Moikom Zeqo, poetika e meditimeve

Sep 19, 2017 | 13:27
SHPËRNDAJE

moikom-zeqo

VANGJUSH ZIKO

E lexova me kureshtje dhe kënaqësi librin më të ri poetik të Moikom Zeqos, “Letrat për Makabe Zaharian”, botim i APARKEAS-ABRAXAS, 2017. Poezia e Moikomit është e veçantë, që kërkon një përqendrim maksimal. Të emocionon dhe të zgjon mendime asociative komplekse dhe të thella, është poezi e përjetimeve jo të zakonshme, të bukura dhe alternative.

Një poezi thellësisht bashkëkohore, që i flet mendjes, zemrës, kujtesës, përfytyrimit dhe ëndërrimeve. Nuk po përqendrohem në një analizë të thelluar të brendisë së saj. E quaj ordiner, të thjeshtëzuar, kalimtar një koment dhe riinterpretim me fjalë të bukura boshe të të vërtetave filozofike dhe estetike të mishëruar në prozodinë dhe të figuracionin e saj. Poezia e vërtetë ka nevojë për një gjykim teorik të argumentuar dhe interpretuar profesionalisht.

* * *

Duke lexuar dhe rilexuar krijimtarinë poetike të Moikom Zeqos, nuk po e quaj thjesht “poet”, sepse më duket e ngushtë kjo “këmishë”, “kostumi” i tij më ngjan edhe me togën antike, edhe me pelerinën kalorësiake, po edhe me smokingun e një “dandy”, bile edhe me fustanellën tone të pashembullt ilire. Më vjen mirë ta quaj edhe filozof, e quaj edhe magjistar, pse të mos e quaj dhe një njeri jo të zakonshëm, që i mban sytë nga qielli duke lexuar Zodiakun e fatit njerëzor mbi tokë. Kam përshtypjen se kur lindi frymëzimi i tij, Muza e ka pritur në pelenën e Alegorisë pelenën, e cila i shkaktoi plot shqetësime, kur në ato vite shkruhej kryesisht poezi politike. Ajo poezi ishte poezia e argumentimit politik. Si mund ta duronte Moikomi i ri këtë sfidë? Heroi lirik i tij, megjithatë, nuk hoqi dorë asnjëherë, si atëherë, si dhe tani nga kjo figurë sfiduese e realitetit dogmatik. Ai e përdori edhe atë me kujdes duke vënë shprehjen e figurshme në themel të stilistikës së tij poetike. Mbi këtë themel, ai e lartësoi hap pas hapi korpusin e veprës së vet, duke e bërë devizë të kredos së vet poetike Alegorinë. Ajo e përsos dhe e bën mjeshtërore shprehjen e figurshme të mendimeve. Alegoria si figurë artistike, na jep kontekstin e mendimit në përgjithësi, e vesh me vellon e vet atë dhe, si çdo gjë e mbuluar, zgjon në forma të befta kërshërinë. Të bën të mendosh dhe të përfytyrosh.

* * *

Por frymëzimit universal të Moikomit nuk i mjaftonte vetëm thjesht përfytyrimi i sendeve, ngjarjeve të zakonshme, përfytyrimi i përditshmërive të zakonshme dhe profane tokësore. Heroi lirik i Moikomit është vizionar. Atë e interesojnë jeta dhe vdekja, pavdekësia dhe pafundësia, e tashmja dhe e ardhmja edhe përtejardhmëria. Realja plekset tek ai me metafiziken, truporja me shpirtëroren, ëndrra me zhgjëndrrën, Parajsa me Ferrin, konkretja me abstrakten. Vizioni tij filozofik dhe estetik nuk kishte si të realizohej vetëm me “magjinë” e Alegorisë së zakonshme jetësore. Nuhatja e tij artistike dhe estetike e drejtuan atë në korpusin e mitologjisë antike, në mitet. Vizionit të frymëzimit të tij i duhej “Alegoria mitologjike” mbi kozmosin, mbi zotat, mbi njerëzit, sinkretizmi i njeriut me natyrën, i së kaluarës me të tashmen, i trillimit me realen. Ai i studioi dhe i bëri të vetat këto sekrete të mjeshtërisë mitologjike. Kuptoi dhe përvetësoi si askush këto koncepte dhe “asociacione të pathëna paraprake”. Poezia e tij u bë kështu prej vitesh universalisht një poezi konceptuale figurative, duke vënë në themel të stilistikës së vet metodën avangardiste që e solli shekulli i njëzet në krijimtarinë letrare, d.m.th konceptualitetin. Në stilistikën e Moikom Zeqos janë të pranishme edhe elementë të postmodernizmit, siç është mistifikimi i realitetit dhe intertekstualiteti, operimi me figura dhe tekste të së kaluarës. Por edhe një rikthim i habitshëm në fluturimet e befasishme të Pindarit antik, kaq te parapëlqyera nga Moikomi. Metaforat dhe personifikimet e Moikomit janë, sipas përcaktimit të tij, “mashtrime optike për të krijuar asimetri të frikshme”. Një mendim të përafërt me poetin tonë shpreh edhe poeti Joseph Mosconi: “Më pëlqen të mendoj për poezinë konceptuale, si për fëmijët me sy të zes, që duam t’i vemë në gjumë, jo që t’i mbrojmë dhe t’i mitologjizojmë, por të ecim më tej, që të shpërndajmë fantazmat në familje”. Qëllimi i Moikomit nuk është thjesht risjellja e mitologjisë apo rikopjimi i miteve dhe i figurave të saj mitologjike, as t’i depozitojë, koleksionojë ato në vargjet e veta. Moikomi nuk do të na mahnitë apo të na “trembë” me hijen e tyre të rëndë, të mbinatyrshme. Poeti ynë i çmitizon ato dhe, nga “fantazma”, na i bën simbole. Ose i bën dhe metafora të koncepteve, të ideve dhe kategorive universale të moralit, të bukurisë, të dashurisë, të madhështisë, të heroizmit dhe të poshtërsisë, të dëlirësisë, të kohës dhe të pavdekësisë.

* * *

Si përfundim: kjo stilistikë poetike kërkon dhe një psikofizikë të re leximi, pra edhe një raport të ri Poet-Lexues. Poezia e Moikom Zeqos përfshin në vetvete të sotmen, bashkë me të shkuarën dhe të ardhmen, sintezën e kohërave shpirtërore. Gjuha e poezisë së vërtetë, niveli kulturor, pa harruar edhe nivelin gjuhësor, nuk është kurrë e barabartë me nivelin kulturor si dhe gjuhësor të lexuesit, ajo (e para) i paraprin asaj (së dytës), rëndësi ka që lexuesi të kapë si duhet dhe me inteligjencë thelbin e poezisë.

* * *

E parë në këtë optikë, stilistika poetike e Moikom Zeqos është kurorëzimi me sukses të madh dhe të plotë i rrugës së saj krijuese në të gjitha aspektet letrare dhe jashtëletrare. Kurse për letërsinë shqipe, është një nga arritjet e saj më madhore, që e radhit atë me dinjitet, krahas poezisë bashkëkohore moderne të botës. *) Vangjush Ziko është poet, përkthyes, dramaturg, eseist, aktualisht jeton dhe boton në Kanada.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura