranë

Mar 28, 2011 | 11:58
SHPËRNDAJE

Një nga njerëzit më të pasionuar të ish-Rusisë së kuqe dhe një nga biografët më të mirë të Stalinit, vjen në një tjetër vend ish-komunist. Autori i njohur anglez, Simon Sebag Montefiore, mbërriti dje në Tiranë i ftuar nga Shtëpia Botuese “55”. Autor i dy veprave voluminoze për Stalinin dhe së fundi me librin e tij “Jeruzalemi, një jetëshkrim” i cili është kthyer në një nga librat më të debatuar në mediat botërore, Montefiore  konsiderohet si ati i historisë moderne. Sot paradite ai do të nderohet me titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Tiranës, ndërsa pasdite do të promovojë veprat e tij. “Eshtë e pamundur të shkruhet historia e këtij qyteti, pa pranuar se Jeruzalemi është motivi, boshti, madje shtylla kurrizore e historisë botërore”, thotë ai. Libri me rreth 700 faqe është përkthyer në shqip nga Etleva Sakajeva. Por, kjo nuk është e vetmja vepër që Montefiore do të prezantojë në Shqipëri. Ai do të prezantojë dhe katër libra të tjerë të botuar nga “55”. “Stalini i Ri” (Fitues i çmimit “Costa Biography Award”, 2007, “Stalini: Në oborrin e Carit të kuq”, “Sashenka” dhe “Katerina e Madhe dhe Potemkini”. Të katër librat lidhen me Rusinë dhe dramën e komunizmit rus. Në dy librat e parë për Stalinin jepet një përshkrim i vërtetë i jetës së diktatorit sovjetik, nga fëmijëria e deri në marrjen e pushtetit dhe një zbërthim deri në detaje i njerëzve më me influencë të oborrit të tij. Kremlini zbulon sekretet. Ndërsa “Sashenka”, është një roman për një familje të zakonshme që u përball me triumfet dhe tragjeditë e historisë ruse të shekullit të njëzet. “Më mahniste kuraja dhe qëndresa e atyre mijëra grave që kishin humbur burrat dhe fëmijët dhe pyesja veten: si kishin mbijetuar? Dhe si do ishte sjellë secili prej nesh në ato kohëra aq të llahtarshme? Mbi të gjitha, ky libër është mbi dashurinë dhe familjen – por, po ashtu, doja t’i zgjoja interes lexuesit për këto kohëra të çuditshme e tragjike të historisë ruse, i cili ndoshta nuk lexon libra historie”, thotë Simon Sebag Montefiore për këtë roman. Ndërsa “Potemkini dhe Katerina e madhe” është një rrëfim i ndjerë mbi dashurinë e dy personazheve të njohur. “Ky libër është një tregim mbi historinë më të madhe të dashurisë në kohërat moderne. Kontradiktat në karakterin e Potemkinit dalin në mënyrë të mrekullueshme në këtë biografi madhështore”, shkruan  Petronella Wyatt në “Independent”. Simon Sebag Montefiore lindi më 1965 dhe ka studiuar për histori në kolegjin “Gronville & Caius” të universitetit të Kembrixhit. Libri i tij “Katerina e Madhe & Potemkini” është përzgjedhur për çmimet “Samuel Johnson”, “Duff Cooper” dhe “Marsh Biography”. “Stalini: oborri i carit të kuq” u nderua me “History Book of the Year” në British Books Awards në vitin 2004. “Stalini i ri” fitoi çmimin “Bruno Kreisky” për letërsinë politike, çminin “Costa Biography Award” dhe ishte finalist për “Los Angeles Times Book Prize”. Librat e Montefiores janë shumë të shitur anembanë globit dhe të botuar në 30 gjuhë. Montefiore ka titullin “Fellow of the Royal Society of Literature”. Ai jeton në Londër me gruan, romancieren Santa Montefiore dhe dy fëmijët e tyre. Është një nga miqtë e ngushtë të kryeministrit Cameron dhe familjes mbretërore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura