Mirëpritet kënga e Elhaidës, së shpejti edhe në italisht

Mar 17, 2015 | 17:31
SHPËRNDAJE

Elhaida Dani, gjate xhirimeve te klipit te kenges

Një motiv që të mbetet në mendje, një videoklip-mesazh për të “tharë” lotët nga sytë e femrave. Kjo është kënga e re, që do të na përfaqë- sojë në Festivalin Europian.

Titullohet “I’m alive” dhe duket se ka “ngjitur” shumë më shumë se kënga e më- parshme “Diell”, e shpallur fituese në edicionin më të fundit të Festivalit të Këngës në RTSH. Një këngë me tekst të Sokol Marsit dhe muzikë të Zzap&Chriss, kënduar nga Elhaida Dani. Pas publikimit të këngës dhe klipit në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar dhe po ashtu edhe në faqen zyrtare të Eurosongut (www. eurovision. tv), kënga e Elhaidës është shpërndarë nëpër rrjete sociale e portale on line, duke mbledhur komente pa fund. Mijëra pëlqime, qindra komente dhe shpërndarje në facebook. Shumica janë pozitive. Kënga është pëlqyer nga publiku dhe shumica janë të idesë se ndryshimi i këngës ishte më e mira që mund të ndodhte. Komente pozitive ka marrë kënga edhe në faqen e “Eurosong” jo vetëm nga shqiptarë, por edhe të huaj, ndjekës të festivalit europian.

KËNGA

“I’m alive” do të këndohet anglisht në skenën e festivalit europian, që këtë vit mbahet në Vjenë, Austri. Siç njofton edhe vetë këngëtarja, së shpejti kënga do të realizohet edhe në gjuhën italiane, duke pasur parasysh faktin se Elhaida tashmë zhvillon karrierën e saj në Itali, ku edhe u shpall fituesja e edicionit të parë të “The Voice of Italy”.

“Pas më pak se një muaji që filluam punën për një këngë të re, sot kemi një këngë për të cilën kam punuar me shumë dashuri, me tekst në anglisht dhe në shqip dhe së shpejti edhe në italisht, dhe një video e punuar nga “Provideo” me një fabul, që për mua është shumë e rëndësishme.

Në një kohë rekord si kjo kam dhënë më të mirën time dhe uroj shumë t’ju shpërblej të gjithë ju për besimin që më dhuruat”, shprehet Elhaida Dani. Kënga e Sokol Marsit dhe Zzapp&Chriss është një këngë dashurie, e cila i reziston ndarjes. Kënga shoqërohet nga një klip, po ashtu me shumë dashuri, vetëm se i një lloji tjetër. Videoklipi është një mesazh kundër dhunës ndaj femrave dhe rëndësisë që ajo ka në shoqëri.

Një femër e veshur me uniformën e policisë, një tjetër të mjekes, një zjarrfikëse, një stjuardesë, një studente… janë protagonistet e videoklipit të “I’m alive”.

PËRPLASJA “I’m alive” lindi pas tërheqjes së kompozitorit të këngës fituese të Festivalit të RTSH-së, “Diell”, Aldo Shllaku, nga pjesëmarrja në Festivalin Europian. Sipas një prononcimi për gazetën “Panorama”, ditën që lajmi u bë publik, kompozitori Aldo Shllaku u shpreh se është ndier i mënjanuar nga i gjithë procesi që do të duhej të kalonte kënga për të shkuar në “Eurosong”, që në momentin kur ajo u shpall fituese.

Nga ftesa me insistim për të marrë pjesë në festival, në një qëndrim absurd gati mohues. Këto qëndrime e çuan atë që në datën 5 shkurt të hiqte dorë nga pjesëmarrja në “Eurosong”. “Është rast i paprecedentë që jo vetëm autorëve nuk i është dhënë e drejta elementare të realizojnë këngën e tyre, por për më tepër autorët janë përjashtuar nga çdo proces që nga 28 dhjetori, ditë kur kënga u shpall fituese e Festivalit e deri me sot. Me gjithë insistimin, vazhdon të mos bëhet e ditur se kujt i janë “transferuar” të drejtat e kompozitorit, poetit, orkestruesit, për ndryshimet që kënga duhet të pësoje si pjesë e kushteve të “Eurosong”.

Kjo është një shkelje flagrante e çdo të drejte të autorit, etikës profesionale dhe një vendim i bazuar në absurditet. Gjendur në një situatë të tillë dhe përtej çdo limiti kohor për të pasur një mundësi sado të vogël për të realizuar këngën, nuk më është lënë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse më 5 shkurt të dërgoj kërkesën zyrtare për të tërhequr Këngën.

Kjo pasi nuk mund të marr përsipër përgjegjësi profesionale, kur nuk jam vetë i angazhuar profesionalisht”, u shpreh Aldo Shllaku. Ndërsa nga ana e RTSH-së, dorëheqja e Shllakut u komentua si një thyerje kontrate, pasi të drejtat mbi këngën tashmë i përkisnin RTSH-së. Në këtë situatë, RTSH-së i duhej të zgjidhte ose të mos merrte pjesë në “Eurosong”, ose të çonin një këngë tjetër, që normalisht duhet të ishte kënga që fitoi çmimin e dytë në Festivalin e RTSH-së.

Por drejtuesit e RTSH-së, që kanë tagrin të çojnë këngën në Festivalin Europian, zgjodhën të realizojnë një këngë të re, përderisa kishin ende këngë- taren dhe tekstshkruesin Sokol Marsi. Ky vendim u shoqërua me komente nga më të ndryshmet, pro dhe kundra. Ajo çka doli në dritë ishte vlerësimi i vërtetë që publiku pati për këngën fituese, çka vë në diskutim mënyrën se si ajo u zgjodh, përzgjedhjen e këngës përfaqësuese në Festivalin Europian dhe misionin e Festivalit të Këngës në RTSH.

ALMA MILE 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura