Mësuesit turq të rrëmbyer nga Kosova dënohen me 16 vite burg në Turqi

Nov 6, 2019 | 18:37
SHPËRNDAJE

Gjykata turke ka dënuar me nga shtatë vite e gjashtë muaj burgim dy nga gjashtë turqit e arrestuar në Kosovë nën dyshimin se janë pjesëtarë të asaj që qeveria e Erdogan e konsideron organizatë terroriste “FETO”.

auto_Osman_Karakaya_dhe_Cihan_Ozkan1573058850-780x439

Ata u kapën në Kosovë pa vendim gjykate dhe u transportuan me avion privatë drejt Turqisë, operacion i kryer nga Agjencia Kombëtare turke e Inteligjencës.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e 30-të të Krimeve të Rënda në Stamboll, Osman Karakaya dhe Cihan Ozkan mohuan akuzat e ngritura ndaj tyre.

Trupi gjykues i liroi të pandehurit Karakaya dhe Ozkan nga akuza e “spiunazhit ndërkombëtar”, por shpalli dënim me nga shtatë vite e gjashtë muaj për akuzën “pjesëmarrje në organizatë të armatosur terroriste”.

Ata punonin në disa shkolle turke në Kosovë.

Prokuroria turke kishte kërkuar ndaj tyre burgim nga 16 vite e gjashtë muaj deri në 28 vite.

Kujtojmë se më 29 mars të vitit të kaluar, shtetasit turq, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina u dëbuan nga Kosova në mënyrë të jashtëligjshme.

Kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, e dënoi fuqishëm rastin duke shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefajn, dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashin.

Ndaj vendimit të Haradinajt reagoi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duke e quajtur të turpshëm dhe duke e kërcënuar publikisht. Ai falënderoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili konsiderohet si mbështetësi në prapaskenë i dëbimit, duke mos zbatuar ligjet e vendit.

Kuvendi i Kosovës pati formuar Komisionin Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, ndërsa pas hetimit të tyre, raporti me gjetjet ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 24 qershor të këtij viti. Xhelal Sveçla, kryetar i këtij komisioni, pati thënë se janë identifikuar 31 shkelje në procesin e jashtëligjshëm të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Duke u thirrur në raportin hetimor, Sveçla tha se vendimi për revokim të leje-qëndrimeve në Kosovë dhe urdhri për dëbim me forcë të shtetasve turq ishin në kundërshtim me ligjet, Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura