Meta në Kushtetuese/ Anastasi: Mund të kërkohet “Venecia”, konstitucionalisti Hazizaj: Nisma politike, jo ligjore

Jun 10, 2021 | 10:57
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Ilir Meta bëhet Presidenti i parë, ndër 6 të tillë që ka pasur deri më tani Shqipëria në kohën e pluralizmit, që votohet  për t’u shkarkuar nga Parlamenti.

pjimage (87)

Ky fakt, por edhe çështja se edhe në botë praktikat janë  të pakta, ka ngritur diskutimin e vendimmarrjes së  Gjykatës Kushtetuese. Ekspertët e legjislacionit shqiptar pohojnë se Gjykata  Kushtetuese e Shqipërisë do të përballet me disa sfida jo të lehta profesionale, pasi të marrë në dorëzim vendimin e sotëm të Parlamentit për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Sipas tyre, sfidat kanë të bëjnë me gjykimin mbi procedurat e ndjekura deri sot nga Kuvendi, me përmbajtjen e vendimit të sotëm dhe me vlerësimin nëse shkeljet e Presidentit janë apo jo të asaj shkalle sa të justifikojnë shkarkimin e tij. Studiuesja e çështjeve kushtetuese dhe profesorja e kësaj fushe në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të  Tiranës, dr. Aurela Anastasi, thotë se pavarësisht nga  konsultimi me raste të tjera, Gjykatës Kushtetuese i mbetet detyra për të thënë fjalën  e fundit nëse shkeljet e Presidentit janë apo jo të asaj shkalle sa të justifikohet shkarkimi i tij. Ajo theksoi se  shembujt në botë me shkarkime presidentësh janë të  paktë për të ofruar larmi praktikash dhe kjo është hera e parë që ndodh në Shqipëri, ndaj Gjykata Kushtetuese  është duke themeluar një precedent, po themelon një  shembull të parë.

“Gjykata Kushtetuese do të mbajë parasysh të gjitha vlerat kushtetuese, me qëllim që ky precedent të shndërrohet në një precedent pozitiv, sepse kjo do t’i interesonte pastaj të mirës në drejtësi dhe të mirës së vendit. Dhe të mos lejojë të shndërrohet në një precedent negativ, që mund  të rrezikojë referimin në praktika të gabuara, që shkelin  Kushtetutën etj.”, tha Anastasi.

Ndërsa Sokol Hazizaj, një tjetër ekspert i njohur i  çështjeve kushtetuese, thotë  se debati ndodh para institucioneve te ceduara: para një  Kuvendi që duhet të ishte shpërndarë një muaj para  zgjedhjeve, ngritja e një komisioni të tillë hetimor është e  ndaluar me ligj, ndërsa Gjykata Kushtetuese është ende e paplotësuar me anëtarë. Në këto kushte, tha ai, nisma për shkarkimin e Presidentit është politike, por jo ligjore e as kushtetuese. Një  tjetër pikë kritike e kësaj çështjeje, thotë zoti Hazizaj, është  edhe prishja e balancave mes  pushteteve.

“Parlamenti është kreu i formatimit ligjor dhe  kur ai gabon me vendime, kjo  prish edhe vendimet e gjykatave rrjedhëse në sistem, sepse  për sa kohë arbitrariteti  shfaqet në Kuvend, ky lloj arbitrariteti i pareferuar në Kushtetutë do të shfaqet edhe në gjykata edhe në administratë e kudo”, tha zoti Hazizaj.

SFIDAT

Një sfidë kryesore për Gjykatën Kushtetuese është se si të dallojë shkeljet e Kushtetutës nga shkeljet e rënda të Kushtetutës. Për këtë, sipas zonjës Anastasi, Gjykata mund të shfrytëzojë rastet e shteteve të tjera dhe  Opinionin e parë të Komisionit të Venecias për një  nismë të ngjashme, si dhe mund të kërkojë një Opinion të ri nga Venecia për rastin e  fundit, nëse shkeljet e konstatuara janë vërtet aq të rënda sa të përbëjnë shkak kushtetues për shkarkimin e tij  nga detyra. “Mundet që çështja të kërkojë kohë për nga shqyrtimi dhe kjo kohë mund të rritet mjaft nëse Gjykata Kushtetuese shfrytëzon mundësinë që i njeh ky  ligj për të kërkuar një opinion të ri nga Komisioni i  Venecias. Nëse Gjykata Kushtetuese do të ndjekë  afatet e zakonshme, kjo çështje do të zgjaste me muaj. Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendoste ndonjë afat të  posaçëm, që është përcaktuar për gjykime të tjera të posaçme të parashikuara në ligjin organik të saj, atëherë kjo çështje mund të përfundonte edhe brenda 30 ditëve”, tha zonja Anastasi.  Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mund të quhet një  gjykatë e re, sepse sapo është rinovuar në pjesën më të madhe të anëtarëve të vet, thotë zonja ajo.

PËRBËRJA E GJYKATËS

Përbërja e paplotë e Gjykatës me 7 anëtarë, nga 9 që kërkon Kushtetuta, mund të ndikojë në përballimin e sfidave të kësaj çështjeje. Po ashtu është e re edhe përvoja  e këtyre gjyqtarëve në fushën e drejtësisë kushtetuese,  pohojnë ekspertët. Zonja Anastasi thotë se Gjykata  Kushtetuese është funksion- ale me 7 anëtarë, por 2  gjyqtarë më pak do të thotë dy mendime më pak, dy vota më pak dhe kjo e shton peshën e përgjegjësisë së  Gjykatës, sepse duhet të përballojë edhe këtë paplotësi. Nga ana tjetër, zoti Hazizaj thotë se Gjykata Kushtetuese është njëkohësisht edhe gjykatë e karakterit politik  për nga mënyra e përmbajtjes së saj se si krijohet dhe  do të shqyrtohet vlera e këtyre vendimeve. Gjykata pritet  të ndajë qartë institucionet nga individët, që i drejtojnë  ato, tha ai.

“Nëse do të nxjerrësh një vendim politik, nesër  do të vijë një vendim që cenon të drejtën, që mund të cenojë edhe të drejtën e  anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk është çështje e karakterit personal, por  është çështje e karakterit të  përgjithshëm. Gjykata Kushtetuese duhet të ndajë mirë  fajin si qytetari Ilir Meta, apo fajin si konsumim i një vepre  apo një veprimtarie si President i Republikës. Ligji organik për Gjykatën Kushtetuese parashikon në disa  nene gjykime të tilla të  posaçme, por nuk parashikon afate maksimale kohore. Me shumicën e votave të anëtarëve të saj, GJK vendos për ta kaluar çështjen e posaçme në seancë plenare, e cila duhet të jetë publike. Gjykata Kushtetuese do të  diskutojë në fillim për juridiksionin e saj, për trajtimin e  çështjes së shkarkimit të Presidentit nga pikëpamja e procedurave, si dhe për trajtimin e çështjes nga pikëpamja thelbësore, materiale  e verifikimit të të gjitha çështjeve dhe shkaqeve kushtetuese, që ka ngritur vendimi i Kuvendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura