Meta: Do gdhihem në Vlorë më 28 Nëntor, në kryeqytetin e Pavarësisë

Nov 3, 2012 | 12:16
SHPËRNDAJE
Kreu i LSI, Ilir Meta

Kreu i LSI kundër taksës progresive: Nuk do vendoset asnjëherë.

“Do shkoj që në datën 27, kryeqyteti i Pavarësisë është Vlora”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha dje se do të festojë ditën e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor.  I ftuar në emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare, Meta tha se Vlora do të jetë më 28 Nëntor kryeqyteti i Shqipërisë. “28 Nëntori është, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në Vlorë. 28 Nëntori është kudo ku ka shqiptarë, por kryeqyteti i Pavarësisë është Vlora. Do të shkoj që në 27 nëntor për të nisur nga festimet dhe ta gdhijmë atje duke pritur festimet e 28 Nëntorit. Nuk di se çfarë axhende ka bërë qeveria, por di që kryeqyteti i pavarësisë është Vlora”, u shpreh Meta.
Taksa
Meta kundërshtoi propozimet e PS për taksën progresive, duke u shprehur se ajo nuk favorizon biznesin në momentet e krizës ekonomike që ka prekur vendet përreth. “Ka një krizë në Europë që mund të kthehet në një mundësi për ne. Për shkak të krizës është rritur interesi për të zhvendosur investimet dhe bizneset në Shqipëri, në një vend me taksa më të ulëta, natyrisht jo me taksat progresive. Taksa progresive mund të prishte punë në këto momente dhe s’ka për t’u vendosur ndonjëherë. Ka mënyra të tjera për të mbrojtur shtresat e tjera sociale dhe për të bërë një rishpërndarje më të drejtë”, tha kreu i LSI-së. Meta solli në vëmendje rastin e një emigranti shqiptar, i cili ka transferuar biznesin e tij në Shqipëri nga Italia, sepse ka taksa më të ulëta, duke punësuar 2 mijë njerëz në një kompani. “Qeveria duhet të ngrejë një shtab vetëm për këtë çështje, duke i dhënë rëndësi të madhe dhe prioritet zhvendosjes së bizneseve nga jashtë në Shqipëri, pasi hapen vende të shumta pune. Ky duhet të jetë prioriteti i qeverisë dhe i opozitës dhe jo çështjet e tjera më pak të rëndësishme”, tha Meta.
PDIU
Meta vlerësoi bashkëpunimin e PDIU-në dhe Shpëtim Idrizin për çështjen çame. “Unë vlerësoj bashkëpunimin me zotin Idrizi në radhë të parë për afirmimin e çështjes çame. LSI e ka ngritur, e ka pasur pjesë të programit dhe e ka përkrahur gjithmonë, kanë qenë të tjerë ata që i janë shmangur prononcimit për këtë çështje në Parlament në të kaluarën dhe uroj të mos e bëjnë më në të ardhmen e afërt. Unë vlerësoj shumë rolin e PDIU nën lidershipin e zotit Idrizi për afirmimin e kësaj çështjeje jo vetëm brenda vendit, por dhe në institucionet ndërkombëtare në Strasburg, Bruksel, Uashington apo Nju Jork. Ka qenë një çështje e panjohur nga bota, se në kohën që është bërë, nuk ka pasur media dhe informacion. Mbetet një çështje për t’u trajtuar në përputhje me konventat ndërkombëtare europiane, jo vetëm për të njohur të drejtat e tyre dhe për t’i dhënë një mbyllje përfundimtare një kapitulli tragjik, por dhe për t’i forcuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Unë jam treguar i gatshëm për të votuar rezolutën për çështjen çame në Parlamentin shqiptar”, tha Meta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura