Milot-Morinë me pagesë, tarifa mesatare, 5 euro

Jun 13, 2012 | 15:40
SHPËRNDAJE

Tarifa mesatare për kalimin në autostradën Milot-Morinë do të jetë 5 euro. Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, deklaroi dje se në fazën e dytë të konkurrimit me ofertat ekonomike të operatorëve të interesuar për koncesionin, avantazh do të ketë kompania me tarifën më të ulët. “Mendojmë që vlerësimi në fazën e dytë, që është faza ekonomike, të jetë tarifa. Pra, sa më e ulët  të jetë tarifa e ofruar për përdorimin e rrugës, aq më i avantazhuar do të jetë një nga ofertuesit për të fituar. Do të shikojmë se cilat do të jenë ofertat, pasi duhet parë kjo pjesë, por besoj që do të jetë në kufirin e 5 eurove”, tha ministri.
Tarifa
Tarifa për përdorimin e autostradës vendoset bazuar në një sërë faktorësh të rëndësishëm që lidhen me trafikun e rrugës apo llojin e këtij trafiku. Kur themi tarifë mesatare prej 5 eurosh, sikurse deklaroi dje ministri, kemi parasysh disa tarifa të aplikuara për automjete të ndryshme që nxjerrin një mesatare. Logjikisht, një automjet veturë nuk mund të paguajë njëlloj sa një autobus, dhe ky i fundit nuk mund të paguajë sa një maune e tonazhit të rëndë. Pra, për llojet e automjeteve do të ketë tarifa të ndryshme. Lidhur me trafikun, paraprakisht Korporata Ndërkombëtare Financiare bëri një studim për autostradën Milot-Morinë, ku sipas studimit, rezultoi që segmenti i parë i autostradës ka edhe nivelin më të lartë të trafikut, me një mesatare vjetore prej 6400 makinash në ditë. Segmenti i dytë është ai që vlerësohet me një trafik më të qëndrueshëm, sepse përfshin tunelin e Thirrës, i cili i shton vlerën këtij segmenti. Ky segment kap 100 për qind të trafikut që niset nga Tirana e Durrësi drejt Kukësit dhe Kosovës, dhe kjo vlerë trafiku nuk pritet të ndryshojë edhe pas vendosjes së stacionit të pagesës për shkak të kursimit të lartë të kohës dhe të kostos që gjeneron ky segment për makinat qarkulluese. Studimi dhe të dhënat e IFC-së u bënë për t’u shërbyer ofertuesve që janë në garë të bëjnë një parashikim paraprak të të ardhurave që mund të merren nga tarifimi dhe më pas të bëjnë ofertën ekonomike. Nga studimi dhe anketat e IFC-së rezultoi që një masë e madhe e njerëzve  ishin dakord me pagesën.
Koncesionari
Kompania që do të marrë me koncesion autostradën Milot-Morinë do të ketë edhe një sërë detyrimesh të tjera paraprake, sipas kontratës, siç është ndërtimi i një kryqëzimi në Kalimash, dualizimi apo ndarja në dy korsi e segmentit të parë të autostradës dhe ndërtimi i një ure dhe tuneli në Kukës. Të gjitha këto koncesionarit do t’i kushtojnë 80-100 milionë euro, ndërkohë që detyra parësore do të jetë operimi dhe mirëmbajtja e autostradës dhe tunelit të Thirrës. Të ardhurat që do të përdoren për këtë aspekt duhet të gjenerohen nga tarifa që do të paguhet nga automjetet që kalojnë nëpër këtë autostradë. Aktualisht dhënia e koncesionit është ende i papërfunduar, pesë kompanitë pjesëmarrëse kanë kaluar fazën e parë të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pritet që së shpejti të paraqesin ofertat ekonomike.

Kompanite
. STRABAG & INTERTOLL CONSORTIUM;

. J&P-AVAX & EGIS CONSORTIUM;

. HOCHTIEF PPP SOLUTIONS GMBH;

. AUTOSTRADA BRESCIA- VERONA-VICENZA- PADOVA SPA;

. VINCI CONCESSIONS SAS – AKTOR CONSESSIONS SP

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura