Michelle dhe Barack, “takimi i parë” i çiftit presidencial, në një film

Sep 7, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Çikago, verë 1989. Një avokate e re, brilante, Michelle Robinson, është ftuar nga stazhieri i saj, Barack Obama, për të qenë e pranishme në një mbledhje lagjeje. Ai mbërrin me një “Nissan Circa” 1982, në ngjyrë të verdhë, me tri dyer; ajo del nga dera e shtëpisë me pamjen e një femre që nuk është pre e lehtë. “First Date”, filmi i parë i Richard Tanne, gjurmon takimin e parë të çiftit të ardhshëm presidencial. Megjithatë, asgjë historike nuk parathotë kjo ditë e kaluar në muze, kinema dhe në dyqanin e akulloreve.

barack-et-michelle-obama-24-ans-damour-photo-2013

“Filmi fokusohet te këta dy personazhe, së bashku, në harkun kohor të një takimi”, shpjegon regjisori 31-vjeçar, i cili e ka prezantuar filmin e tij në “Sundance Festival”. Në të vërtetë, asnjëherë nuk e kemi parë çiftin Obama në këtë këndvështrim. “Ata kanë folur shumë për këtë takim të parë përgjatë dy fushatave elektorale”, thekson Tanne, i cili është i idesë që Michelle Robinson nuk doli në këtë takim me ndonjë qëllim të caktuar. “Në fillim, Michele nuk ishte fare e interesuar. Barack-ut i është dashur të luftojë për ta pasur. Historia e tyre e dashurisë është shumë universale dhe nga ana tjetër shumë origjinale. Gjithnjë më është dukur se ka diçka të veçantë në mënyrën se si ata e shohin njëri-tjetrin”.

barack-obama-et-michelle-robinson-jeunes-dans-les-annees-1980
Barack Obama dhe Michelle Robinson në vitin 1980

Në film, Barack Obama është një i ri i diplomuar në Harvard, stazhier në zyrën prestigjioze të avokatisë të Sidley Austin, në Çikago. Ai është i qetë, i sigurt, elegant, përfundimisht i magjepsur nga Michelle, udhëheqësja e tij e stazhit, në vazhdimësi i përndjekur nga fantazma e të atit që e kishte braktisur në moshën 4-vjeçare. Michelle Robinson është modeli i studentes së shkëlqyer, me medalje, që zien së brendshmi kundër një elite që përflet sepse ajo është një grua, e mbi të gjitha një grua e “zezë”. “Më është dashur të punoj dy herë më fort për të m’u njohur meritat për atë që jam e për aftësitë e mia. Ç’përshtypje do të lija nëse do të dilja me të parin burrë të bukur me ngjyrë që kalon derën e zyrës?”, thotë Tika Sumpter, apo Michelle Robinson në film.

“Pra, unë të dukem i bukur?”, i përgjigjet Parker Sawyers Barack Obama-s. Nëse detajet e bisedave janë fryt i fiksionit, gjithçka tjetër në film ka ndodhur vërtet. Ata shkuan të shihnin një ekspozitë mbi artin afrikan, kanë parë filmin “Do The Right Thing”, të Spike Lee, në kinema. Barack Obama drejtonte një “Nissan Circa” të verdhë në 1989. “Në fund ata kanë shkëmbyer një puthje, teksa hanin një akullore me çokollatë”, thotë regjisori. I pyetur nëse Obamat i kanë dhënë ndonjë “bekim” filmit apo kanë reaguar kundër tij, ai thotë jo.

 Aktorët që interpretojnë në filmin “First date”
Aktorët që interpretojnë në filmin “First date”

“Presidenti dhe zonja e Parë janë njerëz publikë dhe ligjërisht nuk ka asnjë ndalim për të bërë një film për ta. Sigurisht ata do të kishin të gjitha të drejtat të më padisnin nëse filmi im do të thoshte fyente apo të shpifte. Por skenari im është dashamirës dhe burimet e mia serioze. Mbi të gjitha, flet për takimin e dy njerëzve, që duan të nxjerrin në pah variantin më të mirë të vetes”, thotë regjisori. Michele Robinson dhe Barack Obama u martuan më 3 tetor 1992 në Çikago. Vajza e tyre e madhe, Malia, lindi në vitin 1998, Sasha, në 2001. Çifti kanë ecur krah për krah në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 e më pas në 2012. Ata ende nuk e kanë parë filmin.

(Madame/Le Figaro)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura