Meta: KESH-i e bleu energjinë me shtrenjtë kur dihej që do të kishte reshje dhe e shet shumë më lirë në bursë, drejtësia të veprojë

Nov 22, 2022 | 13:55
SHPËRNDAJE

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar KESH se ndërsa e dinte që priteshin reshje shiu, një javë para ka blerë në bursë energji dhe tani po e shet shumë më lirë nga sa ka shpenzuar.

ilir meta ne lezheeee

“Dhe e gjithë kjo situatë tregon se qeveria ka qenë inekzistente dhe të gjitha veprimet kanë qenë tepër minimale dhe tepër të vonuara dhe vetëm pasi situata kishte dalë nga kontrolli.

Dhe më e rënda është se KESH-I e bleu energjinë me shtrenjtë pikërisht në momentin kur dihej që do të kishte reshje dhe e shet shumë më lirë në bursë, pikërisht në këto momente.

-Dështoi në mënyrë spektakolare sistemi satelitor për të cilin u paguan 1.5 milionë euro për të parashikuar me saktësi motin.

-Dhe ndërkohë Komiteti i Plotave u mblodh vetëm të shtunën kur katastrofa kishte filluar“, tha Meta në një deklaratë për mediat.

Ndër të tjera, kreu i PL i ka bërë thirrje SPAK që të hetojë për menaxhimin e kaskadës ndaj drejtuesve të sistemit energjitik.

“Është e qartë se kjo situatë rrezikon të përkeqësohet me masat e improvizuara. Reshje të tjera priten dhe natyrisht se është e domosdoshme shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duhet të bëhet menjëherë pasi jo vetëm kemi të bëjmë me fatkeqësi natyrore por kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore të shkaktuar nga keqmenaxhimi i kaskadave tona nga qeveria.

E cila duhet të dëmshpërblejë qytetarët dhe banorët për dëmet e tyre dhe njëkohësisht është e domosdoshme që drejtësia të veprojë ndaj drejtuesve të Sistemit Energjetik për të gjitha aktet e tyre të rënda, si korruptive që kanë çuar në këtë situatë të pakontrolluar të menaxhimit të kaskadës, ashtu dhe për mos lajmërimin e autoriteteve vendore dhe të qytetarëve për t’u mbrojtur nga përmbytja“, tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura